UET PRESS botoi dosjen e plotë të përndjekjes nga Sigurimi të Maks Velos
Nga Alda Bardhyli
I veshur me një xhaketë ku dallohen disa viza të bardha, bluzën e zezë, në portretin e djaloshit me ballin e lartë, tragjedia i është mbledhur grusht në qafë. Ky është portreti i Maks Velos, 33 vjeç, në foton e arrestimit më 1978-n, foto që e kemi zgjedhur për kopertinën e këtij libri. Në Shqipërinë e atyre viteve ai përfaqësonte artistin bashkëkohor, kultura e të cilit e bënte të ikte nga arti i socrealizmit e të dallonte lehtë format e reja në art. Ai ishte një formalist, i cili injoronte përmbajtjen e veprës, kapej kryesisht pas formës së saj e kërkonte të shihte një pikturë të pavarur. “Piktura nuk duhet të shpjegohet me fjalë, ajo nuk ka asgjë të përbashkët me letërsinë”, raportohet t’i shprehej në studio teksa shihnin tablotë, piktorit Edison Gjergo. Në auditorë si pedagog në Institutin e Lartë, studentëve u fliste për filozofë e artistë reaksionarë si Didëro, Pikaso apo Henri Mur, e pikturat e tij kishin një përmbajtje ndryshe nga ajo e pikturave që kërkonte metoda socialiste. Kjo shmangie e natyrshme që Velo kishte ndaj ideologjisë, duke treguar rezistencë e shfaqur ndikime të hapura ndaj artit modern e postmodern europian, pikërisht në vite ku ka pasur një represion ndaj artit 1960 ‒ 1978 lidhet me formimin e tij. Ai lindi në Paris në familjen e doktor Sotirit, i cili kishte mbaruar studimet për Mjekësi të Përgjithshme në Athinë dhe ishte specializuar për okulistikë në Francë. Nëna Ani Poro, ishte e bija e një emigranti nga fshati Dardhë (Korçë) me shtetësi amerikane. Familja Velo kthehet në Korçë, Shqipëri (1939) dhe Velo i ri kreu mësimet deri në vitin e dytë në gjimnazin “Raqi Qirinxhi”, duke qenë nxënës i piktorit Vangjush Mio. Tablotë impresioniste të Mios do të kenë krijuar tek ai përfytyrimin e parë për të bukurën që shfaqej në ngjyrat e akullta, ndërsa vetë Mio vizatoi brenda tij modelin e vërtetë të një artisti. Në librin Kohë antishenjë ai e kujton kështu profesorin: “Sa herë e shihja Mion në klasë ku na jepte mësim në Shtëpinë e Kulturës ku bënte skenat apo në rrugë, ish gjithmonë i heshtur, i përqendruar, i qetë. Në klasë rrinte në katedër si një figurë që nuk fliste kurrë. Kalonte mes rreshtave të bankave dhe vetëm na shikonte fletët ku vizatonim dhe modelin që kishim larg mbi katedër. Pastaj ulej në katedër dhe heshtte. Personi i tij ish shumë figurativ, me fytyrën e rrumbullakët, flokët e lëpirë dhe llullën në gojë. Ishte njeriu më i heshtur i Korçës, me një edukatë kristiane dhe kulturë europiane. Në teatër përgatiste skenat. Vishte një bluzë të bardhë që nuk e hiqte nga trupi dhe përziente ngjyrat në disa kova. Atë punë e bëri disa vjet për të jetuar; ndihej i vërtetë kur merrte kavaletin dhe shkonte fushave. Dy herë e kam parë duke punuar në natyrë, njëherë në rrugicat e Korçës dhe nga Shën Triadha. Qëndrova dhe po e shihja. Ishte i qetë dhe gjatë punës nuk e kthente kokën, vazhdonte të thithte llullën dhe të përziente ngjyrat me penel, pastaj i vendoste në telajo”. Gjithë qenia e Mios vibronte një përqendrim dhe lirshmëri njëkohësisht.
Velo arrinte të shihte lumturinë në qenien e Mios, e cila, bashkë me një feksje të jashtëzakonshme me të cilën shfaqej, nguliti thellë tek ai modelin e artistit, që në një mënyrë apo një tjetër ai e ndoqi gjatë gjithë jetës.
