Eshtë e natyrshme që çdo kryeministër të mbrojë punën e tij, sidomos në raste krizash si kjo që po përjetojmë.
E kemi parë dhe më parë, e kemi parë dhe në shtete me demokraci më të konsoliduar se kjo e jona. Por çdo gjë e ka një kufi. Gjuha e moderuar e kryeministrave të tjerë ka pasur më së shumti qëllimin për tu treguar popujve të tyre se ata janë aty për ta, dhe jo e kundërta.
Kur teprohet, ata e dinë fort mirë se nuk është më mbrojtje e punës së tyre po tejkalim i cakut, dhe kjo mund të sjellë pakënaqësi tek populli i tyre.
Rasti i kryeministrit shqiptar është unik, siç është dhe Rama në llojin e tij. Madje aq shumë e kalon cakun duke rrahur gjoksin, sa pa frikë mund të themi se ka rënë edhe nën nivelin e vulgut. Dje shpërndau një video të “nënë Engjellushes” e cila ishte shëruar nga COVID-19, dhe ky është një lajm i gëzueshëm për të gjithë.
Por komenti me të cilin kryeministri shoqëronte videon ishte skandaloz, absurd dhe me shenja të qarta mitomanie “Mosozot po të kish ardhur kjo flamë para ca vjetësh, këtu do ish bërë kasphanë”.
E çfarë po të kish ardhur para ca vjetësh, shumëkush beson se më mirë do ishte? Sepse njeriu që është tallur dhe e ka shkatërruar në mënyrën më të papërgjegjëshme deri në gjenezë sistemin shëndetësor është pikërisht kryeministri aktual.
Apo mos duhet ta falenderojmë se në krye të sistemit solli Ilir Beqjen, hartuesin e skemave abuzive të PPP-ve që shkojnë sot e gjithë kohën në duart e miqve të Ramës? Ta falenderojmë që solli Manastirliun, ish besniken e tij në bashki që sbëri asgjë më shumë vetëm PPP-të e mëparshme dhe shtoi zullumin me të tjera. Ta falenderojmë se vuri drejtor në Qendrën Spitalore më të madhe universitare në vend, një ish drejtor të një medie si shpërblim për shërbimet e bëra.
Në këto ditë pandemie ai nuk është dukur kurrkund. Apo ta falenderojmë se në menaxhimin e fondeve të pandemisë vendosi Arben Ahmetajn, i cili me firmën e tij ska lënë zullum pa bërë me paratë e taksapaguesve.
Ta falenderojmë që na bëri peshqesh lali Erin, sepse në këto kohë të trazuara vazhdon të shtojë zullumet, me tendera korruptivë si ai i Unazës së Re, apo duke dhënë paga abuzive nga taksat tona për ata që i bëjnë fresk. Ta falenderojmë kryeministrin për faturat e ekzagjeruara të dritave dhe ujit që u çon pensionistëve në derë, e shumë e shumë të tjera. Kaq të trashë na di?
Apo më keq akoma, ta falenderojmë së është përgjegjësi për eksodin më të madh të mjekëve dhe infermierëve nga vendi. Nën udhëheqjen e lavdishme të tij, rezulton se janë larguar nga Shqipëria më shumë se 5 mijë mjekë dhe infermierë, investim i kësaj shoqërie, i familjeve shqiptare. Për shëndetësinë falas që rezultoi as më shumë e as më pak, por një “vërrë në ujë”.
Që vazhdojmë t’i paguajmë shërbimet spitalore sa frëngu pulën, dhe në asnjë rast këto para nuk shkojnë për paga mjekësh apo përmirësim kushtesh, por për gjithfarë lloj tenderash që vetëm mendja e rilindasve mund ta sajojë. Dëshmitë e të shtruarëve në infektiv për kushtet atje, ku mungonte dhe larësi i duarve lëre të tjerat, janë akoma të freskëta. Këto duhet t’I harrojmë, mos harroni të duartrokisni shpëtimtarin
Në vitin 2009, kur ishte qeveria “mosozot” globi përjetoi një pandemi, ishte ajo e gripit të derrave. Fatmirësisht nuk u kthye në teatër absurd mbarëbotëror si ky i sotmi, që ka gjunjëzuar ekonominë e kombeve. Qeveria e asaj kohe nuk dha alarmin, dhe falë një denoncimi që u bë nga një shkencëtar suedez për lidhjet e dyshimta të OBSH me një firmë farmaceutike u shmang vendosja e karantinimit në mbarë globin. Pandemia ra që çke me të.
Ajo pandemi mori më shumë se 500 mijë jetë njerëzish në mbarë globin, ndërsa neve na çiku hiç më pak e hiç më shumë por në një numër të përafërt si kjo “flamë” që sapo kaluam, dhe jo me kaq shumë vdekje. A e di Rama, se pavarësisht se rreh gjoksin përqindjen e vdekjeve e ka më të lartë dhe se Senegali?
Deri më tani për rreth 800 të prekur ka 31 vdekje në kurriz ndërsa Senegali për 1000 të infektuar ka vetëm 9 të vdekur. Po atje masat e Ramës, po e mbajnë epideminë nën kontroll? Po për epideminë e verdhëzës që ra në ato kohë, e të tjera e të tjera shumë herë në numër të lartë se kjo ka dëgjuar kryeministr? Me shumë gjasë po, por si i thonë një fjale “i vdekuri i botës duket sikur fle”.
Shqiptarët skanë asnjë detyrim t’I thonë faleminderit kryeministrit që duket se po e kërkon fort këtë. Ata duhet ti thonë faleminderit imunitetit të tyre, ujit, diellit dhe ajrit që u ka dhënë kjo tokë e bekuar nga Zoti. Po të jetë për Edi Ramën, ai do vazhdonte të tallej siç bënte në ditët e shkurtit kur i kërkohej të merrte masa, ndërkohë që virusi hynte e dilte siç po dalin dhe faktet. Dhe po, diçka është e vërtetë, që i duhet thënë faleminderit Ramës.
Na tregoi se ska më kryeministër autokrat dhe qeveri më abuziviste se ajo që ka ndërtuar. Na tregoi se po të ishte dikush tjetër, kushdo qoftë, në vendin e tij gjërat do ishin shumë herë më mirë. Situata ekonomike do ishte më e mirë. Njerëzit nuk do merrnin lëmoshë por një rrogë dinjitoze për t’ kaluar ditët e hallit.
Spitalet do ishin më të mira, sepse paratë do ishin kthyer në investime, shumë nga ata mjekë që kanë ikur sot do ishin në krye të detyrës, dhe sdo shihnim shërbyesit e Ramës që i bëjnë hosana fjalëve të tij në rrjete sociale. Por ja që ky fat i keq na ra në këto kohë të trazuara.