Mapo Letrare

Jeta di si të na befasojë








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 19:27 - 16/02/20 |
Nga Mark Simoni

Romë-Auckland-Shkodër- Rrugëtimi i romanit “Gjyqi i Fundit”-(Intevistë me shkrimtaren e suksesshme Esmeralda Kraja)


Esmeralda, ju lutem na bëni një prezantim tuajin në fushën e letërsisë dhe të formimit për lexuesin e gazetës Mapo, si dhe na thoni se çfarë është ky libër i juaji që sapo u botua në Zelandë. Na flisni pak për situatat e tij, për temën dhe subjektin e këtij romani të suksessshëm.


Po citoj shtypin italian: “Esmeralda Kraja është autorja e romanit debutues “Gjyqi i fundit”, një roman i ambjentuar në Romë, por që është edhe një komplot kulturor. Autorja, në gjendje të pajtojë kulturat e shumta, prezanton librin “Gjyqi i fundit” para audiencës së madhe në anglisht;  një përpjekje letrare e shkrimtares multi-kulturore e cila u rrit në Shkodër dhe u transferua në Romë për të studiuar në vitin 2001; qytet me të cilin ishte dashuri në shikim të parë, aq sa ajo vendos të ambjentojë romanin e parë në qytetin më të bukur në botë”.


Së pari, tek “Gjyqi i Fundit” përshkruhet një shoqëri e cila shtrihet në disa drejtime. Në sfondin e Romës qëndron figura e gjykatësit Colombo dhe bijës së tij Berenisë, një vajzë e fortë dhe e vendosur, derisa shfaqet Rubeni, një ish i burgosur padrejtësisht, që në përpjekje për të realizuar ëndrrat e tij për hakmarrje, përpiqet ta poshtërojë në të gjitha mënyrat e imagjinueshme me mizori të madhe dhe një buzëqeshje ironike dhe nganjëherë mizore.


Jetët e tyre nuk ecin në shina paralele: është diku një sekret dhe egërsia e një fati të pafavorshëm, si një makth i përsëritur. Por lidhja e tyre më pas bëhet një strehë e sigurt ku të gjithë gjejnë forcë për të rifilluar nga e para. E kaluara e të atit, Gjykatësit Colombo është e turbullt kurse e tashmja është e dhimbshme. Vetëm pas gabimeve të së kaluarës dhe përmes dhimbjes të së bijës, Gjykatësi arrin të gjejë ekuilibrin e tij. Për t’i dhënë një kuptim jetës, ai kryen një seri veprimesh të rrezikshme duke braktisur institucionet, ligjin, luftën për pushtet, dhe më pas duke e gjetur veten në “Gjyqin e fundit”, me të cilin heq dorë nga karriera e tij.


Sa kohë u ka marrë romani juaj dhe si arritët të bashkepunoni dhe të publikoheni nga një shtëpi botuese në Zelandën e Re?

Vite! E kam përfunduar në fund të vitit 2014 pastaj kam heshtur, më vonë kam shtjelluar nje ide ambiciose, dëshiroja me çdo kusht të mbërrija tek lexuesi ndërkombëtar.

Kjo ide lindi pasi shumë pak, madje vetëm nje rreth shumë i ngushtë e dinë që une kam punuar per 5 vite me rradhë si korigjuese per mbi 30 ëebsite, ku 95% e tyre i perkasin botës së modës, përfshirë disa nga markat më në zë përendimore duke perfunduar ne Azi apo Lindjen e Largët, por nuk kam folur thuajse kurrë për ketë, pikërisht per faktin se ishte një punë e cila nuk të jep asnjë zë. Ka qënë një periudhë efektive përsa i përket eksperiencës dhe shpërblimit monetar, por hendeku midis meje dhe stafit nuk u zbut kurrë. Po flasim për një punë ku fjala yte nuk të atribuohej ty por dikujt tjetër, nuk kishe qëllime për të arritur dhe nuk ishte një mundësi e vlefshme për karrierë. Fatkeqësisht, realiteti ishte shumë më i errët në këtë plan, dhe për shkak të kësaj, unë që aspiroja për një arritje personale vendosa të shkëputem, sado fitimprurëse mund të dukej. Ishte një punë sfiduese, që më kushtonte shumë kohë dhe e bëja deri në orët e para të mengjesit, nuk arrija t’a perfundoja kurrë përpara orës 2 apo 3 të mëngjesit. Jam larguar nga kjo fushë me dëshirën time përpara një viti, ndërkohe që paralelisht bëja edhe 8 apo 9 orë në ditë punë të zakonshme. Kjo ka qenë dhe shtysa e parë që këmbëngulja fort për të mbërritur tek lexuesi ndërkombëtar, pasi është një publik të cilin ndërkohë kisha mësuar ta njoh e ta nuhas.

