Jovan Nikolaidis: Nga Tirana me dashuri

Jovan-NikolaidisGjatë një muaji qëndrim në rezidencën e shkrimtarëve dhe përkthyesve letrarë në kryeqytet, poeti dhe prozatori malazez ka nisur të shkruajë romanin që rrëfen rrënjët e tij shqiptare dhe esenë “Tirana forever”, ku bën bashkë kontrastet e një qyteti dinamik, tek i cili kthehet gjithmonë me dashuri…

Nga Suadela Balliu



 

“Ulqini asht’ qyteti ku jam lè, kam pasë shumë dashuri e shumë kam shkrujt’ për Ulqinin. Ulqini asht’ bukuria e Mediteranit, qytet njëqind për qind i hapun, edhe për mysafirët edhe për turistat…”, – kështu e nis bisedën shkrimtari malazez, me një shqipe të moçme, poetike në tingëllimin e fortë gegë, që ngjan si e transportuar nga një kohë e largët në mes të zhurmës urbane.

Udhëtari nga e kaluara, ka zënë vend, ndërsa vendos në qoshe çadrën e zezë bishtgjatë që e mbante mbi parakrah, e cila më shumë sesa për ta mbrojtur nga shiu i imët që ka ngrysur Tiranën në fundjavë, duket si një mjet misterioz që e transporton në çfarëdolloj vendi dhe epoke që do të donte ai…

Është e kaluara ajo që ka thirrur këtu, në rezidencën e shkrimtarit, shtëpia që shoqata “Poeteka” në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës kanë krijuar diku në zonën e ‘Pazarit të Ri’, për shqiptarë dhe përkthyes letrarë që duan të vijnë për të punuar.

Qëndrimit njëmujor, të cilin ia ofron kjo bursë e fituar në programin “Tirana in between” i ka ardhur fundi, por ai ka marrë esencën e arsyes pse erdhi. Kërkimi i rrënjëve të familjes së tij, në fshatin Ziçisht të Korçës, nga ku ka mbetur vetëm jehona e largët e historisë. Një histori që e ka gjurmuar dhe do e sjellë në romanin që po e shkruan intensivisht. Ditët e fundit të qëndrimit, thonë se është mbyllur brenda apartamentit, dhe takimet e gjata e intensive me miqtë e Tiranës janë rralluar e zëvendësuar me kafetë e bëra vetë, duke mos i privuar vetes kënaqësinë e të dalit në Ballkon, duke parë nga mali i Dajtit…Në një ditë si kjo, ky moti i keq ia largon muzën dhe kockat nuk e durojnë dhimbjen, preferon të shëtisë një copë here dhe të flasë për veten, për historinë e familjes, prejardhjen, Malin e Zi, Shqipërinë, Ballkanin, ngjashmëritë dhe diferencat mes vedi, letërsinë…

Kur kishte vetëm dy apo tri ditë këtu, kënaqej pa e menduar qytetin e tij të lindjes, Ulqinin, ndërsa Tani, malli sikur rëndohet me ditët. Nuk është hera e parë që e ka lënë qytetin e tij…mote të shkuar i është larguar për një kohë të gjatë. Katërmbëdhjetë vite të jetës, thotë se i ka shkuar në Bosnje dhe Hercegovinë, “Jam formu’ dhe rritë si personalitet në Sarajevë. Kam punu’ 14 vjet në gazetë të përditshme dhe në Sarajevë, në at’ koh’ e kam gjet’ gjithë kënaqësitë. Tash nuk asht’ si në at’ kohë… Qevi lufta, shamatë në identitete dhe fe… Tash asht’ qyteti, i cili vetëm Zoti munet me i ndihmue me ardh’ në at’ nivel, në të cilin ka qen’ para 20 viteve”- thotë, ndërsa grimasa gazmore në portretin shprehës, që pasurohet nga një palë mustaqe, sikur merr ngjyra më të përhime, ashtu si edhe panorama që përshkroi me fjalët e zgjedhura me kujdes në gjuhën shqipe, si të ishte duke situr miell, nga ai i miri, që i ati e përdorte për të bërë bukë në furrën e tij për banorët e sokakut.

