Florian Marku është një nga sportistët shqiptarë të momentit, pasi me triumfet e tij ka ngjallur kureshtje si brenda, edhe jashtë vendit, ku kryen edhe aktivitetin e tij si kikboksier.
Është kampion ndërkombëtar në stilin e tij dhe në mbi 45 ndeshje të zhvilluara në kikboks dhe 5 në kategorinë UFC, 28-vjeçari i lindur në Lushnjë, por i formuar si sportist në Greqi, nuk njeh asnjë humbje.
Para një muaji, Florian Markut i mjaftoi vetëm 1 minutë e 50 sekonda për të mposhtur kundërshtarin anglez Muma Muimba, në sfidën e boksit të zhvilluar në Britaninë e Madhe.
Boksieri shqiptar e nisi menjëherë me vrull ndeshjen dhe vuri përpara kundërshtarin e tij me goditje të shpeshta. Marku e hodhi dy herë në tapet rivalin, por ai e vazhdoi dyluftimin. Shqiptari nuk u ndal dhe e rrëzoi për herë të tretë me një goditje të fortë.
Marku mori kështu fitoren e 7 në 7 ndeshje, duke u komentuar si një kampion i vërtetë. Por jeta dhe karriera e këtij sportisti i ngjan një skenari filmi.
Shpirti i tij rebel dhe luftarak ka bërë që Florian Marku të provojë edhe burgun, ku tregon edhe historitë e ndryshme që ka përjetuar gjatë kësaj eksperience.
Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, Marku tregoi vështirësitë e karrierës së tij, dëmtimet e deri tek ëndrrat e së ardhmes. Por, për të gjithë ata që njohin vetëm këtë anë të medaljes, në këtë artikull po ju zbulojmë anën tjetër të medaljes, atë të romantikut të lumtur.
Floriani është i fejuar me një vajzë të panjohur në publik, që quhet Eirini Konomi. Ai poston shpesh foto nga darkat dhe frekuentimet e vendeve të bukura me të fejuarën, duke ia shprehur dashurinë në publik me shumë delikatesë dhe fjalë të bukura.
Ndërsa Eirini e ka vendosur në biografinë e saj të “Instagram”-t faktin që është e fejuar me Florianin, dhe ka marrë unazë fejese prej tij. Ata duket se janë shumë të lumtur bashkë, e shijojnë lidhjen në maksimum dhe kanë plane të rëndësishme me njëritjetrin.