fbpx

Aktualitet

Java finale/ Skenarët, ja çfarë pritet të ndodhë





               Publikuar në : 09:53 - 24/06/19 |
Sebi Alla

Edhe një javë nga data 30 qershor dhe palët shtojnë dozën e konfliktit. Çfarë pritet të ndodhë në një betejë të ashpër. Ndërkombëtarët, ende larg krizës sonë. Kryeministri, ironi dhe kërcënim me burg ndaj opozitës. Përplasja merr edhe “nocion juridik”, Kolegji Zgjedhor sot vendos për anulimin e datës së zgjedhjeve nga presidenti.


Është java e fundit e një konfliktualiteti të gjatë politik që mund të kulmojë vetëm në dy variante; përplasje nëse zgjedhjet bëhen në mënyrë të njëanshme; ose një marrëveshje të orëve të fundit. Zgjidhje të mesme zor se mund të ketë, ku edhe faktori ndërkombëtar po rri gjithnjë e më larg politikës sonë. Skenarët ngado të vërtiten deri më tani nuk janë aspak të mira, çka shtojnë dyshimet se kaosi politik dhe për më shumë social mund të ketë zanafillën më 30 qershor, por pa ia ditur njeri fundin. Mazhoranca dhe kryeministri Edi Rama shprehen të bindur se zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor edhe pa pjesëmarrjen e opozitës dhe se kryeministri nuk tërhiqet. Nga ana tjetër, PD dhe partitë e tjera opozitare shprehen se zgjedhje më 30 qershor nuk do të ketë, duke iu qëndruar tri kërkesave kryesore për largimin e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie kalimtare dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.



Në javën e fundit opozita ka vendosur që të protestojë çdo ditë në çdo vend dhe zonë ku shkon për “fushatë” kryeministri Edi Rama. Ky i fundit lëviz me një superskortë të gardës së Republikës dhe qindra punonjës të Policisë së Shtetit, përfshi edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Ndërsa verbi që Rama përdor para mbështetësve që e presin, është tërësisht i varfër duke përsëritur të njëjtat gjëra; si opozita po sheh e shtin fall me filxhan, është në rrugë qorre, kanë frikë nga Reforma në Drejtësi, apo se PS është forca e vetme që duhet të udhëheqë. Prej datës 10 qershor zyrtarisht kreu i shtetit ka anuluar datën e zgjedhjeve lokale, një nismë e kundërshtuar nga mazhoranca, e cila ka nisur procedurat e shkarkimit ndaj tij.


Kriza në kulmin e përplasjeve
Kryeministri Edi Rama ka vendosur të sulmojë këdo, opozitë dhe kreun e shtetit. Për të zgjedhjet do të zhvillohen më 30 qershor duke shkuar i vendosur që më 1 korrik të numërojë 61 bashkitë e marra që të gjitha nga PS, edhe pse në disa bashkia sa për “imazh” ka kandidatë nga Bindja Demokratike e Astrit Patozit, e krijuar në frymën e fundit të përfundimit të afatit të regjistrimit të subjekteve politike dhe ndonjë kandidat i pavarur, që edhe ata janë “varësisht” në krijimin e një mirazhi se ka pasur “alternativë zgjedhje”. Në shumë bashki të vendit janë regjistruar disa incidente të forta ku përfaqësues të opozitës kanë tentuar të futen në KZAZ ku ruhen materialet zgjedhore. Kundërpërgjigjja ka qenë e ashpër nga ana e punonjësve të policisë, ndërsa çdo ditë gjykata shqyrton dhjetëra raste për të vendosur për masën e sigurisë ndaj protestuesve.

Nga ky reagim nuk kanë shpëtuar as deputetë të PD-së me mandate të djegura. Ish-deputeti i qarkut Shkodër Bardh Spahia u arrestua “live” ndërsa shkonte në një studio televizive, ku më shumë se aksion rutinë ishte treguesi i një force për të trembur, sesa zbatuar ligjin. Gjithashtu, Rama kërcënon haptas se do kush dënohet për krim elektoral në prishjen e zgjedhjeve krahas dënimit penal do të përballet edhe me “ligjin e ri Rama”, që u ndalohet lëvizja e lirë jashtë vendit për një periudhë 5-10 vjet. Por ndërsa flitet për “krim elektoral”, nuk ka si të shuhet jehona e 26 audiopërgjimeve të dosjeve 339 dhe 184 të publikuara nga gazeta gjermane Bild ku shfaqen ish-ministra, deputetë, zyrtarë të lartë lokalë të PS-së që flasin me elemente të botës së krimit dhe drejtues policie për shitblerjen e votave dhe shantazh të hapur ndaj zgjedhësve. Në këtë klimë konfliktualiteti deri më tani faktori i rëndësishëm ndërkombëtar nuk ka ndërhyrë në gjetjen e një zgjidhjeje, por janë mjaftuar me disa deklarata në rang ambasadorësh, apo edhe më poshtë se ta, të cilët në të shumtën e rasteve i shkojnë për shtat qëndrimit të mazhorancës.

Edhe një betejë juridike…
Në kulmin e krizës politike që ka mbërthyer vendin, çështja do të marrë edhe karakter juridik, duke nisur nga dita e sotme. Kolegji Zgjedhor do të marrë një vendim lidhur me Padinë e Partisë Uniteti Kombëtar, prej nga do të përcaktohet nëse do të zhvillohen ose jo zgjedhjet lokale. Zgjidhja e konfliktit institucional të lindur mes mazhorancës dhe opozitës pas dekretit të Ilir Metës që anuloi datën e zgjedhjeve vendore, mbetet në duart e 5 gjyqtarëve; Tomor Shkrelit, Ridvan Hados, Lindita Sinanajt, Artur Malajt dhe Shkëlqim Mustafës. Gjithçka duket se ka qenë një taktikë “juridike” e mazhorancës menjëherë pasi kreu i shtetit Ilir Meta vendosi të zhdekretojë datën 30 qershor për zgjedhjet lokale.

Me t’u njohur me dekretin e Presidentit, kreu i Partisë së Unitetit Kombëtar (në aleancë me PS), iu drejtua KQZ dhe kërkoi që nga fletët e votimit të hiqej emri i subjektit Partia Uniteti Kombëtar, për këshillat bashkiakë ku ka paraqitur kandidaturat. Komisioni e rrëzoi kërkesën e tij, pasi e konsideron dekretin e presidentit si një akt administrativ absolutisht të pavlefshëm, që nuk prodhon efekte juridike. Nëse pesë gjyqtarët do të pranojnë kërkesën e Beqirit, duke urdhëruar KQZ ta çregjistrojë Partinë Uniteti Kombëtar nga zgjedhjet, atëherë pranohet ligjshmëria e dekretit të Presidentit dhe 30 qershori rrëzohet.

Megjithatë para se të merret një vendin, (cilido qoftë), Partia Demokratike ka deklaruar se Kolegji Zgjedhor nuk ka kompetencë të gjykojë sot dekretin e Presidentit Ilir Meta për anulimin e datës së zgjedhjeve, siç ka përcaktuar kryeministri Edi Rama. Në një deklaratë për media, Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PD, Ivi Kaso, është shprehur se dekreti i Metës është në fuqi dhe është i detyrueshëm të zbatohet në gjithë territorin e Shqipërisë. Sipas tij, kryeministri Edi Rama ka vetëm një rrugë për ta shpallur këtë dekret të pavlefshëm, ta ankimojë atë në Gjykatën Kushtetuese, një institucion i cili nuk ekziston prej më shumë se një viti.


Etiketa: , , , ,

Pas