Shqipen, zbulon se e ka mësuar nga e ëma, malazeze. “Nana m’ka msue, dhe ky asht paradoksi im i madh. Më msoi nana: Bir në sokak jena! Mundsh me fol gjuhë shqipe se mà kallaj kalon. Po baba ka ditë, gjuhë greke, gjuhë shqipe dhe gjuhë sllave, pro asnjëherë nuk e kam ndie me më than kshtu. Miqtë ma t’mdhej kanë qen’ shqiptarë”, – vijon duke zbuluar një anë të identitetit të tij.

Te Jovan Nikolaidis flenë dhe zgjohen tri identitete. “Gjyshi im ishte vllaho-grek, njana gjyshe vllaho-shqiptare, tjetra gjyshe shqiptaro-greke; arvanitase. Nana ime ishte nga Mali i Zi. Jam ballkanas 100 për qind, por lypeni me dit’, se si njeri që jam në Ballkan, nuk e duroj t’folmen për etnicitetin, unë jam para jush këtu personaliteti. Vetëm individualiteti asht’ për mu’”, – thotë me ton këmbëngulës. I ka të trashëguara tiparet për të cilat aq shumë dallohet njëri apo tjetri komb. “Kur më pvesni kush jam, un’ e di mir’ kush jam deri kur m’pvesni. Kur ju m’pvesni, nuk e di mà kush jam”.

Romani që ka në dorëshkrim, është historia 200-vjeçare e familjes së tij, i strukturuar mbi tri rrugë: ajo shqiptaro-greke e cila bashkohet me Pavarësinë e Greqisë dhe ndahet fill pas saj, kur grekët nuk ia kthyen ndihmën shqiptarëve në kërkim të pavarësisë së tyre, e dyta lidhet me pavarësinë e Malit të Zi dhe e treta, me vuajtjet e familjes në kohën e totalitarizmit. “Periudha totalitare na ka bà shum’ me vujt’. Baba im ka qen’ kulak dhe ka pas’ shumë telashe nga komunizmi. Kjo asht’ tema me pak fjalë”, tregon ai.

Thotë se po shkruan edhe një ese të gjatë, e cila deri më tani i ka arritur afro 50 mijë karaktere të shtypura në kompjuter, siç i mat shkrimtari. “Tirana forever” është eseja që sjell një tablo të kontrasteve shqiptare, dy fragmente të së cilës i ka paraqitur në një portal online në Beograd.

“Flet për bukurinë e Shqypnisë, për tolerancë, komoditet, dinamikën por edhe diferencën e popullit shqyptar. Në një vend shef nji automobil shum’ t’shtrenjt, nji shofer i frymë, hera-her’ pa flokë, me zinxhir me kryq apo i mbulum’ që nuk merret vesht ça besimi ka, por e kam pa me sytë e mij… Me nji rrugë të prishun, 15 metra nën ta, një karrocë nga koha e Enver Hoxhës, katër goma atomobili, një dërrasë e lidhur me do amortizera dhe nji vogëlush i parrujtun që knon. Ky asht’ kontrasti n’Shqypni dhe n’Tiranë. Kur largohet njeriu është mà keq. Kam qen’ edhe n’periferi, dhe kam pa shumë varfëri dhe kur afrohet ideja lunatike për Integrim Ballkani at’her munet njeriu edhe me u çue, me e gadit jetën sociale”.

Por shkrimtari i do kontrastet, janë pikërisht ato që e bëjnë edhe të shkruajë. I gjen edhe në Ulqinin e tij të dashur. “Shkrimtari i don kontrastat, paradoksat. Si shkrimtar lypësh mos me qen’ n’komoditet, se at’herë vdes si shkrimtar”…

Kontrastet i kërkon dhe i gjen në Ballkanin që e ban në deje, për të cilin ka shkruar shumë, herë me nota të ashpra duke e kritikuar në formën e eseve, e herë me nota të buta, romantike të shkrira në vargje poezish. Te shkrimtari luftojnë dhe puthen prozatori dhe poeti, duke gjetur paqe mbi fletë që mbushen sa herë muza e viziton…

 

 Të bashkuar në Europë 

Jo vetëm në gjakun e tij, por e ka parë me sy se ballkanasit, sidomos shqiptarët, serbët e malazezët ngjajnë shumë, një ngjasim që sjell ndoshta edhe burimin e grindjeve…

