Mbrëmjen e së shtunës dhe në orët e para të mëngjesit të së dielës, forcat speciale të policisë dhe ato RENEA, arrestuan 23 prej qytetarëve të cilët ishin në protestën e mbajtur tek ‘Rruga e Kombit’.
Familjarët e të ndaluarve, mëngjesin e së dielës u mblodhën para komisariatit të policisë në Kukës, pasi nuk kishin informacion se ku ndodheshin të afërmit e tyre.
Në Kukës dje mbërritën edhe deputetët të opozitës, ndërkohë që u mësua se të arrestuarit ishin transferuar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
Mësohet se argumenti i dhënë nga policia për transferimin e të ndaluarve në Tiranë është për shkak se komisariati i Kukësit nuk i ka kapacitetet për të përballuar numrin e të arrestuarve.