Mediat greke kanë publikuar momentin kur mamaja e Konstanti Kacifas, 35-vjeçarit grek, ka marrë vesh lajmin se djali i saj ishte vrarë nga ana e policisë në Gjirokastër. Në videon e mëposhtme shihet qartë dhe dëshpërimi i familjarëve për të afërmin e tyre. Lajmi për vrasjen e djalit i është dhënë të ëmës nga Vasil Kaliva, i cili i thotë se i kërkuan të dorëzohej, por Kacifa është përgjigjur se nuk dorëzohej se ishte grek dhe prandaj e vranë.
“Policia i kërkoi të dorëzohej. Ai iu tha nuk dorëzohem se jam grek. Ata e vranë”, thotë Kaliva.
Vrasja e 35-vjeçarit ka sjellë një valë tensionesh mes Greqisë dhe Shqipërisë. Së fundi për hetimin e rrethanave të kësaj vrasje kanë mbërritur nga Tirana ekspertë të policisë gjyqësore në Gjirokastër, raporton Fax News.
Pala shqiptare ka mohuar që të ketë një ekspertizë nga shteti grek, duke i kërkuar familjarëve që të tërheqin trupin që gjenden ende në morgun e qytetit të Gjirokastrës. Familjarët thonë se nuk e tërheqin trupin pa ardhur ekspertët nga Greqia, pasi pretendojnë se në vendin ku është gjetur trupi i të ndjerit ka gjurmë të shumta gjaku në një rreze mjaft të gjerë.