Zhvendosja e familjes në Tiranë, gjimnazi “Qemal Stafa” (1952), studimet në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit-Arkitekturës … puna më pas si arkitekt në byronë e projektimit të Komitetit Ekzekutiv të kryeqytetit, vetë atmosfera ndrydhëse e komunizmit, nuk mundën të ngushtonin tek ai hapësirat e kërkimit ndaj artit. Vetë jeta e Velos, e një artisti antikonformist në Shqipërinë e Enver Hoxhës, kërkon një libër më vete.
Në shkurt të vitit 2018 e kishim lënë të takoheshim në një nga kafenetë pranë shtëpisë së tij te “9-katëshet”. Kishte vetëm pak javë që Mapo Edition kishte nxjerrë në librari librin e tij me tregime nga burgu Përkthyesi. Portreti i tij nuk e fshihte shqetësimin që i dallohej për së largu. Në gati një dekadë që e njihja damari i kaltër në dorë nuk i kishte vezulluar kurrë më parë ashtu. “Nuk mund ta besoj!”, përsëriste. Autoriteti për Informim për Dosjet e së Kaluarës i kishte dorëzuar dosjen sekrete të tij, sipas një kërkese zyrtare të Maksit për t’u njohur me të. Fletët e bardha ku shkrimi kishte mundur të ishte ende i pastër e kishin bërë të jetonte ndoshta goditjen më të madhe pas burgut.
E kishte lexuar e rilexuar dosjen gjithë këto ditë duke risjellë në mendje ngjarje e njerëz që kujtesa i kishte lënë diku, për të ndier atë zemërimin që nuk mund ta ndalësh teksa kishte parë emra miqsh apo të njohurish që kishin deponuar kundër tij. Sigurisht që ai mëngjes nuk mund të kishte bisedë tjetër veçse emra që më vonë do t’i hasja vetë teksa njihesha me këtë dosje.
Të gjithë kemi dy jetë. Jetën që mendojmë se kemi dhe atë që na shohin të tjerët. Kjo dosje është jeta tjetër e Velos, sipas Sigurimit të Shtetit. Një jetë paralele me jetën që bënte në shtëpinë në rrugën “Hoxha Tahsim” te Lidhja e Shkrimtarëve apo teksa merrte autobusin për në Ndroq.
Publikimi i plotë i dosjes nga UET PRESS së Velos është ndoshta biografia më e mirë që ai do të ketë ndonjëherë, realizuar nga ata që kërkonin ekzekutimin e tij. Nga dokumenti i parë deri tek i fundit (106), ju do të shihni ngjarje e njerëz që bënë jo vetëm historinë e jetës së Velos, por dhe historinë e artit shqiptar nën komunizëm. Pjesa më e madhe e denoncuesve të tij janë artistë, emra që kanë shënjuar artin e socrealizmit, apo që ende i lexojmë si historia e artit tonë. Dosje që lexohen si një libër triller duke na shpalosur si në një film bardhë e zi Shqipërinë komuniste, aparatin e survejimit, i cili nuk hezitonte të hynte deri në shtëpi. Nga një faqe në tjetër ju mund të shihni sesi eliminohet një artist, me një tjetër lloj vrasjeje që është më e rënda, e dhemb më shumë. Në asnjë pikturë surrealiste që në atë kohë përpiqej t’i gjente në librat e ndaluara që i merrte në Bibliotekën Kombëtare Maks Velo nuk mund të ketë parë surrealizmin që gjendet në dosjen e tij. E gjithë skena e artit shqiptar gjatë diktaturës nuk është gjë tjetër veçse një shpikje e komunizmit për t’i shërbyer atij. Këto raporte tregojnë qëndresën e një artisti ndaj ideologjisë së kohës dhe sesi mund ta ruash moralin edhe në kushtet e një represioni totalitar. Rasti Velo është një ndër rastet që e lartëson kulturën shqiptare, e cila në kushtet e një prej diktaturave më të egra arriti të prodhonte një artist të këtij profili.
Debati mbi rolin e arteve dhe kulturës gjatë komunizmit është një nga debatet më delikate që dhe vende të tjera ish-komuniste e bënë në fund.
