Të jesh futbollist, gjithashtu kërkon disa sakrifica, megjithë përparësitë e shumta. Njëra nga këto, për shembull, është një ndeshje me klubin, ose kombëtaren, ndërkohë që pret të bëhesh baba. Shpesh ndodh kjo gjë në botën e futbollit, por Granit Xhaka nuk ka ndërmend të përballet me një moment kaq të veçantë.. nga larg.
Mesfushori shqiptar i kombëtares zvicerane dhe i Arsenalit është në pritje të një fëmije nga bashkëshortja e tij, Leonita Lekaj. Lindja parashikohet të ndodhë pak a shumë rreth mesit të tetorit, kur do të ketë një angazhim tjetër për ekipet kombëtare. Xhaka tashmë ua ka bërë të ditur bashkëlojtarëve të Zvicrës se dëshiron të marrë të paktën dy javë leje, për të qëndruar pranë gruas së tij dhe për ta shijuar këtë moment.
“Ka gjëra shumë më të rëndësishme dhe të veçanta në jetë sesa futbolli. Doni një shembull? Ku bëhesh baba. Me Seferovic ndodhi e njëjta gjë. Ne u pajtuam që të jepte gjithçka kundër Irlandës dhe më pas u lejua të bashkohej me partneren e tij, duke anashkaluar ndeshjen tjetër. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me mua”, – tha Graniti.
Xhaka duhet të jetë në ndeshjet kualifikuese të “Euro 2020”, kundër Danimarkës dhe Irlandës. Por, nëse lindja do të vonojë, ose të nxitohet, problemi do të jetë i gjithi për Unai Emery dhe Arsenal. Xhaka vështirë se do ta ndryshojë mendjen, do të dëshirojë të bëjë pak pushim, sidoqoftë, të asistojë në lindjen e fëmijës së tij të parë.