Mapo Letrare

Jonuz Dini, shkrimtari i të vërtetave jetësore (Ese)





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 13:02 - 16/05/20 |
Nga  Xhahid Bushati

Në rrjedhën e viteve të jetës sime njoha dhe shkrimtarin Jonuz Dini. Takimet e bisedat me të qenë të shumta, veçanërisht në lokalin e “Lidhjes së Shkrimtarëve”., që ishte dikur, në rrugëzën e majtë, sot, të pedonales. Nuk mund të harroj seriozitetin e humorin e tij, sytë e vëmendshëm dhe mirësinë e tij.


Mendoj se, shkrimtari Jonuz Dini (1925 – 1982) i takon asaj kategorie krijuesish që, pa zhurmë e pa fjalë të bujshme, por në vetëdijen e tij krijuese ishin dhe u plazmuan thekshëm, tipare, si: vullneti, këmbëngulja, durimi, pasioni dhe talenti. Të gjitha këto reflektuan dukshëm në procesin e krijimtarisë letrare, në gjinitë që lëvroj me sukses. Dhe unë do të ndalem në disa vepra të tij, të cilat i njoh dhe kam plot shënime. Këto vepra paraqesin interes për pasqyrimin real të jetës.


Ndodhitë që rrëfehen ruajnë “shenja” vitesh dhe kohe të caktuara me problematikat e kontradiktat e tyre. Dhimbja, tragjizmi dhe dinjiteti janë tre elemente që përbëjnë tharmin e krijimtarisë së shkrimtarit Jonuz Dini. Mendoj, se ky është ‘pikëzimi’ i tij. Ai ‘pikëzim’ ruan në subtancën e tij si mjeshtëri artistike, veçanërisht romanin për të rinj të titulluar “Rritja” (Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë, 1974). Pra, “Rritja” është një rritje profesionale e shkrimtarit në rrugën e letërsisë shqipe. E gjeti dhe e pasqyroi veten aty, në atë tekst shkrimor. Ky roman, që fitoi dhe çmim në një konkurs kombëtar, është një faqe e trazuar e gjithë shqetësimeve të fëmijërisë së shkrimtarit dhe e artistit, shqetësime që do të ndikojnë në realizmin dhe vërtetësinë jetësore, të cilat do të pasqyrohen në mënyrë dramatike në prozën e shkrimtarit.


Fokusi i ngjarjeve është jeta në qytetin e Shkodrës gjatë periudhës së regjimit të Ahmet Zogut dhe të pragut të pushtimit italian. Ndeshemi herë pas here me plot skena dhe tablo të gjera dhe të realizuara artistikisht. Në këtë vazhdë të pasqyrimit të skenave, mbetet interesante dhënia e botës dhe e jetës së Pazarit të vjetër të Shkodrës. Shquhen detaje dhe informacione kohore që i mbartin dhe i zhvillojnë personazhet, ku shpërfaqen: mendësitë, zakonet, risitë, psikologjitë, arkaizmi e shtresëzimi i kulturave. Shumë këndvështrime dhe tablo të këtij romani, me plot nuanca të tij, i gjejmë si stafetë, aty-këtu, të pasqyruara në librin me tregime “Karabina” (Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë, 1972), e romani “Ndeshja” (Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë, 1973). Po të vërehen më imtësisht këto dy vepra, themi se rrëfimtari (këtu, autori) është një tregimtar e romancier i gjallë, i jep jetë veprës,  një bashkëbisedues i fuqishëm, që të mbërthen në vend dhe të bën për vete me koloritin e fjalës dhe fuqinë e mendimit.


Në jetën e shkrimtarit Jonuz Dini, shënohen edhe 12 vite në teatrin e kukullave. Në premierat për fëmijët ishte po ai Jonuz, gjithë shqetësim e kujdes, gjithë emocione e mendime që ishim mësuar ta shihnim në premierat e teatrit “Migjeni”, ku interpretoi dhe skaliti shumë personazhe. Si regjisor dhe autor pjesësh në teatrin e kukullave ndikoi me punën e tij edhe për ta çliruar këtë skenë të dashur të fëmijëve nga një farë arkaizmi e tradicionalizmi i pavend, që vihej re në fillim e për ta kthyer këtë institucion artistik në një vatër artdashëse për fëmijët. Si në krijimet për skenën, si në veprat e tjera (të cilat i përmenda më lart), ndër të cilat, theksoj, shquhet romani “Ndeshja”, ku autori me stilin, ligjërimin dhe artin e tij iu afrua mjaft mirë botës së fëmijëve dhe qe një krijues që diti të komunikojë me to. Nuk e di pse, shumë skena dhe dialogë të personazheve në këtë roman më kujtojnë (pa plagjiaturë) momentet e bukura e mbresëlënëse të romanit “Djemtë e rrugës Pal” të F. Molnar.