Pas përkthimit të librit tim nga origjinali në gjuhën angleze, me shtëpinë time botuese në Zelandë kontakti i parë ka qëne vetëm për një redaktim të thjeshtë dhe ndonjë korigjim të bocave, duke menduar se gjithçka do mbaronte aty. Por jo, nuk ndodhi ashtu. Pas disa kohësh, ishin ata vetë të cilët më kërkuan nënshkrimin e një kontrate dhe blerjen e autorësisë pasi e kishin lexuar. Kjo ka ndodhur pikërisht në shkurt të vitit 2018, pra, janë plot dy vite që po punojmë për daljen e tij.

Në këtë oqean te stërmadh, fillimisht ndihesh si një marinar që nuk di se cilin drejtim të marrësh, pa qenë në gjendje të përcaktosh nëse era që fryn në atë moment është e duhura apo jo, apo nga mund të të shtyjë. Por, jeta di si të na befasojë me kthesa të papritura duke na dhënë mundësinë të kuptojmë anën pozitive.

A mendoni se shkrimtarët tanë janë prezantuar me dinjitet para publikut dhe lexuesit botëror?

Shkrimtari më i njohur ndërkombëtarisht mbetet pa dyshim Ismail Kadare, i cili nuk është vetëm një nga autorët më të fuqishëm por gjithashtu një nga intelektualët tanë më të mëdhenj. Konsideruar si pasardhës letrar i Franz Kafkës, ai që me romanin e parë, “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” dhe me të tjerë që pasuan si: “Kronike në Gur”, ambjentuar në qytetin e Gjirokastrës, “Prilli i thyer” roman mbi gjakmarrjen dhe kanunin në zonat malore të Shqipërisë Veriore e shumë të tjerë të përkthyer në dhjetëra gjuhe të huaja, renditet në mënyrë te padiskutueshme si gjeniu i letersisë sonë më të lexuar në botë.

Të tjerë shkrimtarë të shquar shqiptarë jashtë kufinjve janë plot, por unë dëshiroj të përmend dy prej tyre, femra madje, duke bërë kështu një dallim gjinor. Poetja Luljeta Lleshanaku me veprat e saj, Homo Antarcticus, apo Fëmijët e natyrës, jo më kot ka fituar vëmendjen e lexuesit ndërkombetar duke konfirmuar talentin e saj krijues.

Më tej, Elvira Dones puna e së ciles është jashtëzakonisht e popullarizuar me faktet e padiskutueshme të jetës së Shqiperise në vazhdën e ndryshimeve. Sa më shumë mundohesh t’a ndjekësh këtë autore, aq më e pakapshme bëhet. Romanet e saj lenë gjurmë pasi vepra që sjell është plotësisht e fortifikuar. Pas një sërë suksesesh, Dones, prezantoi solemnisht përpara publikut ndërkombetar veprën “Burrneshat”, rrëfim i gjallë mbi dilemat dhe aspektin tradicional që i është dhënë femrave në veri të Shqipërisë, të cilat në një moment të jetës marrin rolin e mashkullit.  Eshte një rrëfim i papërmbajtshëm dhe i pamëshirshëm, i cili është dramatizuar dhe zhvendosur në film artistik. Autorë që kanë magjepsur lexuesin dhe rigjallëruar letërsinë tonë jo vetëm vetëm brenda kufinjve, vendi ynë fatmiresisht po propozon gjithnjë e më shumë, Prandaj, shkrimtarët shqiptarë po kalojnë kufijtë e shtëpisë sonë dhe plotësojnë interesin e tregjeve të huaja.

Unë mendoj se letërsia jonë vuan disa sëmundje që nuk e lënë atë të rritet dhe aq. Nëse po, kjo vjen nga difiçitet kulturologjike të autorëve tanë, nga leksiku i ngushtë që e mban letërsinë si këmishë force, nga mungesa e eksperiencave alternative që bota i ka kaluar, herë si shkolla të shkruari, herë si rryma, herë si tendenca letrare, ndërsa ne kemi mbetur akoma në monokronin e asaj letërsie prej dhe nga vijmë?

