Mapo Letrare

Jeta është një gjuhë e huaj, që të gjithë e shqiptojnë gabim














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 07:07 - 26/06/21 |
Mark Simoni

(Intervistë me shkrimtaren e njohur Eli Kanina)
Bashkëbisedoi Mark Simoni






Së pari shfrytëzoj rastin, t’iu falenderoj në mënyrë publike, për kontributin në Suplementin Letrar të gazetës sonë, duke mbajtur me shkrimet tuaja, për një periudhë të gjatë rubrikën e bukur, “Më kujtohen libra dhe autorë”. Essetë aq interesante, i mblodhët edhe në librin tuaj të suksesshëm “Fly with me”, ku kujtesa ndër vite iu ka dërguar në mesazhe rreth leximeve, librave dhe autorëve të preferuar. A mund të ndani me lexuesin tonë raportet tuaja të hershme me librin, kulturën, dëshirën e leximit?


Së pari ju falenderoj për vlerësimin me rubrikën e intervistës, ku janë nderuar shumë prej personaliteteve të artit, të kulturës, dhe letërsisë, dhe rasti më në fund e solli që përveçse mik, sot t’ju kem edhe gazetar intervistues!







Raportet e mija të para, nisin me rrëfimet e gjyshes, me këngët popullore të hallos, me serenatat me kitarë të kurshërinjve të mi. Lidhet me praninë e hershme të shumë prej librave të Dritëro Agollit në shtëpi, si një poet e shkrimtar nga Devolli i tim eti, dhe sidomos marrja nën zë prej babait tim, të shumë këngëve popullore, edhe pa sebep familjar, një motiv që më krijon ende një gjendje mallëngjyese dhe shfrenim imagjinate. Abonimi dhe leximi i revistave dhe gazetave letrare dhe ndjekja e shumë emisioneve kulturore në televizion, pjesmarrja në dasma dhe ceremoni me tradita etj.



Vjen më pas rregjistrimi në bibliotekën e shkollës e më pas të qytetit, aktivizimi në rrethin letrar, frymëzimi e inkurajimi prej profesor Koçi Petritit, kur takoheshin si korçarë me tim atë e bisedonin për gjithçka, apo inkurajimet e hartimeve të mia, sidomos ato në vargje, nga profesori i letërsisë Qazim Shehu. Aktivizimi në koncerte, në rrethin e teatrit më pas në shtëpinë e kulturës, por edhe në konferenca kombëtare letrare, takimi me poetët e shkrimtarët e preferuar bashkëkohorë, botimi i cikleve me poezi në gazetë dhe më pas vetbesimi i daljes si autore me një libër të parë “Gruaja dhe muret prej pasqyrash” nga shtëpia botuese Muzgu, ku vazhdova të botoj edhe të tjerët, me tregime e poezi, së fundi në 2020 edhe librin tim të tetë, librin e karantinës me poezi dhe rrëfime, “Pronare qiejsh”. Mirënjohje për inkurajimin pas çdo botimi, edhe ty miku im, për mbështetjen dhe vazhdimin!



Kam mbajtur vesh gjithçka përreth meje qysh nga fëmijëria, dhe kam ushqyer imagjinatën me gjithçka që përthithja nga leximet, aktivitetet, ngjarjet, eksperiencat, për mirë e për keq, për ta formëzuar më pas në temperaturën e vlimit shpirtëror, si një krijim letrar.

Ju tashmë jeni një autore jo vetëm e afirmuar, por dhe e konfirmuar si një nga emrat e spikatur të plejadës suaj, që kontribuoni në letërsinë e sotme. A mund të na jepni një këndvështrim, një panoramë të përgjithëshme mbi letërsinë që shkruhet sot këtu tek ne, me arritjet dhe defektet e saj?

Me humor do tu përgjigjesha me shkujdesjen e ushtarit të mirë Shvejk, me budallallëkun e tij inteligjent, se në këtë marrëzi kolektive “nuk dua t’ia di as çfarë bëj vetë, pale për të tjerët!”. Si pjesë e së tërës, jo vetëm që kam bindjet dhe qëndrimin tim, por edhe përpiqem të kontribuoj duke sjellë në vëmendje të bukurën dhe vlerën, në gjithçka që përcjell, si kur krijoj vetë, edhe kur përzgjedh të lexoj nga të tjerët.

ARRITJE: është e drejta e gjithkujt për të shkruar e botuar!

Ka një pafundësi botimesh me një larmi gjinish e stilesh të autorëve bashkëkohorë, që në pamundësi institucionale, koha do t’i seleksionojë sipas vlerave që përcjellin. (Atë që nuk e bën mendja, e bën koha!)

Duke filluar me librat autobiografikë, krahinorë dhe farefisnorë për bibliotekat personale, që nuk përbëjnë letërsi, por një fond botimesh, që ndoshta kanë efekte historike dhe bëhen burime studimorë në një kohë tjetër, pas shuarjes së emocioneve të ngjizjes.

