Një rrëshqitje akulli dhe gurësh, e cila ra dy kilometra poshtë Marmolada, përmbyti gjithçka që gjendej përgjatë shpatit të malit, duke lënë pas të vdekur, të lënduar dhe të zhdukur.
“Orteku në Marmolada është një fatkeqësi e paimagjinueshme. Në një masakër të tillë do ta kemi të vështirë të identifikojmë identitetin e saktë të viktimave, sepse trupat janë copëtuar nga akulli dhe gurët”, janë shprehur hetuesit për ANSA. Sipas asaj që është rindërtuar deri më tani, orteku ka goditur dy litarët e gjashtë alpinistëve, duke lënë viktima edhe guidat.
Janë gjashtë viktima të konfirmuara për momentin, por shifrat duket se janë të destinuara të rriten. Rreth dhjetë janë plagosur, ndërsa rreth pesëmbëdhjetë alpinistë janë ende të zhdukur.
Megjithatë, operacioni i kërkim- shpëtimit u ndërpre. Kjo për shkak të temperaturave të larta, të cilat rrezikojnë shembje të tjera.
Patrullimet vazhduan vetëm nga ajri, fillimisht me helikopterë dhe më pas me dronët e Brigadës së Zjarrfikësve.
Shpresa e shpëtimtarëve është që temperaturat të ulen gjatë natës, në mënyrë që herët në mëngjes të rifillojnë kërkimet nga toka.
Prokuroria e Trentos ka hapur një dosje, me akuzën e fatkeqësisë nga pakujdesia.
Sipas ekspertëve, rënia e akullnajës ka ndodhur për shkak të valës rekord të të nxehtit që ka ndodhur në Itali javët e fundit.