Ne, që nga mesjeta me dokumentet e para të gjuhes shqipe, e deri më sot kemi krijuar një fizionomi tonën me Marin Barletin i cili shkroi në latinisht dhe e botoi në Romë kryveprën që i dha emër “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”, pastaj me Filip Shirokën, poetin më të madh arbëresh dhe folkloristin Jeronim de Radën i cili tek “Këngët e Milosaos” mundohet të mposhtë paragjykimet me të gjitha format e tij; gjithashtu letërsia jonë është e pasur me trashëgiminë e Ndre Mjedës, Andon Zako Çajupit, vellezërit Frashëri, Asdrenit, Migjenit, etj për të mbërritur tek Ismail Kadare,  Petro Marko, Dritëro Agolli.

Keshtu që, në emër të kujtesës pohoj se nuk ka dyshim që ne vijmë nga një e kaluar ku roli i letërsisë dhe koha që i kushtohej me leximin e përditshëm, perceptohej si një nevojë e thellë dhe instrument edukues, pa harruar se shumë elementë kontaminues krijuan një kulturë imagjinare duke shkaktuar një krizë të thellë intelektuale dhe një shkëputje nga identiteti ynë. Këtij ekperimenti iu nënshtrua e gjithë filozofia jonë teksa letërsia shqiptare po kthehej pa dashje në një art cinik e të ftohtë.

Me vonë, është po aq e vërtetë që me ndryshimet e thella socio-ekonomike dhe trazirat në vend, është folur për një tjetër krizë identiteti të letërsisë shqiptare, për një humbje të përqendrimit dhe të prodhimit bashkëkohor, prandaj Shqipëria perfaqëson akoma një treg të ngushtë. Pastaj, përvoja është themelore, ka shumë për të mësuar dhe mbi të gjitha për t’u përmirësuar. Megjithatë, në valën e një rinovimi e evolimi të përgjithshëm letrar dhe rimëkëmbjes së mendimit, letërsia shqiptare po e gjen gradualisht fillin e humbur.

A mund të na thoni sado shkurt, një mendim tuajin për karakteristikat fondamentale të letërsisë italiane, dhe ku bashkohen, apo ku ndahen profilet letrare të autorëve më në zë italianë?

Lista e shkrimtarëve italianë që kanë ngritur lart vlerat e letërsise së kombit të tyre nga Dante deri në ditët tona është një hirarki e tërë. Pikërisht kryevepra epike e këtij te fundit, Komedia Hyjnore, e cila përfshin tre nivelet e jetës së krishterë pas vdekjes: purgator, parajsë dhe ferr, konsiderohet vepra më e madhe e letërsisë italiane, një vizion filozofik i fatit të përjetshëm të njerëzimit.

Ndërsa, Vita Nova, (Jeta e re) që ështe konsideruar si rrëfim autobiografik pasi në të manifestohet dashuria për Beatriçen, përbëhet nga dy pjesë: e para i kushtohet ekzaltimit dhe lumturisë së të dashurit në këtë jetë, ndërsa pjesa e dytë pershkruan ngushëllimin për vdekjen; këtë vepër e kam gjetur gjithmonë të një rëndësie të veçantë për filozofinë e saj.

Dante, babai i italishtes moderne citon:

“Ne mes te shtegetisë së kësaj jete

U gjeta në një pyll krejt errësi,

Se kisha humbë unë rrugën e vertetë.”

Megjithatë, çdo autor ka autenticitetin e vet, pasi letërsia italiane është piktoreske, shumëngjyreshe, një labirint. Nga emrat më të spikatur për mua mbetet Çesare Pavese dhe poezitë e frymëzuara nga përvojat e tij personale.

Nga ana tjetër gjejmë madhështinë e Umberto Ecos shkrimtar, kritik dhe eseist. Vepra më e famshme e tij, përveçse “Varrezat e Pragës” apo “Lavjerrësi i Foucault” mbetet padyshim “Emri i Trëndafilit” e cila jo vetëm shpalos talentin e papërshkrueshëm narrativ të shkrimtarit, por nxjerr në pah edhe njohuritë e tij mbi mesjetën, pasi është e abjentuar në fundin e vitit 1327.

Për të vazhduar më tej, kur them edhe poetja Alda Merini nuk gabohem.

Ja çfarë citon ajo në poezinë pikerisht me titull: “Nuk kam nevojë për para”,

Nuk kam nevojë për para. / Kam nevojë për ndjenja, / për fjalë, fjalë të zgjedhura me sqimë, / për lule të quajtura mendime!

Vargjet e saj janë tërësisht spontane, që dhurojnë një mesazh të përjetshëm deri në amshim, siç ndodh edhe tek poezia: “Ato si unë”.