“Na jemi si kojshijt’. Edhe gjakun ta jep kojshija po ia lype, por po ia prishe nji cop’ murit don me t’vra. Edhe ky asht’ origjinalitet i Ballkanit.  Nganjëherë qajmë kur nuk asht vakti, qeshim kur nuk lypet me u qeshë. Kur e pyet për konfliktet në Ballkan, ai të thotë: “Cilët janë konfliktuar? Un’ nuk di. Normalisht dihet kush ka gabu’ në at’ konfuzion, më parë serbët, sepse ata kanë qenë “populli i ngritun prej zotit”… “Vetëm na jemi”. Na lypet me u pa faqje- faqje!”.

Rrugëdalja nga qorrsokaku dhe konfliktet në Ballkanin gjaknxehtë e kokëfortë, është e thjeshtë për Nikolaidisin. “Asht’  kollaj me u gjet’. Ajo rrugë të çon n’Evropë. Por nuk lypet me shku’  n’Evropë si bagëti. E  keqja asht’ se kemi çobanët që mendojnë se jemi bagëti dhe se din’ gjith’  çka na lypet për të shku’ n’Evropë, Na lypet me shku’ me krytin nalt”.

Integrimi i popujve të vegjël në një territor që ka psuar mbi supe histori disa qindravjeçare kolonizimi, më parë Perandoria Osmane e më pas ajo Austro-hungareze, thotë Nikolaidis, është jetik. “ Asht’ punë e zorshme, por me perspektivë.  Kur ta gjejm’ nji rrugë të tanë shqiptarë, serbë, malazezë, kroatë, bullgarë, maqedonas, atëherë na jena faktori që Evropa nuk munet me e lujt.  Na kena argumentat, kena sistemet socio-politike, kulturore dhe të tjera. Atëherë ish ma kollaj”. Flet me përbuzje për misionarë të huaj që flasin për çështje që Ballkani i di dhe i ka jetuar vetë. Pse ka ardhë? Me na thanë “Ju lypeni me jetu’ bashkë. Ne jetojmë bashkë ka njimijë vjet. Ndonjëherë bajm’ shamatë, por na dimë mirë çka asht’ bashkëjetesa, toleranca…Nuk na lypet deklarata. Por ndonjiher’ mendoj se as Zoti nuk don me na afru’, ndonjiher’… Por mendimi im ashtë se kur integrohemi në Ballkan na jena fakt, argument, në një kohë edhe aksiomë, i cili thirret Ballkan”. Për këtë është i mendimit se duhen standardet, të cilat Ballkani – thotë ai – nuk i ka, por i nevojiten. “Evropa ka ma shumë standarda se i lypen Na lypen standarda, po nuk  i kemi n’Ballkan, por Evropa ka standarda ma  shumë se i lypet dhe ata dun që ata standarda që nuk i lypen të na i japin ne, dhe t’marrin at’ bukurinë e jetës që ka vdekë n’ato standarda t’Evropës. Na kena gjakun e fortë, jemi emotivë dhe impulsivë. Po ku mundesh me gjet’ në nji kilometër, kontraste  që afrojnë nji mijë vjet? Ku  i gjen n’Evropë? Ata kanë pas një luftë t’parë, luftën e dytë… E ç’ka doli prej ksaj? Nji Aushëitz, dhe u kan’ msu’ serbve me bà Aushwitz në Srebenicë Nuk e kemi dit’ çka ka qen’, jemi vra për gjys’ dekike me patllake, ish dasht’ me u nal”. Për të, rruga e paqtimit duhet të kalojë së pari nga Serbia. “Lypet që ma s’pari Serbia mos t’shkojë në at’ rrugë ku ka vetëm terr. Ka 20 vjet që ecën në at’ rrugë. Ata i kanë elementat dhe kulturën shum’ t’mirë, por cili dreq ka hy n’atë popull që nuk mundet me u ndalu?!’. Ndaluni, se keni bà… Zoti na rujt ç’ka keni ba!”. Vë në dukje miqësinë që ka Mali i Zi me Shqipërinë dhe dobinë që  vjen kur kombet shkojnë mirë me njëri-tjetrin. “Sot kur asht’ situata e hapun, edhe n’politik’, sociologji, ekonomi e kulturë, afrohena. Mendoj se asht’ mà kollaj dhe mà e mirë për na. Asht’ ideja romantike, fantazmagorike, por du’ me i besu’ se vjen ajo kohë. Ngadalë-ngadalë”.