Duke vazhduar me refleksione apo indicje të momentit, në prozë apo vargje, që stimulohen nga rrjetet sociale, por nuk do ta kapërcejnë dot kohën, për shkak të gjithë rrethanave të rastësishme që i nxjerrin në dritë, si vepra letrare, por të kombinuara aq keq, pa cilësi dhe shije, që nuk i çojnë dot më larg, se deri në botim apo me pluhurosjen në bibliotekë.

Dhe vjen letërsia e vërtetë, në prozë dhe poezi, plot origjinalitet dhe stil, që pavarsisht emrit të autorit (i njohur apo i panjohur, i ri apo i vjetër) pavarsisht se vjen me bujë apo në heshtje, të imponohet në lexim e të gdhendet në kujtesë për stilin dhe gjetjet, duke u renditur denjësisht në letërsinë e preferuar bashkëkohore, që të kuriozon dhe rend ta ndjekësh për çdo botim të ri. Letërsia e bukur të mban pas vetes, dhe asnjë kaos shoqëror dhe vlerash, nuk mundet ta zhbëjë vëmendjen ndaj këtyre librave.

Sigurisht edhe unë kam 10-15 autorë të parapëlqyer, që i ndjek dhe lexoj me kënaqësi por që nuk do të stigmatizoj me përmendje emrash, askënd që përpiqet sipas mënyrës së vet të shpërfaqet, pavarsisht sa ia arrin.

DEFEKTI: është vetëdija dhe vetëndjerja e poetit dhe shkrimtarit, që krijohet nga e drejta për botim! Kjo është fama e rremë që vjen përmes numrit të shumtë të botimeve, përmes vlerësimit të njëanshëm e të pamerituar me çmime, përmes paragjykimeve subjektive e gjykimeve sipërfaqësorë mbi autorë dhe libra, dhe sidomos me mungesën e filtrave kritikë, për të ndarë grurin nga krundet. Kjo mungesë selektiviteti qoftë nga Ministria e Kulturës, qoftë nga botuesit, i bën të ndihen, herë të gjithë grurë dhe herë të gjithë krunde, duke i demotivuar autorët.

A mendoni se poezia e lëvruar kaq shumë dhe me kaq emra, përbën argumentin se sasia sjell patjetër cilësi, apo mendoni të kundërten, mbi një inflacion të fjalës dhe të vargut?

Nëse do të kishte inflacion letrar, në dukje, do të na vinte për një arsye, nga një autor si Ismail Kadare. Duke jetuar në Epokën Kadare, askush nuk duhet të guxojë të krijojë më, sepse eklipsohet nga veprat e tij. Në pyllin e letërsisë bashkëkohore, shqiptare dhe botërore, Kalorësi Kadare që po trokon shekullin, mbetet ekualipti që u bën hije të gjithëve. Por nëse letërsia do të ndalej në emra të mëdhenj, edhe vetë Kadareja në të ri të tij do stopohej nga emrat e përveçëm të kohës, duke mos qenë ky që është sot.

Ndodh ndryshe në fakt, askush nuk stopohet, gjithkush shkruan e rrëfehet duke hulumtuar detajin sipas stilit të vet, pavarsisht sesa janë shkruar e thënë të gjitha, përpara tij. Sepse unë mendoj se gjithkush matet me veten, dhe nuk i mbetet veçse të perfeksionohet duke u ngjitur drejt majës së malit të vet, pavarsisht majave rreth e rrotull, që na shtojnë ambicjet, por nuk duhet të na humbasin origjinalitetin. Pra lëvrimi prej të gjithëve nuk e dëmton letërsinë, por vetëdija e të gjithëve sa shkruajnë e krijojnë, se janë poetë e shkrimtarë të shkëlqyer, po, kjo është denigruese. Prurja e shumtë krijon thellësi, rryma dhe temperatura të duhura për gjueti perlash, por vetë sasia nuk është domosdoshmërisht cilësi.

Për mua poezia e vërtetë mbetet ajo e pakta dhe e kristalta, si rrëkeja mbi shpat,që krijohet nga shkrirja e borës, apo edhe si burim i freskët plot shkulm që çan dheun, thellë nga thelbi i tokës, pastërtisht dhe duke bërë diferencë, përballë shpërthimit të sasisë së pusetave të shumta facebookjane, që kutërbojnë …herë mediokritet e herë plagjiaturë.

Gjithsesi, nëse buron natyrshëm, poezia e lëvruar bukur, i bën udhë vetes, duke thelluar shtratin, për të shkuar përpara në cilësi dhe përsosje.