Leitmotivi i cili i bashkon këta filozofë të penës italiane është mendimi estetik, se si fjala e gdhend mendimin. Ajo çfarë i ndan është këndvështrimi i ndryshëm në perceptimin e botës. Ndonëse në Itali letërsia është një kult, shekulli i ri ka ngjallur reflektime të pashmangshme mbi gjendjen aktuale te saj, ku synohet krijimi i një letërsie vërtetë autentike.

Edhe lista e shkrimtarëve nobelistë italianë është e gjatë, ndër ta mund të përmend Giosuè Carduçi, Grazia Deledda, Eugenio Montale, Salvatore Quasimodo, Luigi Pirandello e plot të tjerë.

Çfarë letërsie dhe cilat zhanre janë me të preferuarat e autorëve tanë jashtë kufinjve? Ata që tërheqin më shumë?

Kjo është pyetje shumë e gjërë dhe domethënëse, ndaj kam dashur të shkoj pak më larg se thjesht zhanret duke bëre një analizë, një hulumtim të paktën të pesë vjeç arittë fundit, ku përfshihen jo vetëm llojet por edhe titujt përkatës e më të ndjekur sot per sot. Mund të them se i ashtuquajturi trillim bashkëkohor mbizotëron ngado, është një ndër zhanret më të lexuar, dhe këtu nuk bëjnë përjashtim edhe autorët tanë.

Në Iitali, ky lloj perfaqësohet gjërësisht nga autorja Elena Ferrante, e cila me romanin manjetik “Mikesha gjeniale” ka tëehequr vëmëndjen e audiencës ndërsa në rang ndërkombëtar ka mbizoteruar për shumë kohë autori Markus Zusak, me veprën “Hajdutja e librave”, e cila është një vepër që unë personalisht e dashuroj. Dëshmitare të heshtura të kësaj vepre të goditur janë fjalitë: “I tha me zë të lartë dhe fjalët fluturuan brenda një dhome të mbushur me ajër të ftohtë dhe libra. Ngado libra! Muret ishin armatosur të gjithë me rafte të tejmbushur me libra”.

Hapësira tjetër i perket romancave roze, me në krye “Tatuisti i Aushvicit” nga Heather Morris. Një libër sa romantik po aq i vështirë,  bazuar në një histori të vërtetë, e cila tregon sesi as torturat nuk mund të ndajnë dy njerëz të bërë për njëri-tjetrin.

Tjetër zhanër është dhe Letërsia e verdhë. Këtu shfaqen autorë që kanë qenë të parët në renditje për vite me radhë, si Andrea Camilleri me të gjithe krijimtarinë e tij apo Agatha Christie dhe romani më i shitur i saj “Vrasje në Orient Express”.

Ajo ndiqet nga romanet historike, ku shumica janë ambjentuar në Mesjetë si për shembull “Mbreti i fundit” i Bernard Cornëell, gjithashtu ka vend të gjërë edhe për klasikët por ai që veçohet pasi çdo vit renditet në njëzet më të mirët, eshte “Princi i vogël” i Antoine de Saint Exupéry dhe në fund e gjithë linja Fantasy me në krye “Mbreti i unazave” nga J. R. R. Tolkien.

Bota e letërsisë nuk bën përjashtime kur jemi përballë një vepre të mirë. Edhe shkrimtarët dhe lexuesit tanë përfshihen në të gjitha nuancat e letërsisë botërore përpara një pune me vlerë.

Cili ishte libri apo autori që ndikoi më së shumti në jetën tuaj dhe pse?

Besoj se të gjithë kemi autorë të cilët nuk do i takojmë kurrë në jetën tonë e megjithatë në menyrë indirekte ata na kanë drejtuar dhe inkurajuar që të zbulojmë fjalën e shkruar, duke e parë atë në një tjetër perspektivë. Në situata dhe momente të ndryshme të ekzistencës tonë ndikohemi nga autorë të ndryshëm, çka lexojmë e përjetojmë lë shënja në një farë mënyre, megjithatë se cilët janë librat më të rëndësishëm dhe më me ndikim në historinë e letërsisë botërore është një operacion shumë i vështirë. Si lexuese ka shumë vepra të cilat i kam lexuar dhe dashur dhe pa dyshim qe kryeveprat e ëilliam Shakespeare, i cili shkroi tragjedi, komedi, drama historike dhe vepra poetike që u rezistojnë shekujve, mbeten të pakrahasueshme.

