Në udhëkryqin e qytetit të Rrogozhinës, në muzgjet e flakëruara all nga spektakli i perëndimit të diellit ultësirës së Shkumbinit, me jakat e xhaketës ngritur dhe flokët e zbardhur shpupurisur nga era që duket sikur ka folenë atyre rrethinave, mbështetur në ndonjë parmak a pemë decorative, me ndonjë lirikë të sapo mbledhur në buzë, më pret i malluar, miku im, liriku i heshtur e dimensional, poeti Xhelal Tosku, i cili asnjëherë nuk e ka menduar dhe jo më gatuar ikjen nga ai peizazh hyjnor si i prerë nga parajsa.
Poeti Xhelal Tosku, na dhuron një poezi elitare, thellësisht origjinale…Kur nis ta lexoj, çuditërisht, e gjej veten të veshur me këpucët e vjetra, zgjedh xhaketën e zhubrosur, këmishën e zbardhulët grirë në jakë dhe ngrënë në mëngë, vesh çorapet e arnuara ku duken thembrat dhe gishtat, madje ulem këmbëkryq në qoshen që më kujton gjithçka dhe harron në asgjë, por më kthjellon të bëhem shumë më tepër njeri. Vetëm kështu më bëhet se jam i denjë për ta përcjellë, perceptuar, ndjerë dhe shijuar për së thellë vargun rrezëllitës të mikut tim.
Mbërthehem e kopsitem si të nisemi bashkw me Xhelalin, si dikur në rrugët e jetës, të atyre që kemi shkelur dhe atyre që nuk do t’i përshkoimw dot kurrë: “askush nuk kthehet dot në të shkuarën”. Më bëhet sikur jam nisur njëfrymësh drejtë udhëkryqit të qytetit tim fushor, Rrogozhinës, ku agimeve dhe muzgjeve të jashtëzakonshëm mw pret i malluar poeti Xhelal Tosku, me një trishtim të bukur e hijerëndë, që frymëmerr natyrshëm në qenien e tij paqësore.
Xhelal Tosku, nw poezinw e tij, dhuron ndjenjën, zemërimin e ndershëm, pasionin, qortimin, dashurinë për njerëzit, vullnetin e fortë që si bën kurrë lak, prirjen, këshillën urtake, sinqeritetin, naivitetin etern, gjeninë e tij që nuk mungon të përçojë deduksione morale: nderin, dhimbjen frymëkëputëse për fatet e vendit, njeriut, natyrës, SOS-in alarmant “se ikja nuk është të ikësh, ikja është të rrish”, të qëndrosh, të begatosh, të mbjellësh shpresë, besim, prosperitet, ardhmëri, si kryevlera të njerëzimit në kohëra: “ç’tmerr / të jesh qiri / në errësirë”.
Filozofia e poetikës së Xhelal Toskut kumton mesazhin se kush nuk dashuron nuk mund as të urrejë, kush nuk entuziazmohet me asgjë, nuk mund as të përbuzë, kush nuk himnizon asgjë, nuk mund as të mallkojë. Dashuria në të derdhet si një pëlhurë natyrore e qëndisur me virtuozitet nga përfytyrimi magjik e ylberor i poetit. Poezia e tij vjen mirësisht e spontanisht si brumi në magje, siç bulëzon gjethja nëpër pemë, fryti dhe fara aq shumë e dëshiruar. “i thashë qengjit / e çfarë pe në ëndërr / kur qave?”.
Mendim elitar i poetit buis, çel e lulëzon, fiton përmasa dhe hapësirë, të fton për të reflektuar. Bukuria, tek Xhelali, frenon çdo zemërim, ajo është e thjeshtë fare, e ndryshme, jo e koklavitur, rrezatuese, jo uniforme, e pafundme, jo e rëndomtë, njerëzore. Bukurinë e realizon me qartësinë e mendimit ndërsa tri gjëra parapëlqen t’ia shtojnë kthjelltësinë e të parit, gjelbërimi, ujët që rrjedh dhe fytyra e bukur femërore. Në poezinë e tij realiteti ulet këmbëkryq, ai është kryeshqetësimi, kryetema, kryemotivi, prandaj edhe rëndon me të gjithë peshën, forcën, të mirat dhe të këqijat, misteret dhe transparencën, besimin e vakët dhe humbjen e perspektivës, nëpërkëmbjen e së mirës dhe rendjen turravrap të bashkëkohësve pas zullumit të së keqes, rënien e kursit të moralit dhe ngritjen e frikshme të grafikut të antimoralit me mungesën ulëritëse e frymëkëputëse të njeriut,
Shqipëria, peizazhi, shpirti, gjendja, gjetjet, sentencat filozofike, Akili, kalimi nëpër stinë, Çamëria, shiu, fshati me mungesën e paqes, xixëllonjat, netët verore, gratë, hëna e ftohtë, era, harabelat, pylli, kryengritësi, etj, shprehin në poezinë e poetit lidhjen e pandashme midis njeriut e natyrës, lidhjen organike individ-natyrë, individ-shoqëri, njeri-njeri, harmoninë dhe afërsinë mes tyre, pafundësinë dhe shëndetin e natyrës së përthyer e pasqyruar në mënyrë simetrike tek morali i kohës. “në cep të syrit kam ndezur pak zjarr / sa ta gris/ edhe këtë dimër”.
