Dikur

“Kabllogrami që më tërhoqi në Tiranë kur rrëzohej Muri i Berlinit”







               Publikuar në : 08:53 - 01/03/19 |
mapo.al

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Republikën Federale të Gjermanisë, dr. Shpëtim Çaushi zbulon shënimet diplomatike për një nga ngjarjet domethënëse të para viteve ’90, atë të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Republikën Federale të Gjermanisë. Pjesë nga libri “Edhe një herë për shansin gjerman” (Marrëdhëniet e Shqipërisë me Gjermaninë 1944-1987. Reparacionet e Luftës së Dytë Botërore)


Viti 1989 ishte një vit unikal në historinë e shekullit që lamë pas. Dinamizmi i tij, vrulli i jetës politike, gjallëria e zhvillimeve dhe intensiteti i ngjarjeve madhore të përjetuara, sot 25 vite më pas të krijojnë përshtypjen që shpejtësia shumëdimensionale e kohës u duk sikur e përmblodhi këtë vit në një ditë të vetme, atë të 9 nëntorit, rënies së Murit të Berlinit. Kjo ngjarje u kthye në epiqendrën e një lëvizjeje tektonike, që shënoi jo vetëm përmbysjen e një sërë sistemesh autokratike, por i dha impulse ndryshimi rrjedhës së zakontë të rendit botëror. Sigurisht, analiza na jep mundësinë të konkludojmë, që kjo rrokullimë e menjëhershme e ngjarjeve u përgatit jo në një ditë, por ishte përmbyllja e një procesi të gjatë historik, të një gjysmë shekulli tensione të prodhuara pambarimisht nga politikat antagoniste të “Luftës së Ftohtë”. Kjo luftë e “ftohtë” prodhoi në vite një zinxhir ngjarjesh dramatike, duke filluar me krizën e Berlinit të vitit 1953, që ishte një kërcënim real dhe i rrezikshëm, jo vetëm për Republikën Federale të Gjermanisë, që vetëm pak vite më parë ishte themeluar duke u ngritur nga hiri i Luftës së Dytë Botërore, por ky kërcënim sovjetik drejtohej edhe ndaj demokracive perëndimore. Kjo vijoi më 1956-ën, me shtypjen me zjarr e gjak të Revolucionit Hungarez, vazhdoi me pushtimin “në mes të ditës” të Çekosllovakisë, duke u dhënë fund shpresave të popullit çek e sllovak për liri e demokraci të “Pranverës së Pragës”. Moska më 1981 kërcënoi Poloninë e Solidarnostit me invadim ushtarak, ndërsa më 1991 armata sovjetike në Lituani ushtroi presion dhe përdori violencë kundër popullit të këtij vendi të pushtuar në vite. Ndërkohë, trupat sovjetike në Gjermaninë Lindore, që nga paslufta qëndronin si një kërcënim permanent dhe kontrollonin çdo zhvillim të brendshëm në këtë vend.

Edhe Shqipëria, në vitin 1961 ndërpreu marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, ndërsa më 1968-ën doli zyrtarisht nga Traktati i Varshavës së “Bashkësisë Socialiste”. Pra, praktikisht, në atë kohë ajo kishte më shumë “shanse historike” se “simotrat” e saj lindore për t’u lidhur me Perëndimin. Është pikërisht edhe ky një nga shanset e mëdha që Tirana zyrtare nuk “diti” apo nuk “deshi” ta shfrytëzonte për lidhje me demokracitë perëndimore, por udhëheqja e asaj kohe preferoi hermetizmin e pushtetit të saj, duke lançuar “idenë” që “Shqipëria nuk është as Lindje, as Perëndim”, një definicion që rikonfirmonte mbylljen e Shqipërisë dhe jo hapjen e saj. Me këto teza, ne duhet të operonim në rrafshin e diplomacisë. Kjo dukej sigurisht qesharake, me ritmet që filluan zhvillimet e mëdha të ndryshimit epokal në Europë. Në Bashkimin Sovjetik, Gorbaçovi kishte hedhur një “kartë” në “tregun politik” të brendshëm dhe atë ndërkombëtar, një doktrinë të re e cila, praktikisht vinte në diskutim jo vetëm sistemin socialist dhe filozofinë leniniste, por edhe krejt sistemin e sundimit në Evropën Lindore. Në 6 korrikun e vitit 1988, Gorbaçovi mori pjesë në mbledhjen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Fjalimi u konsiderua si “fundi i ideologjisë”, të cilën Francis Fukayama më vonë e përcaktoi si “Fundin e Historisë”. Kjo ndikoi në prurjet e reja në Këshillin e Evropës nga vendet e Evropës Lindore. Doktrina e Gorbaçovit, Gllasnosit dhe Perestrojkës, u cilësua në Perëndim si një “molekulë sinergjike mendimi” që solli megandryshimin europian.…Ky hap i udhëheqësit sovjetik shënonte plasaritjen e strukturave të nëndheshme të “Luftës së Ftohtë” midis dy sistemeve, që u thellua më tej me takimin e ideologut të “Perestrojkës”, Gorbaçov me Presidentin amerikan H.W. Bush në Maltë, në fund të nëntorit të vitit 1989, zhvilluar vetëm rreth dy javë pas rënies së Murit të Berlinit. Ndërkohë një doktrinë tjetër kishte dhënë efektet e veta. Ost–politika gjermane kishte zëvendësuar esencën idealiste të saj me një politikë realiste, duke i çliruar krahët Gjermanisë Lindore, nëpërmjet marrëdhënieve direkte Bon–Moskë. Filloi një epokë e re në marrëdhëniet ndërgjermane. Kjo çoi në deklaratën e Gorbaçovit më 6 tetor 1989, e cila çliroi gjermanët e pjesës lindore nga frika e një ndërhyrjeje të dhunshme të trupave sovjetike të dislokuara në këtë vend, që arrinin një kontingjent ushtarak prej gjysmë milioni ushtarësh. Në këtë prag ndryshimi, Gorbaçovi komentonte se “ngjarjet po rrokulliseshin shumë shpejt”, ndërkohë, Shevrenadze, ministri i fundit i Jashtëm i Bashkimit Sovjetik i deklaronte Peter Boenisch – Sekretar Shteti në zyrën e Kancelarit Kohl se “… në vitin 1989 nuk është bërë fjalë për bashkimin apo mosbashkimin e Gjermanisë. Është bërë fjalë për bashkimin e Gjermanisë apo për luftë – luftë bërthamore”. Pra, ngjarjet nuk pritej të ndodhnin siç rrodhën.

Në këtë prag rënieje të Murit mora pjesë në një mbledhje të Konrad Adenauer Stiftung, ku Ost–politika gjermane u vlerësua si një politikë efektive që dha rezultatet e saj. “Doktrina Halstein”, e cila njihte Bashkimin Sovjetik si interlokutor në marrëdhëniet RFGJ–RDGJ, u zëvendësua nga Ost–politika gjermane. Në esencë, kjo strategji politike parashikonte që bashkimi i Gjermanisë mund të realizohej në procesin e integrimit evropian. Ost–politika shprehte në radhë të parë një hapje politike dhe veçanërisht ekonomike ndaj vendeve satelite të Bashkimit Sovjetik, “thithje” të vendeve të Evropës Lindore dhe liberalizim ekonomik të tyre për t’i lehtësuar krahët Gjermanisë Lindore, e cila falë kësaj Ost–politike konsiderohej në trupin diplomatik –siç e kemi përmendur – anëtari i 13-të i Komunitetit Evropian. Të dyja shtetet gjermane po formonin e instalonin natyrshëm, “pa zhurmë”, “bashkekzistencën ndërgjermane”. Ishte pikërisht kjo mbledhje ku u brohorit formula “Fitoi profesor Erhardi ndaj profesor Marksit!”. Të dy profesorët ishin gjermanë, të futur në një garë historike akademike, trajtoheshin si të barabartë, pa zilinë shkatërruese njerëzore…vetë historia dhe eksperienca përcaktonin fituesin….

Komentet ishin të pakta dhe asnjëherë nuk vura re “entuziazëm” të pajustifikuar, demonstrohej maturim, por ndiqej ritmi i ndryshimit, jo vetëm çdo ditë, por në çdo minutë….Ky ishte sfondi pak a shumë në prag të ngjarjes së madhe dhe trupi diplomatik ishte më i kompromentuar, sepse nuk ishte në gjendje të raportonte në kancelaritë e tyre këtë dinamizëm të paparë zhvillimi të situatave. Sa i përket ambasadës sonë, informacionin e merrnim nëpërmjet lidhjeve tona me Ministrinë e Punëve të Jashtme gjermane, me intelektualë, personalitete, si dhe me qytetarë dhe me kontaktet me trupin diplomatik, nga të cilët merrnim informacione për zhvillimet dinamike të situatës dhe sigurisht informonim Tiranën zyrtare, nga e cila më shumë kishte heshtje, mpirje në reagime, një pritshmëri të pajustifikueshme informimi dhe instruktazhi politik. Kjo heshtje sigurisht ndikonte ndjeshëm në orientimin që qendra zyrtare duhet të injektonte në këto situata zhvillimi. Pavarësisht nga ky komunikim me qendrën, ne i ndoqëm dhe i përjetuam zhvillimet me emocion. Ky ishte sfondi i ngjarjes së madhe që nisi me shkëndijën e parë në Leipzig, në datën 9 tetor 1989, një muaj para rënies së Murit, në Katedralen e Shën Nikolait, duke shfrytëzuar javën e quajtur “Lutësit për Paqe”, në të cilën parashikoheshin të vinin shumë pjesëmarrës nga qyteti dhe rrethinat. Ngjarja i kaloi të gjitha limitet, duke u bërë lëvizje shumë masive, ku pas lutjeve për paqe, qytetarët dolën në marshim. E vërteta ishte se kishte tension politik brenda dhe ne si trup diplomatik kishim të dhëna se shërbimi sekret në Gjermaninë Lindore do të merrte kuartierin e tij në Leipzig.

Në Bon, kapërcimi i menjëhershëm i ngjarjeve përbënte shqetësimin më të madh. Dëshira e tyre ishte që të bëhej një lëvizje paqësore dhe ndryshimet të bëheshin duke mos krijuar incidente që mund të kalonin në gjakderdhje, pra zyrtarët ishin për një evolucion gradual, jo përmbysje. Populli e kaloi në mënyrë paqësore pjesën më të rrezikshme, atë të ballafaqimit. Një milion pjesëmarrës ishin në sheshin “Alexander Place” në Berlin në fillim të nëntorit 1989, që demonstruan sërish paqësisht. Të gjithë të heshtur, me qirinj nëpër duar, ndaj u quajt dhe “revolucioni paqësor” apo “i qirinjve pas mureve”, duke dhënë kështu një mesazh për viktimat e Murit, për paqen, për mirëkuptimin. Turma triumfuese gjermano–lindore shtyhej drejt Perëndimit, drejt botës së lirë. I afroheshin qetësisht Murit – duke vendosur në heshtje qirinjtë – rojet, ushtarët nuk vepronin. U hapën dyert e postblloqeve. Emocione… lot… përqafime nga të dyja anët e kufirit. Ra muri, që nuk e kishte më rolin e tij ndarës të kombit, dhe me të ra edhe perdja e hekurt e Luftës së Ftohtë.

Më 8 nëntor 1989- Qeveria e Republikës Demokratike Gjermane shpalli ligjin për lëvizjen e lirë. Siç e theksova, shembja e Murit nuk pritej aq shpejt, ndonëse muajt paraprirës kishin rezultuar me lëvizje masive të gjermano-lindorëve drejt Republikës Federale të Gjermanisë, një shifër që arrinte rreth dhjetë mijë qytetarë, vizat merreshin pa procedura të stërzgjatura apo pengesa burokratike. Duhet të theksoj se kur Gjyla Horn, ish-ministër i Jashtëm i Hungarisë së bashku me kryeministrin hungarez, me urgjencë dhe në mënyrë diskrete takuan Kancelarin Kohl në shtëpinë e tij verore në zonën e Salzburgut dhe i deklaruan hapjen e kufirit me Austrinë, Kohli nxitoi dhe po atë ditë në mesnatë mblodhi qeverinë, për të marrë masat dhe për të përballuar këtë lëvizje të paparë të gjermanëve në kufijtë e vendeve fqinjë të Gjermanisë. Ky ishte sinjali i parë për rënien e Murit. Pas rënies së Murit të Berlinit – kam një kujtim interesant – shkova dhe urova në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ata më dhuruan një copëz mur nga ai i Berlinit, i vendosur brenda një kuadrati të derdhur plastik, që jepte mesazhin e paqes dhe demokracisë. Po ashtu rrëzimi i Murit tregoi se ngjarjet ecnin shpejt dhe se pas tij nuk do të prisnin mure të tjerë në Europën e bashkuar. Ndërkohë i kthehem përsëri reflektimit të këtyre ngjarjeve madhore në vendin tonë dhe reagimit me njoftime të zbehta të shtypit për aktivitete brenda Shqipërisë, për të ashtuquajturat reforma, për një lloj “hapjeje” me botën, e cila dukej si një lëvizje në një hapësirë boshe, madje fiktive.

