Kryeministri Edi Rama edhe një herë tjetër mohoi që të ketë patur ndërhyrje nga Turqia për prishjen e marrëveshjes së 2009 mes Shqipërisë dhe Greqisë. Gjatë një interviste për median greke “Mega Tv”, Rama u shpreh se nuk ka asgjë të tillë, madje tha se ndihet krenar që ka një mik si Erdogan.
Rama bëri gjithashtu me dije se së shpejti kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis dhe ministri i Jashtëm grek do të vizitojnë Shqipërinë për të hedhur hapa përpara për marrëveshjen e detit.
Teksa u ndal tek marrëdhëniet e mira të Shqipërisë me Greqinë, Rama vlerësoi Mitsotakis për ndihmën e dhënë gjatë tërmetit. Ai u shpreh i bindur se do të gjendet një zgjidhje mes dy vendeve.
Sa i takon konfliktit Greqi-Turqi, Rama deklaroi se këto shtete me interesa të mëdha, i zgjidhin vetë problemet.
***
Intervista e Janis Mutsos me Edi Rama, për emisionin Mega Fundjavë
Në vitin 2009 u mbyll një marrëveshje e ngjashme me Itali-Greqi për ZEE, çfarë ndodhi?
Pas mbylljes së marrëveshjes disa individë e grupe sociale ngritën shqetësimin e lartë, duke argumentuar se marrëveshja nuk ishte e saktë. Atë periudhë isha lideri i opozitës dhe morëm vendimin të çojmë çështjen në Gjykatën e Lartë Kushtetuese, në vend që të transformohej në një debat politik, siç ndodh shpesh në Ballkan kur jepet mundësia për sjellje “patriotike”, duke minuar ndërkohë kuptimin esencial të patriotizmit. Gjykata vendosi se marrëveshja nuk ishte e duhura. Vendimi i Gjykatës ishte se marrëveshja dëmtonte interesat kombëtare të Shqipërisë. Nga ai moment hymë në fazën e mosmarrëveshjeve, më pas të dialogut dhe tani mund të them se jam i surprizuar pozitivisht nga qeveria e re greke, kryeministri Mitsotakis, ministri i Jashtëm Nikos Dendias, që janë padyshim njerëz të mrekullueshëm. Vetëm pak orë pas tragjedisë në Durrës, Mitsotakis më telefonoi e më pyeti “Çfarë mund të bëj për ju dhe vendin tuaj?”
Ekipi shpëtimtar grek ishte një mrekulli, unë i ndoqa gjatë operacioneve, bënë mrekulli, shpëtuan jetë, një djalë i ri në gjendje tepër të vështirë, e përsëri, forcat speciale hynë nën gërmadha me guxim të paparë. Mrekulli të ndjekësh këta njerëz që flasin një gjuhë të huaj të jenë gati të sakrifikojnë jetën e tyre, sepse mund të kishte ndodhur, mos e dhëntë Zoti.
Për ne ishte surprizë përshëndetja e Shqipërisë për marrëveshjen e ZEE Itali-Greqi, përderisa në të kaluarën marrëveshja e ngjashme Shqipëri-Greqi nuk ishte ratifikuar.
Thjesht, kaluam përmes një periudhe tipike absurde ballkanike dhe eksperiencën e zakonshme të patriotizmit fals –fake- që ushqeu zjarrin më të ndezur, menjëherë pas fjalimit të kryeministrit grek në parlament, gjatë diskutimit të marrëveshjes të ZEE e kufirit detar me Italinë e Egjiptin. Në diskutim, Mitsotakis u referua në të drejtën ndërkombëtare të zgjerojë kufijtë me 12 milje. Situata mes nesh është e veçantë sepse asnjë nga dy vendet tona nuk bën dot zgjerimin pa patur një marrëveshje mes tyre.
Brenda pak javëve pres me padurim vizitën e ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, në Shqipëri të diskutojmë çështjen, e në vijim, shpresoj se do të mirëpres edhe kryeminstrin grek, Mitsotakis në një vizitë zyrtare.
Jam krenar që jam mik i Erdogan. Kurrë nuk bëri përpjekje të më thotë diçka për këtë çështje. Thjesht është një çështje e vitit 2009 që duhet të zgjidhet. Mund ta zgjidhim.
Por cili është qëndrimi i Shqipërisë në çështjet që lindin nga përcaktimi i ZEE Greqi-Turqi?
Greqia dhe Turqia janë mjaft të afta të zgjidhin vetë çështjet e tyre, çdo vend ka qëndrimin e tij, që mesa duket janë kontradiktore, por të dy vendet kanë interesa të mëdha, si dhe gjithë elementet janë tregues të faktit se dy vendet duhet të afrohen, të gjejnë zgjidhjen së bashku e të ndërtojnë të ardhmen së bashku.
Minoritarët: Ka shumë të dhëna për shkeljen e të drejtave të njeriut, një prej të cilave e drejta e vetëpërcaktimit…
Nuk është e vërtetë! Duhet të bëj të qartë se ne po përgatisim tani një kuadër të ri ligjor. Problemet me të cilat përballen minoritarët grekë në Shqipëri janë të njëjta me të shumë shqiptarëve. Ne kemi trashëguar nga e kaluara një situatë kaotike në lidhje me pasuritë e palëvizshme.