 

Popuj-skllevër të mitit

Kur mitologjia është romantike, siç bie fjala te Heroi ynë Kombëtar, Skënderbeu, një figurë par excellence mitologjike, e quan Nikolaidis, lind nevoja për mitet. “Por munesh me fol’ edhe me shkrime liberale. Jo vetëm Skënderbe ka bà kte, ka ba ate. Edhe na, n’Mal t’Zi kena Njiegoshën edhe përdoret shumë ç’ka tha, ç’ka foli… Punë e madhe fort! Kur e sheh çfarë ka shkrujt, të vjen me qeshë”…Problemi i popujve në Ballkan është krijimi i historisë me elementë të mitit. “Ju keni historinë për nji element, dhe na për at’ element kena nji histori krejt t’ndryshme. Serbt thon’ se Kosovopoli ka qen’ beteja ma e madhe ku serbt ban kërdinë mbi turqit. Pro turqit erdhën n’Beograd dhe u akomoduan. Kosova ka qenë, por jo mitologjia”.

Thotë se dikur Serbia kishte një shprehje për madhështinë e saj; “Serbia deri n’Tokio”, por tani po bëhet dita-ditës më e vogël. Një fenomen që e vë re te thirrjet e shqiptarëve për Shqipëri etnike. “Ka vdekë ajo Serbia deri në Tokio. Tani keni fillu’ ju ‘Shqypni etnike, Shqypnia e madhe, shqyptarët tanë ku janë!’…Po naluni more! Mos bani deklaratë politike dhe për strategji!  Të drejtë keni, copa toke n’Mal të Zi deri edhe n’Serbi, Maqedoni, jan’ toka ku kanë jetu’ shqyptarët, asht’ fakt. Por çfarë bahet  me at’ copë toket kur nis integrimi, hymja n’Evropë, rajonalizimi?

Nuk mundemi mos me shku’ e me liru’ ata tokat të cilat kanë qen’ dhe ku jetojnë shqyptarë dhe nuk janë në Shqypni, por mendoj se e rregullon rajonalizmi, jo lufta, jo shamata. T’vejmë  kufi  të tjera? Kufini nuk asht vendi ku nalohet njeriu nga njeriu, por pika ku afrohen njerëzit”. Ai thotë se kapiteni i etnicitetit në Shqipëri janë femrat. “Kush  lypet me marrë flamurin e Shqypnisë n’dorë? Femrat, shqyptareshat. Edhe malazezët dhe shqyptarët, në një dorë kemi pushkën e n’tjetrën kena rakinë, dhe kemi lanë shpinë, fmijt e bagëtinë në dorë të femrave. Ky asht’ problem i madh i Ballkanit, por në çështje tjetër, shqyptart i dun dhe i respektojnë femrat deri në një pikë, po kur idhnohet femra,…tretet menjëherë trimnia e shqyptarëve dhe e malazezëve”.