Tirana çuditërisht heshtte. Pak reagime për analizat dhe njoftimet e ambasadave, çka krijonte mpirje tek diplomatët, ndërsa për rënien e Murit nuk pasqyrohej pothuaj asgjë në shtypin dhe mediat shqiptare. U kalua pothuaj në heshtje çdo njoftim për këtë ngjarje madhore, populli e merrte informacionin vetëm nëpërmjet kanaleve të huaja. Kishte akoma justifikime izolacioniste në argumentet e Tiranës për këtë zinxhir ngjarjesh ndryshimi; interpretohej zyrtarisht se “Shqipëria ishte e veçantë dhe nuk bënte pjesë në asnjë bllok”. Në sfondin e zhvillimeve evropiane qëndrimi ynë bëhej i pakuptimtë… … Një koincidencë “interesante” – me rënien e Murit të Berlinit, pata një kabllogram “urgjent”. Ishte thirrje nga qendra për t’u kthyer në atdhe, në përfundim të misionit tim diplomatik në Gjermani. Shkurt dhe asnjë shpjegim më tej. Këtë vendim të Tiranës zyrtare nuk mund ta merrja thjesht si një “ndëshkim” personal timin, por më shumë si një gjest politik të udhëheqjes shqiptare ndaj shtetit ku unë isha i akredituar. Kjo tërheqje e ambasadorit shqiptar nga Boni bëhej në pragun e bashkimit të Gjermanisë, ndërkohë që misionit tonë në Berlinin Lindor, jo vetëm i ishte rritur rangu i përfaqësimit diplomatik në nivelin e ambasadorëve, por titullari ynë në këtë ambasadë vazhdonte detyrën e tij në Republikën Demokratike Gjermane. Tirana bënte “rokadën”, duke lënë ambasadën në Bon me të ngarkuarin me punë A.I, dhe në Berlinin Lindor me ambasadorin në krye të Misionit Shqiptar. Sigurisht, ky veprim nuk mund të merrej si një lapsus protokollar…Dukej qartë se në Tiranën zyrtare vazhdonin ende ëndrrat e Lindjes…Ky përvjetor i 25-të i rënies së Murit të Berlinit dhe 27 viteve marrëdhënieve diplomatike me Gjermaninë mike na japin, jo vetëm kënaqësinë e përjetimit së bashku të këtyre ngjarjeve të mëdha në historinë e dy vendeve, jo vetëm sigurinë në rrugën e demokracisë së vërtetë dhe mirëqenies sociale të shtetit të së drejtës, por gjithashtu edhe garancinë e ecurisë më solide e më të shpejtë drejt procesit të integrimit të pakthyeshëm europian. Këto ngjarje janë një tjetër indikacion domethënës që na ftojnë në përpjekje të përbashkëta për të gjetur rrugë të reja për zhvillimin e bashkëpunimit dhe kooperimit të gjithanshëm midis të dyja vendeve, pa u kënaqur sa është bërë deri tani, duke u larguar historikisht nga periudha e shanseve të humbura, për të vështruar në rrugën e viteve që vijnë me detyrimin moral para vetes dhe qytetarëve të Shqipërisë së sotme demokratike, për të mos humbur shanse të reja që na ofron aktualisht dinamizmi i ndryshimeve të epokës. Sfida të reja historike kemi në rrugën tonë, por duhet të vështrojmë përpara me përkushtim dhe përgjegjësi shtetërore, në respekt të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

*Dr. Shpëtim Çaushi – Ish-ambasador i Shqipërisë në Republikën Federale të Gjermanisë

 


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas