“Jam unë”, projekti më i ri i gazetares Luljeta Progni, një hapësirë për ata që e duan profesionin e tyre, që nuk shtiren ndryshe, që nuk ankohen gjithë ditën se Shqipëria s’bëhet, për ata që nuk kanë turp të thonë #jamune.
Si është dita e një njeriu që ne jemi mësuar ta shohim në ekranet e televizioneve? Apo dita e një mjeku që ne kemi mundësinë ta shohim vetëm në bluzën e bardhë? Apo e një piktori, një aktivisti, një njeriu të thjeshtë që përpiqet çdo ditë për t’ia dalë në këtë vend, për të bërë më të mirën për vete e familjen? Si janë këta njerëz në jetën e përditshme?
Këto pyetje ishin shtysë për gazetaren Luljeta Progni për të nisur projektin e saj më të ri “Jam unë”, një mënyrë ndryshe për të sjellë tek publiku personazhet me të vërtetën e tyre. Gjithçka realizohet me anë të një kamera që i ndjek nga mëngjesi në darkë.
Episodi i parë i kushtohet gazetares Klodiana Lala, një grua që e nis ditën duke bërë gati vajzat për në kopësht e shkollë dhe e përfundon në studion e emisionit më të ndjekur në vend, “Opinion”
“Pa inskenime, pa gënjeshtra, pa censurë. Gjithçka ashtu siç është, e vërtetë. Epsiodi i parë me gazetaren Klodiana Lala. Kam njohur pak njerëz që e duan kaq shumë profesionin e tyre, sa Klodiana Lala . Ndaj e kemi zgjedhur të parën. Të tjerë personazhe do ta pasojnë, me detaje të një dite intensive, ashtu siç është dita e tyre, e ashtu siç janë personazhet, pa kuruar asnjë detaj.
Në 12 minuta plot dinamikë, janë zgjedhur momentet më pikane të ditës së saj më 17 qershor, prej mëngjesit kur është me familjen, raportimi në terren, përgatitja e kronikës në News24, kafja e shkurtër me kolegët, performanca në studion e Adi Krastës dhe në “Opinion”. Një ditë që mbyllet me rrëfimin e Klodit, dilemën e saj nëse është një model frymëzimi…” – shkruan Progni në prezantimin e këtij projekti.