Vetë Francës do t’i duhej kohë të pranonte që gruaja e bukur e Aragonit, që shkruante romanca dashurie i kishte “tradhtuar” duke bashkëpunuar me rusët. Për më shumë se gjysmë shekulli emri i të shoqit, vetë letërsia që ajo shkroi do t’i krijonin një lloj aureole mbrojtëse, por nuk mund të ndalonin dot hapjen e dosjeve ku prej vitesh ruhej emri i saj. Vetë Aragon me intuitën e një shkrimtari e kishte ndier që ajo mund të ishte e shërbimeve sekrete. Por në fund ai iu dorëzua dashurisë duke u martuar me të.
Rasti Triolet duket se do të sjellë të njëjtën tronditje për shoqërinë shqiptare, kur të njihen me emrat e artistëve që kanë firmosur raportimet ndaj Velos. A jemi ne të përgatitur për të pasur qëndrimin tonë midis artit që ata kanë lënë pas dhe kohës? A duhet ta gjykojmë Llambi Blidon teksa shohim koleksionin e tablove të tij në arkivin e Galerisë Kombëtare të Arteve, ku në fytyrën e mendueshme të vajzës që ai ka pikturuar shndrijnë flokët e artë? A duhet ta heqim këtë pikturë nga këtu, ta zhdukim, teksa lexojmë se ka pjesën më të madhe të denoncimeve ndaj Velos? Apo Edison Gjergon teksa pranon në hetuesi se ka biseduar me Maksin për pikturat moderne …
Franca nuk i grisi librat e Triolet, e njëjta gjë ka ndodhur me librat e shkrimtarëve rusë që u bashkuan në anën e Stalinit. Botimi i kësaj dosjeje është hapi i parë drejt një debati të hapur publik të vonuar për një lloj katarsisi të nevojshëm që duhet të nisë pikërisht nga kultura.
Krijimtaria e Velos piktor ndahet në dy periudha: atë nga fillimet deri në vitet 1978 (kur i sekuestrohen dhe digjen nga policia me vendim gjykate 249 vepra të ndryshme arti) dhe periudhën pas viteve ’90, që është më e pasura për sa i përket krijimtarisë jo vetëm në pikturë, por edhe letërsi, studime e skulptura. Periudha e parë fatkeqësisht nuk njihet, për shkak të eliminimit fizik të veprave të cilësuara nga pushteti komunist i kohës si “dekadente”, “me ndikime të artit perëndimor”, vepra të cilat u bënë dhe aktakuza kryesore e dënimit të Velos me 10 vjet heqje lirie. Në këtë libër ne kemi bashkangjitur disa nga fotot e veprave të fotografuara në hetuesi, më pas të djegura në kaldajën e Gjykatës së Tiranës nga Ruko Sako, me urdhër të kryetarit të gjykatës, Viktor Konomi. Nga ky koleksion kanë shpëtuar disa vepra që artisti ia pat dhuruar mikes së tij franceze, Odile Daniel dhe një vepër e ruajtur në familjen Kadare. Bëhet fjalë për veprën “Vallja labe” që çifti Kadare e vendosi në dhomën e gjumit për ta ruajtur për gati 20 vjet. Vetë Kadare e shihte këtë vepër si të bukur e dramatike, duke parë aty reflektimin e një bukurie që arrinte të sfidonte dhe frikën e një bastisjeje që mund t’ia behte nga momenti në moment. Ky është një rast unikal në historinë e vendeve ish-komuniste, kur një shkrimtar mbron një artist duke i strehuar veprën në shtëpinë e tij. “Ndonjëherë mendoja në duhet t’ia ndryshoja emrin, pasi do të ishte më e lehtë për ta ruajtur dhe emri i tij Velo mezi dallohej”, do të kujtonte Kadare kohë më parë teksa e pyeta për këtë histori.
Maks Velo u arrestua në vitin 1978 kur ishte vetëm 43 vjeç. Në foton e ditës së fundit në qeli, 10 vjet më vonë (1986), portreti i tij vazhdon ta ruajë feksjen e një kureshtjeje që nuk kishte mundur të shuhej. Kishte qenë më e fortë se burgu, e kjo ishte dëshira për artin.