Tragjeditë si Othello, Jul Cesari apo monologu i Hamletit në të cilin shqiptohet fraza e famshme “Të jesh apo të mos jesh” karakterizojnë  një fenomen planetar te letërsisë dhe një thellësi të rrallë filozofike nga e cila vështirë të mos ndikohemi. Në stilin shekspirian gjejmë komedinë në tragjedi dhe tragjedinë në komedi, madje Frojdi e ka quajtur psikanalizën e tij nje ripërcaktim shkencor të personazheve. Një tjetër protagonist nga më të dashurit për mua nga letërsia botërore me emrin e të cilit janë të lidhur disa moto, është Miguel de Cervantes.

Tek Don Kishoti i Mançës, romani më i famshëm spanjoll, motoja “Lufto kundër mullinjve të erës!” që i referohet saktësisht një episodi të Don Kishotit në luftën kundër një kauze të humbur, apo motoja epike “Kush të do të bën të qash!” kanë kapërcyer shekujt për të arritur deri në ditët tona si një nga shtyllat e letërsisë boterore. Më tej akoma “Gjaku është i trashëguar, por virtyti është fituar!” eshte një perlë më vehte. Sikurse unë, mendoj se shumë lexues mbetën të lidhur me fjalet e tij të përjetshme.

Një ndikim tjeter tek unë ka pasur edhe vepra e Tolstoi. Ai është unik në stilin e tij të të shkruarit pasi i sjell gjërat realisht të qarta dhe të mprehta. Personazhet e tij luftojnë me probleme të ndryshme, me të cilat të gjithë ne ndeshemi në një pikë të jetës. Ai arrin të flasë me lexuesin për thellësinë e ndjenjave dhe mendimeve. Veprat e tij janë një pasqyrim i shpirtit të tij. Pavdekësinë në letërsinë boterore ia kanë garantuar figurat femërore, personazhet engjëllore të ndara midis ëndrrës për të gjetur dashurinë e vërtetë dhe konfliktit të vazhdueshëm me botën.

Kam lexuar “Lumturia e familjes”, kur isha 15 vjeçe. Nuk kisha lexuar kurrë një rrëfim ku personazhi kryesor, Masha në këtë rast, të vinte tërësisht aq e gjallë. Kishte magji në ato fjalë, dhe në atë histori, dhe kur e perfundova i thashë vehtes, unë do të kisha dashur të shkruaja një magji si kjo, gjë që është e pamundur.

Ju e dinit që herët se do të shkruanit në të ardhmen?

Në kohën kur isha shtatë apo tetë vjeçe shkruaja vjershat e mia të para, atëherë, me një lloj naiviteti të moshës dhe me idenë për të krijuar një botë të vogël timen. Me vonë i pata dedikuar një tekst shumë të gjatë babait tim, që sot fatkeqësisht nuk jeton më. Ai tekst sot nuk ekziston më, por asokohe pat hedhur shkëndijat e para të dyshimeve mes mësuesve që im atë ua pat prezantuar se unë në të ardhmen mund të merrja këtë rrugë. Në atë moshë isha e mahnitur nga mënyra sesi fjalët mund të të bëjnë të ndihesh, megjithatë nuk kam pretenduar të përfshihem në këtë botë, por gjithçka erdhi natyrshëm, deri tek Gjyqi i fundit, pasojë e një nevoje të thellë.

A keni ndonjë këshillë apo sugjerim për shkrimtarët e rinj që po hyjnë tashti në letërsi?

Nga eksperienca ime gjatë rrugëtimit me romanin e parë, kam mësuar se shkrimtar nuk mund të bëhesh aksidentalish. Nje shkrimtar e bëjnë idetë, pra, gjeni ide të mira. Në fillim, me siguri te gjithë nisen me ëndrrën e nje romani best seller, por është e gabuar, thjesht shkruani dhe mos mendoni për suksesin, madje as mos e prisni atë. Shkruani pa u ndalur, qoftë edhe gjëra të tmerrshme, të ciliat nuk do i lexoje askush në fund të ditës, por shkruani, intensivisht. Pas çdo suksesi ka dhe shumë dështime të mëdha, por këto dështime janë pishtari e fitores në të ardhmen. Zvarritja, frika, zhgënjimet apo vetëvlerësimi i ulët përpiqen të ua rrëmbejnë suksesin nga duart, mos i lejoni. Duhet shumë durim dhe mos u dorëzoni kurrë. Rrezikoni! Sa herë që falimentoni rifilloni më të fortë e më të vendosur. Pastaj, shikoni se çfarë ndodh.

Faleminderit Esmeralda

Faleminderit ju që më dhatë këtë mundësi komunikimi me publikun tim, të cilin e kam larg dhe më mungon shumë.

 


Etiketa:

Pas