Në vargun e tij, poeti, e sheh subjektin poetik me një origjinalitet të dallueshëm, përmes një vështrimi shumëplanësh që harmonizohet plot elegancë me një lirizëm të hollë, gjithçka duket sikur projektohet në sekuenca të freskëta filmike. ”o det, o det mbrëmja po vjen, nata po bie / ndjehem i lodhur si një anije e vjetër / ngarkuar plot me të tjerë”.
Te Xhalal Tosku fjala, mendimi, ndjenja dhe vlerësimi janë në harmoni të plotë. Heroi i tij lirik ndjehet shpenguar, në një liri organike me veten, shoqërinë dhe natyrën, që Xhelali di si askush tjetër ta përkundë herë si djep dhe ta thellojë hera-herës si varr. Të shkrirjes së njeriut me natyrën janë disa nga lirikat antologjike të dashurisë, si: “Mizorja”, “Shtëpia e saj mbi det”: “Albina”. “Te ura mbi Vardar”. “L”-së. “Maria”, etj. “unë hidhja një hap / ajo më thosh / hidh edhe një tjetër / mizorja: kurrë nuk më tha një fjalë / për humnerën”.
Tek ai natyra s’është arrati për të qetësuar veten, për t’u distancuar nga tallazet historike, ajo është larg ekzaltimit apo prirjeve idilike. Kështu trishtilat, shkëndija zjarri, albatrosët, ujku, harabelat, kishëza, dielli, deti, qengji, livadhet, tymi, plepat e bardhë, brukat, gargujt, lëvizin plot hijeshi në poezinë e tij, por njëkohësisht përmenden brenda përmbajtjes së një shpirti të vrullshëm, të qetë, zhgënjyes dhe pikëllimtar, si dëshmitar paqësor i kohës për të cilën lufton dhe aspiron me forcën e fjalës dhe shpirtit për ta bërë më të bukur, më të mirë, më të lumtur. “as edhe një yll nëpër qiej / nata me errësirën në fyt si përjetësi e të vdekurve / o i mjeri i zi ku po shkon / ku po shkon o i ziu njeri”.
Elementi i së mundurës me te pamundurën si dhe konceptimi i dashurisë si ndarje dhimbjesh të ëmbla sjell tek ai një shembëllim pa trishtim të rëndë dramatik, veshur me një trishtim të pranueshëm dhe dinjitoz, luksoz, intelektual. Kjo vjen nga që ëndrrat e poetit mbruhen në shpirtin e pastër, kristalin të një njeriu të ndjeshëm, kërkues i palodhur i fjalës dhe gjetjes. “ nga pluhuri i rrugës vij / si pluhurin e rrugës / era ku nuk do të më çojë”.
Poeti Xhelal Tosku e jeton kohën, dramacitetin e saj me dinamikën e qytetarit luftëtar, kryengritësit, njeriut që nuk bën kompromis me të keqen së cilës ia vë kufirin larg vetvetes. Duke ngritur e përgjithësuar në art transparencën prej vese nëpërmjet dhimbjeve të veta, ai e fton lexuesin të gjej vetveten. Poeti shkruan vetveten: “askush si unë / nuk e pati vdekjen aq pranë / fqinjët e mi hijena / me trurin në pantallona”. Poezia e Xhelal Toskut është poezi mendimi, me nëntekst të thellë, që gurgullon e gufon ndjenjë, herë të përmbajtur, herë vërshuese e me stuhi shpirtërore.