SHKRETETIRA E ÇUDITSHME
Një re në qiellin e trishtimit
Nuk do të sjellë kurrë shi
Shkretëtira të reja po lindin
Në trup e shpirt!
Saharaja do të ngjajë si vjeshtë
E viseve magjike të lindjes,
Kur ti udhëtar i çmendur të ndiesh
Përvelimin tim të shkretetirës!
Ti kurrë nuk do të shohesh një gamile
Përmasave të shkretëtirës së re
Nje faunë tjetër është shpikur
Pa emra latinë, ende!
Eksplorues të fantaksur, të çmendur
Më kot do t’i bien shkretëtires përqark
Pa gjetur ende asnje emer
As bimë as ujë e as kafshë!
DERË E VJETER
Derë e vjetër e shtëpisë prindërore
Derë e vjetër druri…
Miliona trokitje gishtërinjësh mbi ty
Sa here u kthyem përmallur…
Habitem
Si nuk u shndërrove
Në piano!
NOSTALGJI E RRUGËS SË VJETER
Në rrugën time të fëmijërise
Pa mëshirë
Hodhën asfalt.
Gjurmët e vogla mbi pluhur
Humbën
Lojërat u mbyten
Horizontet u mbyllën
Bota u shua.
Thellë dheut
Fëmijëria
Qan
Për mua!
ARIFI I VOGËL
Në fshatin e bukur buzë lumit
Qëndisur gjithandej, me pyje e ara
Arifi i vogël nuk është i lumtur
Atij i mungojnë moshatarët
Arfi i vogël, në shkollën e fshatit
Mëson librin e parë, abetaren
Me të njëjtën mësuese që u mëson kiminë
Fëmijëve të mbetur të fshatarëve
Shkolla e fshatit, gjithsej ka
Njëqind e pesëdhjete tavolina e karrige
Por veç trembëdhjetë është numri i nxënësve
Në shkollën pa gumëzhitje
Arifi i vogël nuk ka me kë të luajë
Pasditeve, deri në muzg vonë
I mungojnë lodrat, e gjithçka tjetër
Njësoj, siç moshatarët, i mungojnë
Arifi i vogël, një fëmijë fatkeq
Endet, vetmuar, rrugeve të fshatit
Pa, moshatarë, pa lodra, pa gaz në buzë
Me të ardhmen, dorëzuar fatit
Kur Djali i vogël të jetë rritur
Në fshatin bosh me banorë të ikur
Ne do të na vijë të gjithëve turp
Që dikur e lamë vetëm Arifin!
SHQIPËRIA IME
Shqipëri, tokë e diellit
Shtrat i ullinjve të moçëm, lumenjve, maleve
Liqeneve kristal,
Ndjesë, tek ec mbi ty
Mos të lëndova
Më fal!
Ah, Shqipëri e dhembsur
Shtrat i fushave pafund
Kodrinave plot lule
tek ec mbi ty
Gjithe ndjese
Përkulem!
Shqipëria ime, shtrat dashurish
gëzimesh, klithmash
Brengash pafund
Secilin nga bijtë e tu
Pa kërkuar asgje
E perkund!
Shqipëri, tokë e zotit,
Shtrat i të parëve
Përse po ikin njerëzit, varg
turravrap, nxituar
Pa ndjesë
E falje!
Shqipëria ime, tokë e diellit
Plagosur dhe ringritur
Himnizuar dhe tallur
Nënë krenare fëmijesh
Të kemi rënduar
Na ke falur!
Shqipëri, tokë e bekuar
Shtrat i Alpeve, Eposit
Naltësive, stolisur me pyje
Unë biri yt,
mbi supet e tua
Qëndis yje!
MËSIM PREJ NJE BURRRI TË MOÇEM
NË PEJË
Vllau jem që jeton n’Kosovë
Sa herë t’kam pyet, a t’dhemb prapë plaga e vjetër
Që e fsheh poshtë një këmishe të bardhë!
Si s’ndale tu m’rrejtë
Se je mirë
Dhe asnjëherë s’të ka plagos shkjau!
Vllau jem që qesh
Me pyetjen time
Kur fjala vjen te plaga e luftës ne Deçan
Ma thuaj t’drejtën e zotit
A t’dhemb ma ajo plagë
Sidomos, kur ndrron moti!
Asnjëherë s’ma ke thanë
Tash njizet vjet, veç ke lujt me mua
Vllaun tand
Që e rren sa herë don me ditë
Për ty
E me t’ndie zanin!
….
Kam pyet një burrë të moçëm ne Pejë
E m’ka thanë
Se për kosovën
Nuk asht lavdi me u plagos
Por me vdekë!
Pra, mos pyet ma
Se prapë
Kanë me të qeshë!
DIKUR KEPUTA NJE MOLLË
Ende e ndiej
Zhurmën e hapave të çartur të rojes
Tek më ndiqte
Me një shkop të stërmadh në dorë
Kur në pemëtoren në anë të Drinit
Unë fëmija,
Këputa një mollë.
Frymëmarrjen time,
Hapat e shpejtë
E thirrjet gulçuese të rojes
Për të mos e kafshuar mollën
Ende i ndiej!
Këputa njëherë
Në kopështin e ndaluar në Buzëdrin
Rrëmbimthi një mollë
Qe bëhej më e kuqe dhe ëmbël
Nga tërbimi i rojes!
Tash, kohët kanë rrjedhur
Bota ka marrë tjetër formë
Por, rojet me hapa të çmendur, janë po ata
Si atëherë kur këputa një mollë!
LIRIA
Liria është reja e bardhë në qiell
Që bëhet shi
Vetëm kur do ajo
Për të shuar etjen e pemëve, zogjve, kafshëve…
Kujdes
Babëzia njerëzore përjashtohet
Nuk është etje!
Liria është tek rendja e kafshëve në savanë
Në kërkim të ujit e barit
Para se ato të përfundojnë në kopshtin zoologjik
Ku për të parë kafshë të robëruara
Duhet të paguash taksë!
Liria është gjithnjë në arrati
Larg marrëzisë kolektive dhe turmave urbane
Ajo nuk ankorohet e as lidhet pas molit
Me zinxhirë të rëndë
Me po aq lehtësi
Sa ç’lidhim një anije të madhe.
Liria është gjithkund, ku ne shohim
Pa frikën se na kanë shënuar si rrebelë
Që nuk veshëm asnjëherë kostum
E se asnjëherë nuk vizituam
Dyqanin me kravatat e fundit.
Liria është klithma e foshnjës së sapolindur
Që asnjë çast s’mund të kuptojë
Se sapo përjetoi
Kulmin e lirisë së saj
Në jetë!
Liria është gjithçka që ende nuk e kemi mësuar!
Kënga që nuk është kënduar akoma
Ëndërra e mbetur pezull
Duke parë retë!
ANA
E bukur eshte Ana, sy blu, shtathedhur
Nuk ka Iphone, makine te shtrenjte dhe varëse ari
Krevati i Anës, eshte i vjeter
Tavolina e drekes lekundet
Por Ana, ka lule ne oborrin e saj!
E bukur eshte Ana, sy blu, shtathedhur
Nuk shkon në “schiuma party” në Jalë, nuk pi duhan
Shtepia e saj fut ujë
Kur shiu, rrembyeshem godet çatine
Por Ana ka libra ne shtëpine e saj!
E bukur është Ana, sy blu, shtathedhur
Nuk ka qenush që e lidh pas vetes
Nuk del të dielen tek blloku i zhurmshem
Nuk ka minifund, tanga e buzekuq firmato
Por Ana ka plot ëndërra!
E bukur është Ana me lulet e saj dhe librat
E bukur është Ana me ëndërrat e pavrara
Nga makina e shtrenjte, Iphone, duhani dhe Jala
Me kot shikoni te Blloku
Aty, s’është Ana!