Edhe pse Tirana e fitoi në sekondat e fundit ndeshjen me Elbasanin, sërish tifozat ‘Fanatics’ kanë shkaktuar rrëmujë duke shkatërruar edhe stadiumin.
“Elbasan Arena” u përurua pak javë më parë dhe kombëtarja luajti aty edhe ndeshjen e parë, atë të eliminatoreve me Danimarkën, ku barazoi.
Por gjatë ndeshjes së djeshme të fituar 3 me 2 nga Tirana, tifozët e kësaj të fundit kanë vazhduar me aktet e tyre vandale, që në fillim të kampionatit u dënuan.
Ata dje kanë shkatërruar një pjesë të stadiumit, duke i shkulur dhe thyer stolat dhe duke i hedhur edhe në fushë.
Gjithashtu tifozat e Tiranës kanë shkatërruar edhe disa kabllo ndriçimi. Për këto incidente u ndërpre edhe ndeshja për 8 minuta.
Drejtori i stadiumit Dritan Kadia ka deklaruar se policia ndërhyri më vonësë për të neutralizuar konfliktin.
Ai tha se janë shkatërruar 126 stola dhe se të gjithë dëmin e shkaktuar në stadiumin e ri do ta paguajë klubi i cili shkaktoi konfliktin.
Pas ndeshjes u bë edhe bilanci i dëmeve, ndërsa policia ka ndaluar edhe disa tifozë.
Në një reagim të saj, Policia e Elbasanit ka bërë të ditur se: “U hartua plani konkret me detyra të përcaktuara, me 95 policë. Nga istruktrazhi u është bërë kontrolli fizik tifozëve. Para takimit kemi bërë takim me trajneret e ekipeve. Tifozëria mike ishin rreth 1500 vetë, ndërsa tifozat vendas 3000. Rreth min 73′ tifozëria vendase shan tifozerinë mike, kurse kjo e fundit iu përgjigj. Ndërsa policia zbrapsi tifozerinë në vendet e tyre. Janë shoqeruar 6 persona për këtë incident, ku nëpërmjet kamerave të sigurise do ketë të tjera arrestime”.
Reagimi i Tiranës: Na provokuan
Mbrëmjen e djeshme ka reaguar edhe klubi i Tiranës.
“KF Tirana dëshiron të sqaroje opinionin publik dhe mediat për gjithçka ka ndodhur sot (dje) në “Elbasan Arena”. KF Tirana distancohet nga dhuna dhe shfaqet antisportive në shkallet e stadiumit. Tifozeria vendase ka provokuar, ofenduar dhe goditur me sende të forta nga distanca tifozët e Tiranës. Sjellja aspak korrekte, ofendimet në kor drejt lojtarëve dhe tifozëve të Tiranës, mesazhet ofenduese nëpërmjet parrullave të shkruara nga tifozet vendas, kanë qenë shkak i incidentit që u shënua gjatë ndeshjes Elbasani – Tirana.
Masat e pakta të sigurise në stadium kanë lejuar tifozet vendas të lënë sektorin e tyre dhe të tentojnë për tu afruar me tifozet bardheblu madje një prej tyre ka hyre dhe në fushë. Pamjet filmike vërtetojnë gjithçka me sipër.
Provokimet e hapura të vendasve kanë acaruar disa tifozë të Tiranës, të cilët kanë reaguar dukë u përfshirë në këto incidente, sjellje e cila nuk duhet bërë dhe lejuar”, thuhet në reagimin e Klubit të Tiranës.