Çfarë pritet të luhet në Berlin gjatë javës në vazhdim? Sa janë shanset që vendi ynë të marrë një sinjal pozitiv nga Gjermania për çeljen e negociatave? CDU/CSU vazhdon të jetë skeptike ndaj qeverisë shqiptare. Votimet e 30 qershorit nuk kanë ndikuar pozitivisht për shanset e Shqipërisë që të nisë negociatat.
Në fund të gushtit, ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian u mblodhën në Helsinki edhe për Ballkanin Perëndimor. Ministri i Jashtëm, Gent Cakaj postoi online një seri me foto nga ky takim, duke i sponsorizuar edhe në rrjetin social Facebook. “Shqipëria ka përmbushur të gjitha kushtet teknike për të merituar hapjen e negociatave në tetor. Prandaj, Shqipëria pret që Këshilli do t’i përgjigjet pozitivisht progresit të saj duke hapur negociatat për anëtarësim në BE,” shkruante ai, duke e shoqëruar me një figurinë me dy gishta lart. Se çfarë suksesi shihte Cakaj në këtë takim, kjo nuk ka nevojë për shumë koment. Por një prej gazetave më të mëdha gjermane, Frankfurter Allgemeiner Zeitung shkruante se Maqedonia e Veriut ka shanse më të mira për të nisur negociatat. Në shkrimin e gazetës theksohej se kundër nisjes së negociatave, sidomos me Shqipërinë, vazhdojnë të mbeten Franca, Holanda, por edhe Danimarka. Këto të fundit kanë rezerva sidomos për procesin e reformave në Shqipëri. Megjithatë, siç shton gazeta, as në Gjermani nuk është situata rozë, për shkak se grupi parlamentar i CDU vazhdon të ketë rezerva të forta për Shqipërinë.
Java vendimtare
Për këtë arsye, java që vjen në Berlin duket se do jetë e rëndësishme për fatin e Shqipërisë. Sipas Dojçe Vele, javën e ardhshme deputetët e grupit më të madh në parlamentin e Gjermanisë (Bundestag), CDU/CSU do të merren intensivisht me Shqipërinë, në kërkim të një qëndrimi për çeljen e negociatave. Të përfshirë do të jenë kryesisht deputetët kristiandemokratë e kristiansocialë të grupit të punës së Ballkanit Perëndimor, i cili drejtohet nga nënkryetari i Grupit Parlamentar të CDU/CSU-së Johann David Wadephul (CDU), si dhe grupet e punës për çështje të Bashkimit Evropian dhe të Jashtme. Gjatë javës së ardhshme ata pritet të takohen si me përaqësues të qeverisë gjermane, ashtu edhe me vetë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Ky i fundit pritet të jetë të premten e ardhshme në Berlin. Një burim i tha gazetës MAPO se ndryshe nga sa pretendohet, Rama nuk është thirrur nga deputetët gjermanë, por do të shkojë vetë në Berlin.
Pro e kundër
Dojçe Vele shkruan se një pjesë e madhe e deputetëve të CDU/CSU-së janë të prirur t’i japin Shqipërisë një “Po! me kushte”, por ka edhe një pakicë të vogël, por të fortë, që mendon se Shqipëria nuk është ende gati as për këtë. Përveç kushteve të formuluara edhe më parë në lidhje me reformën e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe të drogës, reformën zgjedhore, pritet të shtohen edhe kushte të tilla si sqarimi i ligjshmërisë së zgjedhjeve lokale të qershorit 2019 si edhe sqarimi i akuzave për shitblerjen e votave në disa zona. Vendimin përfundimtar grupi i CDU/CSU-së pritet ta marrë në datën 24 shtator. Një burim i tha gazetës Mapo se pikërisht kjo datë ka bërë që në Tiranë të mos mbërrijë për vizitë Johann David Wadephul, një emër i rëndësishëm i politikës gjermane, që ka shprehur rezervat e tij për qasjen e qeverisë ndaj krizës politike. Por a do ketë zyrtarë të PD në Berlin? Burimet thanë se demokratët i kanë mbajtur vazhdimisht në kontakt gjermanët për situatën në vend. Kjo javë e rëndësishme vjen pas publikimit të raportit të ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri, një raport që i vë damkën e zezë votimeve të 30 qershorit. Qëndrimi i CDU/CSU-së duhet të jetë i njëjtë me atë të qeverisë gjermane dhe të partnerit të koalicionit SPD. Kjo e fundit, dhe Ministria e Jashtme e drejtuar prej saj, është shprehur qysh më parë për një fillim të menjëhershëm të negociatave me Shqipërinë. Nëse palët arrijnë t’i unifikojnë qëndrimet e tyre, pritet që më 27 shtator ky qëndrim të votohet në seancën plenare të Bundestagut.