Diferencat Tiranë –Prishtinë

Esenë “Tirana forever” mbi të cilën ka hedhur 50 mijë karaktere, e ka dërguar në Beograd, duke e ditur edhe reagimin që do të kishte atje sa herë lexohet emri i tij apo i të birit. “Kemi pas’ telasha. Nuk ka vdek’ klero-fashizmi dhe nacional-socializmi n’Serbi, është ende i fortë. Kam sjell’ nji  panoramë, të tokës, njerëzve, të situatës politike, të kontrasteve ekonomike që jan’ shum’ t’fortë. Unë mendoj se ju në Shqipëri jeni martirë. Çka keni kaluar ju, shyqyr Zotit jeni të gjithë gjallë dhe mirë mendërisht. Kosovarët në ish-Jugosllavi kanë qenë mà të lirë se ju, kanë pasur mundsi  të shkollohen të njekin universitete, të dalin jashtë. Mendoj se asht’ e randsishme diferenca e kulturës mes Kosovës dhe Shqypnisë, sepse ka…Kur shqyptart kanë ikë në at’ kohë nga Shqypnia kanë qenë elita mà e mençur. Kosovarët kanë ik në Evropë pa shkollë, pa asgjë, kanë shku’ për t’punu’. Ajo elitë që ka ikë  nga Shqypnia i ka rujt’ të tanë elementet e kulturës  që i ka pas para ikjes, por kosovarët nuk kanë pas as kulturë dhe as nji gjà. Ajo asht’ diferenca që shihet sot. Kur ju jeni persona kulture dhe intelektualë seriozë, jeni njësoj si intelektualët n’Romë, Berlin, n’London, etj. Këtu nuk lypet shumë ta shofish sa randë janë ata. Jugosllavia nuk u ka dhënë shumë, por nga ana tjetër u ka dhanë boll, deri kur ka ardhur Millosheviçi dhe doli dreqi nga shishja dhe sot asht’ si asht”.

 

Një jetë mes Ballkanit

Jovan Nikolaidis është shkrimtar malazez, poet, prozator, estet, aktivist kulturor dhe botues i njohur në hapësirat e gjuhëve sllave. Përmes botimeve dhe polemikave, është i përfshirë në mënyrë aktive në dialogun kulturor ndërmjet shkrimtarëve të rajonit, sidomos mes Malit të Zi, Kroacisë, Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Shqipërisë. Gjatë viteve 1974-1990 jetoi në Sarajevë, ku dhe punoi si gazetar për gazetën Oslobođenje. Pas viteve ‘90 u rikthye në qytetin e lindjes, ku ka punuar si redaktor dhe drejtor i shoqatës kulturore “Plima” dhe si shkrimtar në profesion të lirë. Që nga viti 1998, ai boton gazetën “Kronika”( revista e parë në gjuhën shqipe në Malin e Zi.) Ndihmoi në promovimin e brezit më të ri të autorëve të Malit të Zi.

Letërsia e Nikolaidis

Disa nga veprat e tij i gjen të përkthyera edhe në gjuhën shqipe si “Tespihet prej fosfori”, “Ulqini 33”, “Identitetet tona” “Gratë e shquara shqiptare”. Vepra të tjera të autorit janë novela të shkurtra, ese dhe poezi si: “Velaskez”, “Valdinos 33”, “Letrat e Ulqinit”, “Faji Malazez” “Këngë me shikim kah ajo”, “Ditari për hiçin” etj.


Fatal error: Uncaught ___C_0: (E_ERROR) Trying to access array offset on value of type bool in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config:252 Stack trace: #0 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(13): ___C_5->_errorHandler(2, 'Trying to acces...', '/home/gazetamap...', 13) #1 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_demo_style() #2 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(74): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_image_size() #3 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(63): JNews\Module\Block\Block_9_View->build_column(Array, 'jeg_col_2o3') #4 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(47): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_column(Array, 'jeg_col_2o3') #5 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/BlockViewAbstract.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_output(Array, 'jeg_col_2o3') #6 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/ModuleViewAbstract.php(165): JNews\Module\Block\BlockViewAbstract->render_module(Array, 'jeg_col_2o3') #7 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(1265): JNews\Module\ModuleViewAbstract->build_module(Array) #8 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(205): JNews\Single\SinglePost->related_post(false) #9 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(307): JNews\Single\SinglePost->related_post_hook('') #10 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(331): WP_Hook->apply_filters(NULL, Array) #11 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/plugin.php(474): WP_Hook->do_action(Array) #12 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/fragment/post/single-post-1.php(66): do_action('jnews_single_po...') #13 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(772): require('/home/gazetamap...') #14 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(716): load_template('/home/gazetamap...', false, Array) #15 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/general-template.php(204): locate_template(Array, true, false, Array) #16 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/single.php(16): get_template_part('fragment/post/s...') #17 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template-loader.php(106): include('/home/gazetamap...') #18 /home/gazetamapo/public_html/wp-blog-header.php(19): require_once('/home/gazetamap...') #19 /home/gazetamapo/public_html/index.php(17): require('/home/gazetamap...') #20 {main} thrown in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config on line 252