Në fushatën e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, Edi Rama nuk flet më për integrimin e Shqipërisë në familjen europiane, duke treguar hapur se nuk e ka aspak në programin e Partisë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme, anëtarësimin e vendit tonë në BE.
Tashmë ai nuk beson e punon më për ëndrrën e shqiptarëve dhe nuk është më interpretues e përçues i saj, sepse ai e din se sa herë e përmend atë si objektiv të tij personal apo si qeveri, Parlamenti Europian, Komisioni dhe Këshilli i Bashkimit Europian i shtojnë kushtet për anëtarësim si pengesa të krijuara pikërisht nga vetë kryeministri Rama.
Demokracitë perëndimore vlerësojnë dhe gjykojnë çdo iniciativë të kryeministrave të vendeve aspiruese për integrimin në institucionet legjislative e ekzekutive europiane dhe orientimin e politikave të tyre ekonomike, legjislative, mediatike dhe të marrëdhënieve me shtetet e tjera të rajonit dhe më gjerë.
Rama e humbi betejën si për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe atë të qenies faktor vendimtar në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke lënë pas dëme të konsiderueshme për Kosovën, njohjen dhe integrimin e saj në Europë.
Për këtë arsye, ai e orientoi politikën e tij të jashtme drejt Turqisë duke u afruar me Erdoganin, i cilësuar si diktator nga kryeministri i Italisë, Mario Draghi, jo vetëm për “incidentin” protokollar e diplomatik ndaj presidentes të Komisionit Europian, Ursula von Der Leyen, por më shumë për represionin që ushtron vazhdimisht kundër të drejtave themelore të njeriut, gruas dhe opozitarëve të tij, duke përdorur tri elemente themelore të çdo diktatori: ndëshkimin, korruptimin dhe imponimin e përshtatshmërisë së regjimit të tij, si e vetmja formë e mbijetesës, në një regjim që mbijeton edhe me fondet që i dhuron Europa, për të mbajtur emigrantët larg kontinentit të vjetër, kërcënim që qëndron si shpata e Damokleut mbi institucionet përfaqësuese të Europës.
Njëkohësisht, Rama ka program të importojë e aplikojë politika të shfrytëzimit të punëtorëve duke i përdorur qytetarët nga Bangladeshi, si qytetar pa asnjë të drejtë njerëzore dhe që mund të përdoren si sendet njëpërdorimshme.
Rama, para pak kohësh u shpreh se në Korçë “të rinjtë paguhen deri në 8000 euro në muaj”, por në fasoneritë ata duhet të kënaqen me 300 euro si kompensim nga pronari, ndërsa kontrollorët e fluturimeve në aeroportin e Rinasit, mund të pushohen dhe ndiqen penalisht, nëse ankohen për ngarkesën nga stresi i punës, apo bëjnë greva kur u përgjysmohet paga deri në 1500 euro.
Shqetësime këto të filluara, që në kohën e tërmetit të 26 nëntorit të 2019 dhe më pas vazhdoi me Pandeminë e Covid-19, por deklarata e Ramës për punëtorët nga Bangladeshi u bë qëllimisht për t’u dhënë një përgjigje në distancë punonjësve të kontrollit të trafikut ajror në Rinas, duke hedhur poshtë pretendimet e tyre për rikthimin e pagës së para Covid-19.
Kuptohet, që pezullimet dhe arrestimet e kontrolloreve të fluturimeve në Rinas, do të
dëmtojnë qeverinë, sidomos mbas deklaratës së Organizatës së Kontrollorëve të trafikut ajror në Europë, që dënojnë qëndrimet ekstreme të qeverisë shqiptare, që vë në rrezik edhe sigurinë e udhëtarëve dhe sistemit ajror europian.
“Për një vend që aspiron të bëhet anëtar i BE, është e papranueshme që punëtorë të kontrollit të trafikut ajror, kritik për sigurinë e tyre, mund të pushohen nga puna dhe përfundimisht të arrestohen, thjesht për kryerjen e detyrave të tyre në përputhje me rregulloret e BE-së ose për publikimin e shqetësimeve të tyre, kur punëdhënësi i tyre nuk pranoi t’i dëgjonte, një punëdhënës që në fund të fundit është përgjegjës për sigurinë e udhëtarëve që udhëtojnë nëpër qiellin shqiptar”, thuhet në reagimin e Organizatës.
Pas humbjes së gjyqit me Becchettin dhe vendosja e gjobës së 110 mln euro nga Arbitrazhi për shqiptarët, nga “papërgjegjshmëria” e qëllimshme e kontrollit të mediave nga kryeministri, që ka vazhduar të thellohet me politizimin e menaxhimit të emergjencës shëndetësore dhe fushatën e vaksinave e ka kthyer në fushatë elektorale të personalizuar, me efekte bumerang në përdorimin e pushtetit autokratik në shërbim të tij.
Faktet flasin në dështimin e Ramës më vaksinimet, që deri sot janë injektuar 257000 ose 8.9% të popullsisë, ndërsa me dy doza 655 persona, më pak se 0,1%, kur mesatarja e vaksinimeve me një dozë në Europë, është afër 30% të popullsisë.