Aktualitet

Kadastra – Tokat në bregdetin e jugut nuk do iu jepen banorëve














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:00 - 17/02/21 |
mapo.al

Artan Lame doli dje në një deklaratë për media ku përmendi se do jenë katër kategoritë të cilat përjashtohen nga dhënia e tokës në pronësi. Tokat truall, ato për investimet strategjike, rëra e bregdetit dhe sipërfaqja ujore. Si prona për investime strategjike dhe turizëm, qeveria ka parashikuar rreth 16 milionë metra katrorë nga Vlora deri në Ksamil. Ndër të tjera Lame bëri me dije se në bazë të ligjeve të reja, nuk do të verifikohet ligjshmëria e dokumenteve të marrjes së tokës në përdorim, apo sipërfaqja e përfituar në kundërshtim me ligjin nga individë të ndryshëm.






Kreu i Agjencisë së Kadastrës Artan Lame ka shuar dje çdo shpresë të banorëve të Bregut të Jugut për të marrë tokat në pronësi. Madje Lame përshëndeti dhe hyrjen në fuqi të dy vendimeve të qeverisë të marra më 24 dhjetor 2020, të cilat përcaktojnë procedurat e zbatimit të ligjit 20/2020 për “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, që nuk janë asgjë tjetër vetëm se një mohim i të drejtës së pronës për banorët në zonat bregdetare, që disponojnë Akte të Marrjes së Tokës në Përdorim. “Për AMTP e regjistruara përpara hyrjes në fuqi të ligjit 20/2020, nuk shqyrtohet më legjitimiteti i titullmbajtësit.


Pra pronarët do ta disponojnë lirisht pronën. Në kategorinë e AMTP-ve të regjistrueshme, janë shtuar edhe AMTP që janë lëshuar për personat që u është hequr e drejta e pronësisë me krijimin e ish-kooperativave bujqësore apo ish-ndërmarrjeve bujqësore ose trashëgimtarët e tyre. Nuk shqyrtohet më sipërfaqja e përfituar me AMTP në raport me sipërfaqen takuese sipas normës për frymë”, -thotë Lame. Sipas tij llojet e AMTP të cilat nuk shqyrtohen nga Kadastra janë ato që kanë të bëjnë me tokat e planifikuara për “vepra të infrastrukturës publike” ose e thënë ndryshe investime strategjike që s’janë gjë tjetër vetëm persona që kërkojnë të bëjnë biznes në bregdet , ato në rërën bregdetare apo në sipërfaqen ujore dhe tokat truall që shqyrtohen me të tjera ligje.







Resorte dhe Hotele




Por ç’do të thotë shmangie nga shqyrtimi i tokave që përmendëm më sipër. Gazeta MAPO në disa numra të saj ka informuar në lidhje me atë çka po ndodh me tokat e bregut. Me mijëra banorë atje, që kanë marrë AMTP në bazë të ligjit nuk arrijnë të regjistrojnë dot pronën që kanë në përdorim, për faktin e thjeshtë se ato janë vënë apo janë rezervuar për t’u vënë në dispozicion të personave të ndryshëm për ngritje hotelesh apo resortesh turistike. Një ligj për investimet strategjike i miratuar në vitin 2014, njeh si të tilla dhe ndërtimin e objekteve me qëllim biznesi.



Madje asokohe ligji është kundërshtuar nga Bashkimi Evropian, që është shprehur se nuk mund të konsiderohet investitor strategjik një person i cili ndërton për qëllime përfitimi. Fjala vjen, një fshat turistik, nuk sjell asnjë zhvillim apo punësim për zonën. Megjithatë shteti është i detyruar që në bazë të ligjit të ndërtojë infrastrukturën, si rrugë, energji elektrike apo ujin e pijshëm, përveçse t’i vërë në dispozicion me çmime fare të ulëta tokën ku do të ndërtojë. Në vitin 2018, qeveria shqiptare madje në funksion të këtij qëllimi me anë të një Vendimi, kaloi në pronësi të saj rreth 16 milionë metra katrorë bregdet, nga Vlora deri në Ksamil. Ndërkohë që janë me mijëra personat që nuk arrijnë të regjistrojnë tokën pasi pronësinë mbi të e ka shteti.

Ligjshmëria e AMTP
Por një gjë tjetër që bie në sy në fjalën e Lames, është fakti se në bazë të këtij ligji dhe vendimeve që e shoqërojnë nuk do merren në shqyrtim AMTP e lëshuara përpara hyrjes në fuqi të ligjit 20/2020, me të cilin po bëhet shpërndarja e tokave bujqësore. Gazeta MAPO iu drejtua ekspertëve, të cilët thanë se me këtë veprim kadastra nuk bën gjë tjetër vetëm se legjitimon falsifikatorët, apo ata që kanë marrë më shumë metra tokë për frymë nga sa u takon. Këtë herë nuk bëhet fjalë vetëm për bregun, por edhe për periferitë e qyteteve të mëdha të cilat presin të shndërrohen në troje ndërtimi.

Me pak fjalë sipas tyre, favorizohen të gjithë ata që me një mënyrë apo një tjetër disponojnë një akt të marrjes së tokës, por që mund ta kenë marrë me gjithfarë mënyrash. Një tjetër pikë e debatueshme, është dhe fakti se me ligj nuk verifikohet dhe marrja e metrave më shumë se sa u takon në bazë të ligjit 7501, duke qenë të vetëdijshëm se shumë individë kanë fituar padrejtësisht deri në dyfishin e sipërfaqes së tokës nga sa u takonte nga prishja e fermave dhe kooperativave, në një kohë që prej 30 vjetësh pronarët e ligjshëm s’kanë marrë thuajse asgjë. Duket qartë se kemi të bëjmë me një ligj i cili favorizon një kategori të caktuar personash, dhe ligjëron një padrejtësi që ka nisur që nga viti 1991.

Ligji 20/2020 neni 12 pika 2
Toka që kalohet në pronësi, pa shpërblim, duhet të përmbushë, këto kushte:
a) t’i përkasë një prej zërave të tokës bujqësore;
b) të mos jetë pronë private e të tretëve;
c) të mos jetë objekt i formave të kompensimit fizik, sipas legjislacionit në fuqi për
trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave;
ç) të mos jetë zënë nga ndërtime pa leje të të tretëve apo të vetë subjektit kërkues;
d) të mos jetë objekt i investimeve strategjike, sipas legjislacionit në fuqi për investimet
strategjike në Republikën e Shqipërisë.

Llojet e tokës së përfituar me AMTP, për të cilat nuk regjistrohet AMTP-ja

a) truall;

b) vepër e infrastrukturës publike; (investimet strategjike)

c) rërë bregdetare, plazh;

d) sipërfaqe ujore.

1


Etiketa: ,

Pas