Ju para ca ditësh u vlerësuat me një çmim shumë serioz. A mund të na flisni pak për këtë çmim, si dhe për çmimet e tjera që keni marrë, dhe a janë ato nukël energjie për të vazhduar akoma më me ambicje në letërsinë tuaj?

“Emocionet më të bukura jane ato që nuk di si t’i shpjegosh!” shkruan Charles Baudelaire. As unë nuk po shpjegoj më tepër, veç mirkuptimit të emocioneve të mia të bukura.

Kam marrë aq pak pjesë në konkurse, manifestime dhe festivale letrare, sa edhe çmimet i kam të pakta, por me vlerën e stacioneve, ripërtëritëse në jetën time letrare, ku unë e shpërfaq kënaqësinë dhe përgjegjësinë e vlerësimit, me një energji të bukur motivuese për vazhdimin. Jam vlerësuar në Tiranë, në Kërçovë, në Borås të Suedisë, në Fier, në Prishtinë, në Shkodër, në Korçë dhe së fundi Vendi i Parë në Gjakovë. Gjakova shënoi shumçka dhe mbetet një sfidë në letërsinë time. I falem veçanërisht nderit të kryetares së këtij Festivali, zonjës Mevlyde Mezini Saraçi, për ftesën dhe vlerësimin!

U jam mirënjohëse për vëmendjen dhe vlerësimin, të gjithëve që më kanë bërë nderin me ftesat e tyre në eventet e sipërpërmendura!

Çfarë do t’i thonit lexuesit mbi planet tuaja letrare për të ardhmen, çfarë evlemendi po përpunon agregati juaj krijues?

Jam vazhdimisht nën trysninë e poezisë, ndonjëherë më duket se edhe mendimet më vijnë në vargje apo në një frymë poetike. Kam nisur një novelë, për një ngjarje të frymëzuar nga një situatë në gjimnazin ku punoj si mjeke promocioni, ku mardhëniet mes vetë të rinjve, apo dhe prindërve, bëhen përcaktuese për drejtime të caktuara në jetë dhe ndryshime të paparashikuara. Po kështu një tufë tregimesh, ca gjysmake e ca skelete, të papërpunuara e plotësuar me detaje, më presin në një sirtar komedine prej kohësh.

Por nuk kam asnjë ngutje, asnjë afat, asnjë përfitim dhe asnjë presion për të botuar shpejt. Nuk kam thuajse asnjë projekt letrar konkret, por shumë angazhime profesionale, që më mbajnë larg letërsisë. Ndërsa profesioni i mjekes duket sikur më largon nga projektet letrare, në fakt më jep kohën që duhet për ta përpunuar një magmë krijuese, më jep materien e sfungjertë me të cilën unë përthith realitetin, teksa ngjyej penën për krijimet e mia.

Në leksikonët e letërsive botërore, jo rrallë hasen shkrimtarë që nuk vijnë nga shkencat shoqërore dhe letërsia, por janë diametralisht larg, nga fushat e shkencave ekzakte. Kalendari i letërsisë botërore është me shumë shkrimtarë mjekë. A keni menduar ndonjëherë se ju ndihmon mjeksia në letërsi apo thjeshtë shkencat ekzakte janë një sfond i mirë për gjërat ekzakte që i nevojiten letërsisë?

Ashtu si tek “I huaji” i Albert Kamy, dielli ishte përcaktues, ishte shkaku dhe pasoja, që vinte në dukje veprimet e mosveprimet e personazhit Morsoy, mendoj se fjala e përzgjedhur dhe e përcjellë me shpirt, është filli ndërlidhës mes mjekësisë dhe krijimtarisë time. Nga shpirti im, drejt çdo shpirti tjetër!

Profesionit tim të mjekes i duhet shpirti human, që si krijuese e shpërfaq në letërsinë time, po aq sa, si krijuese më duhet racionaliteti i fjalës, dhe ekzaktësia e mesazhit për të mos u përmbytur nga mediokriteti. Të dyja japin e marrin brenda meje, pa më kënaqur kurrë, edhe pse unifikohen në mënyrë organike për të më diktuar në krijim, me shprehje racionale dhe në gjykim human. Më ka pëlqyer vazhdimisht përcaktimi falenderues që më bëjnë, “mjeke dhe poete, që të shëron edhe me fjalë!”

Çfarë do t’i thonit lexuesve të kësaj interviste?

Sipas Cristopher Morley “Jeta është një gjuhë e huaj, që të gjithë e shqiptojnë gabim”.

– Mos u lodhni, ta mësoni përpikmërisht duke jetuar gjithçka, por ta shqiptoni siç duhet, duke shijuar çdo moment të jetës! – do t’ua këshilloja unë përzemërsisht, si një antistres të pamundësive dhe mungesave të shumta.

Së fundmi, sipas Volterit, për të gjykuar mbi përgjigjet, duhet të vlerësosh së pari pyetjet!

Ju faleminderit!

OK

1


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas