Sapo finalizuan me sukses blerjen e shekullit, drejtuesit e Juventusit kanë nisur punën për afrimin e lojtarëve të tjerë cilësorë, në mënyrë që objektivi Champions të bëhet më lehtësisht i arritshëm. Por sigurisht që në këtë merkato të bardhezinjve do të ketë edhe lojtarë që do të sakrifikohen dhe do të sjellin miliona në arkat e klubit bardhezi.
GODIN-MARSELO- Miqësia e Ronaldos me Marselon mund të bëjë që ky i fundit të përfundojë në Torino. Ditën e djeshme, ai ka ndjekur faqen zyrtare të Juventusit në “Instagram”, duke u shkelur syrin bardhezinjve. Por një transferim i mundshëm i tij është i lidhur vetëm me një largim të Aleks Sandron, ofertat për të cilin nuk mungojnë.
Një emër tjetër që mund të zëvendësojë Sandron është Bernat i Bajernit. Por skuadra e Juventusit mund të afrojë një tjetër lojtar nga kampionati spanjoll dhe bëhet fjalë për Diego Godin.
Një mbrojtës që i pëlqen shumë Alegrit dhe mund të vishet bardhezi në rast se do të largohet Benatia. Për mesfushën, emri më i nxehtë dhe më i përfolur është Rabio, për të cilin po bëhen sondazhe nga bardhezinjtë. Ai mund të vijë këtë vit ose sezonin e ardhshëm me parametra zero.
SAKRIFICAT- Por për të afruar lojtarë të tillë duhet që të largohen disa nga ata që janë pjesë e skuadrës aktuale. Dy futbollistët që duken më afër largimit janë mbrojtësi Rugani dhe sulmuesi Higuain. Ata do të përfundojnë te Çelsi për 40 milionë euro. Ditën e djeshme ka pasur një takim mes agjentit të sulmuesit dhe drejtuesve e bluve të Londrës.