Në jetën e shkrimtarit Jonuz Dini është dhe një “arkiv” brenda arkivit të teatrit “Migjeni”, që edhe në heshtje flet e rrëfen… Ai na thotë se, Jonuzi ishte një ndër aktorët më me përvojë që interpretoi dhe u dha jetë shumë personazheve në skenën e teatrit “Migjeni” të qytetit të Shkodrës. Në jetën e tij skenike, ai ishte dhe regjisor. Si i tillë, ne po ndalemi te drama “Pushkët e nënës Karar” të Brehtit. Vënia në skenë dëshmoi një punë plot pasion e ngulmim. Sepse teatri ishte një ndër “dashuritë” e veçanta të tij. Si aktor e si regjisor ishte i prirur drejt cilësisë dhe rritjes së nivelit artistik të vetvetes dhe të dramës që përzgjidhte për ta vënë në skenë. Po flasim përsëri për dramën “Pushkët e nënës Karar”. Për ta vënë në skenë bëri një punë të lodhshme përgatitore për të njohur sa më në thellësi jo vetëm këtë dramë po edhe një pjesë të mirë të krijimtarise së B. Brehtit, si dhe vlerësimet e mendimet rreth saj. Për këtë gjë kërkoi ai edhe nga aktorët që interpretuan atë pjesë. Platforma regjisoriale që hartoi për këtë dramë është një shembull i mirë lidhur me konceptimin e saj me kulturë dhe diapason të gjerë. “Kur vura Brehtin në skenë, – tregonte ai, – s’kisha shumë përvojë regjisoriale, po Brehti m’u imponua me gjithë fuqinë e tij e unë nuk e lëshova nga dora.”

Një tipar i krijimtarisë së shkrimtarit Jonuz Dini është se, disa nga veprat e tij kanë si element të zhvillimit dhe konceptimit strukturur e kompozicional, ditarin. Edhe në këto dy vepra (për të cilat do të flas, dhe që i përkasin letërsisë për të rinj), po ashtu si në veprat e tjera të larpërmendura, shkrimtari Jonuz Dini komunikoi me jetën, si krijues e si personazh, në të shumtën e rasteve i njëjtësuar. Vepra “Ditar pa data” ka karakter autobiografik. Në këtë vepër, që është ndër botimet e hershme të autorit, spikat realizmi dhe vërtetësia, spikat mënyra e të shkruarit thjesht, shtruar dhe pa stërhollime. Të bie në sy, teksa lexon tekstin) aftësia e shkrimtarit për të dhënë koloritin e kohës, kontradiktat e saj përmes vizatimeve të personazheve. I përshkruan ata me ngjyra të gjalla, në situata reale e me reflekse të dramaticitetit të kohës. Do të thoja se, dramatika e kohës ka një komunikim të drejtpërdrejtë me dramatikën e personazhit.

Edhe në romanin “Elira” që e botoi në vitin 1978, shkrimtari Jonuz Dini, për vlerat që solli në këtë vepër tregoi një hap përpara në rrugën e mjeshtërisë artistike si romancier. Në këtë vepër shkrimtari gërshetoi teknikën e të treguarit të drejtpërdrejt me formën e ditarit.

Një tipar tjetër i shkrimtarisë së autorit, dhe këtu e kemi fjalën për dy vepra e fundit të autorit, “Kështjella mbi Barbanë” (Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë, 1980) dhe “Shpatë e dashuri” (Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë, 1983). Ndryshe nga veprat e mëparshme, për këto dy romane komunikimi paraprak me to ishte i veçantë dhe i ndryshëm. Autori gërmoi, hulumtoi e studioi shumë dokumente të kohës dhe libra të botuar në gjuhë të huaj që flisnin për ato kohëra, ku dhe autori do të zhvillonte ngjarjet e hershme në veprat e tij. Kjo ishte dhe arsyeja se ai gjallërohej, kur tregonte për lashtësinë e popullit shqiptar, për kontributin në lëmin e kulturës dhe të arteve, për heroizmin në shekuj. Shkrimtari Dini tregonte një interes të veçantë, kur fliste për autoktoninë e popullit tonë dhe “e mbronte atë me një logjikë të fortë dhe referime serioze”, – kështu do të thoshte në një shkrim të tij, miku më i ngushtë i Jonuzit, shkrimtari Skënder Drini. Elementi autokton është bazal për të dy romanet dhe rrezaton fuqishëm në çdo ind të secilës vepër. Falë frytit të këtyre studimeve dhe hulumtimeve, që i përmenda edhe më lart, kanë gjetur realizim “Kështjella mbi Barbanë” dhe romani i përgatitur për botim “Shpatë e dashuri”.

“Kështjella mbi Barbanë” bën fjalë për pushtimin romak të Ilirisë. Lajtmotivi i veprës është qendra ndaj pushtuesit. Është një vepër që ofron në fokusin tonë këtë periudhë të hershme të paraardhësve tanë. Heroizmi, bashkimi i popullit, atdhedashuria, respekti për të kaluarën e lavdishme dhe evokimi i saj janë cilësi të romanit. Me të drejtë kritika letrare e cilëson romanin “Kështjella mbi Barbanë”, jo vetëm një nga krijimet më të mira të autorit, por me thekse të shumta vlerash artistike. Ndërsa romani “Shpatë e dashuri” i vendos ngjarjet në shekujt XII-XIII. Është fjala për pushtimin tonë nga sllavët. E theksova më sipër, veçanërisht për këtë vepër koëzgjatja për grumbullimin e materialeve të nevojshme ishte më e gjatë. Kur kthehej në shtëpi nga punë disaorëshe, shkrimtari ishte entuziast në kërkimet e tij e të gjetjes së dokumenteve që do të ishin lënda e romanit të ardhshëm.

Shkrimtari Jonuz Dini, me krijimtarinë e tij që na la, e ka një vendndodhje në historikun e letrave shqipe. Për vlerat e kësaj krijimtarie, është detyrë e kritikëve dhe studiuesve t’i evidentojnë dhe ta thonë fjalën e tyre, jo vetëm për veprat që përmenda në shkrimin tim, por edhe për veprat “Unaza” (novelë, Sh. B. “Naim Frashëri, Tiranë, 1965), “Dy dasma” (roman, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë, 1977), etj.

 

 


Etiketa:

Pas