Nesër në fshatin Bularat të Dropullit, do të mbahet rreth mesditës ceremonia mortore e minoritarit grek Kostandinos Kaçifas, i cili mberi i vrarë rreth 10 ditë më parë, si pasojë e një shkëmbimi zjarri me forcat speciale “RENEA”. Por fluks i madh i personave që pritet të hyjnë në pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës, për funeralin e atij që tashmë është cilësuar si, “heroi” i Vorio-Epirit, ka alarmuar Policinë e Shtetit.
Situata në fjalë ka intensifikuar komunikimet mes policisë greke dhe asaj shqiptare, gjë për të cilën kjo e fundit ka përgatitur rrufeshëm edhe një plan masash.
Sipas burimeve nga Gjirokastra, policia shqiptare është vënë në gatishmëri për të parandaluar çdo incident të mundshëm me ardhjen e shumë autobusëve me qytetarë grekë nga Greqia, që do të marrin pjesë në varrimin e 35-vjeçarit.
Mësohet se policia shqiptare ka hartuar një plan të veçantë ku forca të shumta policore janë të përfshira. Më shumë se 2000 njerëz pritet të jenë në funeralin e 35-vjeçarit.
Për të shmangur vonesat në hyrje, nga të dy vendet është rënë dakord për shtimin e sporteleve në pikat e kontrollit të pasaportave për të shmangur pritjen e gjatë. Kakavija do të jetë pika ku do të ketë zyrtarë shqiptarë dhe grekë, të cilët do të shkëmbejnë informata mes policisë në të dy vendet.