Fjalimet e nisjes. Kështu njihen në mbarë botën dhe e kanë një qëllim. Mbahen në ceremonitë e diplomimeve në universitet dhe një personazh i njohur u flet disa fjalë zemre studentëve, që do të nisin rrugën e tyre të vështirë të jetës.
Thuajse çdo psikolog dhe filozof e di se jeta që i pret studentët do jetë e mbushur me sfida. Për të përballuar barrën e saj, ndonjëherë fjalët janë shumë të rëndësishme.
Këtë traditë e ka vijuar edhe Universiteti Europian i Tiranës në ceremoninë e djeshme të diplomimit.
Presidenti i UET, Ardian Civici ishte i drejtpërdrejtë me studentët.
“Sot të fillosh një karrierë, të shkosh në një vend pune kërkohen të paktën 15-20 herë më shumë dije dhe njohuri se ç’kërkoheshin 2-3 dekada më parë. Dhe ndoshta në dhjetëvjeçarin që vjen, shpejtësia dhe niveli dhe lloji i dijeve që duhen do të rriten akoma më shumë. Sot nuk është një fund, por është thjesht një fillim. Për të gjithë ata që janë diplomuar duhet të jenë të kënaqur dhe të gëzuar që u diplomuan, por jeta dhe sfida tani fillon ndoshta edhe më e fortë se më përpara. Dhe pikërisht në përgjigje të saj, UET ne bëjmë përpjekje maksimale që studenti të mos jetë thjesht një student i mbushur me njohuri apo me informacion pro të jetë një studnet që di të reflektojë, që të ketë një iniciatvë që të mund ta krijojë vetë karrierën e tij, që të mund t’i përgjigjet gjithë këtyre sfidave më të cilat ndeshet”, tha Civici, duke perifrazuar kështu disa nga shqetësimet më të mëdha të botës moderne, që i gjen rregullisht në median ndërkombëtare, por shumë pak në atë shqiptare.
Pjesë nga fjalimet e famshme dhe frymëzuese
Mirush Kabashi në UET
Paçi një jetë dhe një karrierë sa më të gjatë e sa më të vështirë që do të thotë; mos kërkoni rrugët e shkurtra dhe të lehta. Mos shfrytëzoni mundësitë ekonomike apo klienteliste për të siguruar vende të pamerituara pune, mos bini në kurthin e partive politike për t’u ngatërruar brenda tyre dhe për hir të ndonjë kontributi të pamoralshëm dhe shpeshherë të paligjshëm të merrni poste të pamerituara dhe madje ndonjëherë të bëni karrierë, sepse shumë shpejt do ta gjeni veten që keni “fituar” ato, por do të keni humbur vetveten. Shumë shpejt do ta gjeni veten jashtë dhe do t’iu mbetet vetëm ndjesia e turpit.
Ndërtojeni jetën tuaj mbi bazën e një rruge të gjatë që do të formojë dinjitetin tuaj profesional dhe dinjitetin tuaj njerëzor, vetëm pasi t’i keni arritur këto të dyja atëherë pse jo të inkuadroheni dhe në politikë, kemi nevojë për njerëz, por të formuar. Ju keni një rrugë të gjatë. Sapo keni mbaruar shëtitjen dhe tani keni filluar garën tuaj e cila do të jetë e gjatë. Ju dilni nga pishinat dhe futeni në det, por në det do ta gjeni vet rrugën.
Spartak Ngjela në UET
Të gjithë e kanë të domosdoshëm profesionin për të fituar lirinë e tyre. Po duhet të dini se ju jetoni në një shtet borgjez. Nëse do të ishit në një shtet që ishte para 25 vitesh, tani do të kishte mbaruar gjithçka. Por për ju s’ka mbaruar. Do të përplaseni me karrierën, me paranë, me tregun dhe korrupsionin. Janë katër elementë që nuk u shpëton dot asnjë shtet i këtij sistemi. E mira është kjo: që të krijoni paranë nëpërmjet profesionit dhe personalitetin, nëpërmjet dijes.
Nuk ka personalitet tjetër përveç dijes. Po të ishit në luftë duhet të ishit ushtarë të mëdhenj, këtu duhet dije. Çfarë është ajo që dua t’ju kujtoj? Dija është lumë. Ajo merret me pika dhe jepet lumë. Ju e keni marrë me pika. Kam respekt për universitetin tuaj dhe ju e keni marrë formimin tuaj akademik.
Pesimizmi mund të jetë prezent sot te ju, por mundohuni që këtë pesimizëm ose këtë mos-siguri që të jep shoqëria aktuale ta ktheni në një motiv të brendshëm tuajin për të kapur atë e cila do t’ju bëjë që të ndiheni, në shoqëri, primarë. Në vazhdën e madhe të përplasjes tuaj, mos harroni që duhet të triumfoni. Kush nuk e ka këtë, nuk ecën dot. Jam i bindur se e keni, universiteti ua ka dhënë.
Koha do të punojë për ju!
Jimmy Reid – Glasgow University (1971)
Refuzoni presionet e fshehta në shoqëri, që do topisin mundësitë tuaja për çfarëdo që ndodh rreth jush, që do shkaktojnë heshtje përpara padrejtësisë, që të mos vini në rrezik mundësitë tuaja të promovimit dhe të përparimit. Kështu nis dhe para se ju ta mësoni ku jeni, do jeni bërë një anëtar i paguar i kutisë së minjve. Çmimi është shumë i lartë. Ai përfshin humbjen e dinjitetit dhe shpirtit të njeriut.
John F. Kennedy – American University (1963)
“[Masefield] nuk u referohet ndërtesave apo kampuseve. Ai admiroi bukurinë e mrekullueshme të një universiteti, sepse ai ishte, tha ai, një vend ku ata që e urrejnë injorancën mund të rropaten për të ditur; ku ata që perceptojnë të vërtetën mund të përpiqen që ta shohin të tjerët. Prandaj unë kam zgjedhur këtë herë të diskutoj një temë mbi të cilën shumë shpesh injoranca mbizotëron dhe e vërteta shumë rrallë perceptohet. Dhe kjo është tema më e rëndësishme mbi tokë: paqja.
Steve Jobs – Stanford University (2005)
Askush nuk dëshiron të vdesë. Edhe njerëzit që duan të shkojnë në qiell, nuk duan të shkojnë atje. Por përsëri vdekja është destinacioni që ne ndajmë të gjithë. Askush nuk i ka ikur asaj. Dhe kështu duhet të jetë, sepse Vdekja ka shumë mundësi të jetë shpikja e vetme më e mirë e Jetës. Ajo është agjentja e ndryshimit të jetës. Ajo largon të vjetrit për t’u hapur rrugë të rinjve. Tani të rinjtë jeni ju, por një ditë ju do bëheni të vjetrit që duhet të hapni rrugën. Më falni që jam kaq dramatik, por është plotësisht e vërtetë.
Toni Morrison – Wellesley College (2004)
Për sa i përket të ardhmes, unë do e kisha lënë timen në një tavolinë në një formë të tillë ‘e ardhmja është e jotja për ta marrë’. Ose që ajo është ‘çfarëdo që ti do e bësh atë’. Por fakti është që ajo nuk është jotja për ta marrë. Dhe nuk është as ajo që ti do e bësh. E ardhmja është gjithashtu çfarë të tjerët do e bëjnë atë, si njerëzit e tjerë do marrin pjesë në të dhe do ndikojnë përvojën tënde.
Joanne Kathleen Rowling, Harvard University (2008)
Sfidojeni veten dhe diljani mbanë në jetë. Mos hiqni dorë. Një ditë do t’ia dilni mbanë. Por nuk keni se si t’ia dilni mbanë, nëse hiqni dorë. Përpiquni dhe keni për të mësuar plot gjëra që nuk i dinit për veten tuaj. Do të mësoni se sa të zhvilluar e keni imagjinatën, se sa të fortë e keni vullnetin dhe se sa të madhe e keni dëshirën për të arritur më të mirën. Këto nuk janë fantazi. Këto janë rruga që juve do t’ju shtyjë drejt suksesit që dëshironi. Ju jeni më të mëdhenj se dështimet tuaja dhe më të fortë se vështirësitë tuaja. Nuk keni pse ecni në jetë si viktima. Ecni si modestë dhe kur të korrni sukses, ecni si fitimtarë. Por kujdes edhe nga krenaria, sepse kur ajo është e tepruar, ju rrëzon më shumë se dështimet.
Denzel Washington, Dillard University (2001)
Dua të të kujtoj se duhet të jesh falenderues për çdo gjë që ke. Kështu e jetoj unë jetën time. Kjo është arsyeja se pse unë jam ky që jam sot. Falendero Zotin për çdo gjë që ke në jetën tënde. Dëshira e madhe në zemrën tënde, ajo gjë që ju doni të bëni me veten tuaj, është prova më e madhe që Zoti të jep paraprakisht për të të bërë të kuptosh se ajo është jotja. Dhe ti mund të kesh çdo gjë të mirë që dëshiron. Puno fort që ta arrish. Kur e arrin, ktheje kokën mbrapsht dhe ndihmo dikë tjetër të ngrihet bashkë me ty. Njëri të na mësojë të gjithëve, dhe të gjithë të mësojmë njërin. Frymëzojini të tjerët të bëjnë ndryshime pozitive!/