Jeton Selimi
Merkatoja e verës ka nisur zyrtarisht, por është vetëm një formalitet. Kjo sepse prej një muaji skuadrat kanë hyrë në tratativa, e çfarë tratativash. Edhe në Krishtlindje nuk kanë rreshtur kontaktet, planet për betejë dhe panetone të tërë me fax. Çdo skuadër ka ku të vërë dorë dhe ja planet e tyre:
Atalanta
Grupi i Kolantuonos funksionon, duhet vetëm një mbrojtës ekspert që të zgjasë rotacionet: pëlqehet Kontini (Siena), por Marino sheh përqark pa u shqetësuar. Pastaj duhet të kujdeset edhe për largimet. Ardemanji e Petinaro do të largohen te Vareze, Kaserta i pëlqen Noçerinas. Po monitorohen disa talente të Lega Pro: Baraje i Lumerxanes dhe Koraca i Portogruaros.
Bolonja
Një ardhje është gati: Rubin në huazim nga Torino. Për të tjerët priten përgjigje nga Juventusi për Sorensenin, nga Interi për Kastanjosin, nga Palermo për Mantovanin. Në tavolinë edhe disa ide këmbimesh: Mungidaji në Napoli për Donadel.
Çezena
Në fillim sulmmi për t’u sistemuar. Po pritet një përgjigje e Interit për Kastanjos, pritet Lacio për huazimin e Kozak dhe ëndërrohet Floro Flores. Po mendohet largimi i Eder dhe Bogdanit. Pëlqehet shumë Pilar, anësor sulmues i Viktoria Plzen, por për të Volfsburg duket në avantazh. Në mesfushë pëlqehet Biondini si dhe ofrohet Kandreva për të arritur te Santana i Napolit.
Fiorentina
Xhilardino iku, por a do vijë zëvendësuesi? Jo menjëherë. Dhe jo patjetër një pykë. Rosit i pëlqen edhe një sulmues që lëviz për ta vendosur në krah të Jovetiçit, Çerçit dhe pjesës tjetër të mesfushës. Korvino po punon. Ndërkohë, derisa të vijë ai lojtar, nuk do largohen as Silva e as Babakar. Emra? Pëlqehet Floro Flores, por është një pistë e vështirë kjo, ndaj mund të synohet edhe Jakob i Rejsing Avejanedas.
Interi
Gjithçka ëështë orientuar te Lukas. Trekuartisti i San Paolos është objektivi i parë i zikaltërve, por kuushton rreth 25 milionë euro dhe nuk është një tratativë e thjeshtë. Ndaj ja përse duhet shitur më parë Shnajder dhe me lekët e holandezit do të synohet braziliani. Drejt largimit edhe Zarate, Kastanjos e mbase Stankoviç. Në qershor synohet Laveci.
Juventusi
Më aktivja mes emrave big. Një goditje është bërë: Borrielo. Dy janë drejt afrimit: një hap larg është Kasares i Seviljas dhe e Romën po punohet për Pixarron (edhe pse në mesfushë ngacmon gjithnjë pista Guarin). Por puna më e madhe i takon largimeve: Amauri, Toni, Iakuinta, Mota e mbase Krasiç, Sorensen, Elia, Pacienca e Marrone.
Kajliari
Objektivi i parë është një sulmues që shënon lehtë. Joshëse ideja e rikthimit të Akuafreskës, po lakohen emrat e Tonit (Juve) dhe Zeballos (Olimpia Asuncion), por Çelino të jep përshtypjen se e ka asin nën mëngë. Flitet me Çezenën për Parolon dhe pëlqehet Kacola. Kujdes Naingolan që e duan emrat e mëdhenj.
Katania
Dy nyje për t’u zgjidhur: Maksi Lopez dhe portiere. I pari vlerësohet 10 milionë dhe ka njerëz që e çmojnë jashtë Italisë (Volfsburg e Totenhem). Për të dytin, pas prishjes me Anduhar, por shikohet për zëvendësues. Pëlqehet Markesin i Lanus, Arkari i Breshias, Maninger i Juventusit, ndërkohë që po flitet edhe me Romën për Kurçin.
Kievo
Tjetër skuadër me ingranaxhe te kolaudura, duhet vetëm ndonjë talent që bën punë. Nga Palermo, për shembull, mund të vijë slloveni Baçinoviç në këmbim të Rigonit. Në sulm pëlqehet Larrondo i Sienas, por ka shumë mundësi që drejtori Sartori të bëjë shoping jashtë vendit.
Lacio
Reja ka gjurmuar identikitin: mesfushor me talent dhe që të ketë tipare offensive që mund të luajë në vend të Maurit dhe që të jetë zëvendësi i Hernanes. Kuzmanoviç (Shtutgart) dhe Kranjçar (Totenham) janë emrat më të lakuar. Së fundmi janë shtuar ata të Elm, zbulim suedez i Az Alkmaar dhe Sansone, xhevahiri i Sasuolos. Sise, për momentin do të qëndrojë, por sirenat franceze uturijnë, ndaj do të duhet një zëvendësues, që mund të jetë Inzaghi.
Leçe
Drejtori Osti është kthyer nga Roma me një bindje: t’u marrë Kurçin kryeqytetasve nuk do të jetë e lehtë, ndonëse kontaktet vijojnë dhe janë të mira. Pastaj do të duhet edhe ndonjë element tjetër. Në mbrojtje pëlqehet Açerbi dhe Sorensen, përpara Leçe është vënë në radhë për Kozak, por nuk do të hiqet dorë nga pista të tjera.
Milani
Tevez, vetëm Tevez. Kërkohet përshpejtimi i blerjes, pasi ka edhe tentativa për ndërhyrje (Inter përshembull). Kontakte të vazhdueshme mes kuqezinjve dhe agjentëve të Apashit. Objektivi është që të mbyllet gjithçka me Mançester Sitin në mesin e muajit. Ndërsa është prenotuar Montolivo.
Napoli
Me Edu Vargasin, sulmi nis të bëhet i mbipopulluar dhe dikush duhet të dalë. Santana i pëlqen Çezenës, por është në satnd-by tratativa e shkëmbimit me Kandrevën. Është edhe Maskara që i ka thënë “jo” Novarës dhe po sheh përqark.
Novara
Karaçolo po stërvitet prej disa ditësh dhe shpejt do t’i bashkangjitet edhe Rinaudo, që ka thënë “po”. Për mesfushën është edhe danezi Jensen, që ka bindur dhe do të federohet. Mungon vetëm një sulmues. Pas refuzimit të Maskaras mendohet për Grankoen, Zhedan e mbase Mexhorinin.
Palermo
Mutti kërkon eksperiencën, por mund të vijnë edhe të rinj me talent. Si Alfaro, sulmues i Liverpul Montevideos. Palermo ka shtyrë shumë dhe presidenti i tyre do të jetë në Itali për të diskutuar. Por kujdes nga Udineze që kërkon të ndërhyjë. Edhe në mesfushë ka nevojë për prurje. Rigoni i Kievos është pista më konkrete. Pëlqehet Klodemir, brazilian me pasaportë komunitare i FC Kopenhagen dhe Salomon i Breshias.
Parma
Anësori suedez Lofkvist po stërvitet, por Parma mediton edhe goditje të tjera, sidomos të perspektivës. Njëri mund të jetë Okaka (po bisedohet me Romën për bashkëpronësinë e tij). Ndërkohë pritet përgjigja e Panathinaikosit për trekuartistin Sotir Nini.
Roma
Luis Enrike kërkon brumë në mesfushë. Ka bllokuar shitjen e Simplisios, mban nën vëzhgim Guarin të Portos dhe Paulinjon e Korinthiasit. Por zyrtarisht, fronti më aktiv është ai i Kasemiros. Por pritet edhe ndonjë xhevahir krejtësisht italian. Prej ditësh po flitet me Peskarën për të çuar te Zeman Kaprarin, çka do të vishte verdhekuq Verratin.
Siena
Të çmosh sa më shumë grupin, pa revolucione. Puna e parë mund të mbyllet me Varezen. Anësori Karroca në Toskanë me Sestun dhe Parraviçinin që shkojnë në krahun tjetër. Pastaj do të hapet një tavolinë me Sampdorian: objektivi i parë është Poci dhe në Gjenovë mund të shkojnë Larrondo e mbase Rosetini.
Udineze
Dy blerje në tavë: anësori i majtë Fankone dhe mesfushori Fernandos. Por largimet për shkak të Kupës së Afrikës kërkojnë të paktën një afrim: Pacienca, që Juvja mund ta lërë të ikë sapo të gjejë një mesfushor tjetër, ose Anin i Soshos. Për largime, asnjë nuk do ikë, të paktën për një ofertë të parezistueshme. Për Islan, në Francë flitet se e kërkon PSG.
Xhenoa
Edhe në janar është po ajo merkato-mitraloz si në verë. Është marrë Xhilardino, Viola po vjen dhe po bëhët sprinti për Virinen, një nga sulmuesit e rinj më në zë në Europë. Por nuk mbaron me kaq. Do të vijë të paktën edhe nga një përforcim për repart. Pëlqehet Zakardo i Parmës dhe Ronkalja i Bokës për mbrojtjen. Në mesfushë pëlqehen Biondini i Kajliarit dhe Rios i Tihuanas. Nëse do të vinte një mega-ofertë për Veloson, do t’i thuhej po edhe Amorim të Benfikas dhe Lodit të Katanias.