fbpx

Mapo Letrare

Kalamajtë e lagjes si personazhet e librit





               Publikuar në : 15:39 - 08/09/19 |
Eli Kanina

Nga Eli Kanina


(DJEMTË E RRUGËS PAL- FERENC MOLNAR)



“As ky nuk është, e kanë marrë” – mu përgjigj nervoze punonjësja e bibliotekës.


Nuk shkova më drejt skedinave për të kontrolluar një titull të ri libri. E kuptova se çfarëdo që të gjeja, ajo nuk do të merrte mundimin të lëvizte vendit për ta kërkuar, veç do më shfrynte… Rrotullova sytë mbi syprinën e sportelit ku gjendeshin librat e kthyer nga ata që ishin në rradhë para meje. Nuk doja të largohesha pa libër. Sikur të ma lexonte mendimin punonjësja i dha dum më në fund: – Ja të jap një nga librat këtu. Dhe filloi të plotësojë kartelën time. U përpoqa të lexoj mbrapsh titullin. – Po unë nuk jam çun! “Djemtë e rrugës Pal” nuk është për mua. – Është libër për fëmijë, kështu që nënshkruaj dhe liro rradhën – u mjaftua punonjësja e bibliotekës. Kur shkova në shtëpi, e vura librin në qoshkun ku strukesha për të lexuar dhe zura të merrem me gjëra koti.

Nuk më kish dalë inati i bibliotekës, dhe duke i qëndruar larg librit, më dukej sikur merrja hak ndaj atij nënvleftësimi dhe vrazhdësie që më prishi shijen e leximit. Por nuk mund të rezistoja më tepër se gjysëm ore dhe me kuriozitet për brendinë por edhe me ndjenjën e fajit e mora librin përsëri. Nuk e ndava dot më nga duart. Hë ta lexoj vetëm këtë, hë dhe këtë faqe dhe faqe pas faqe, nuk e kuptova sesi po e përjetoja me aq emocion atë lojë djemsh. Emocion që herë për mirë e herë për keq, më bënte të zhytesha në libër e ti përpija faqet. Leximi i më shumë se gjysmës së librit u bë që atë ditë, një pjesë fillimisht në këmbë , pastaj tek qoshku gjysëm e shtrirë, në dhomë tek palosja rrobat që motra çnderte nga ballkoni, në tavolinë duke ngrënë darkë, më pas në tualet ku mpirja e gjunjëve më bëri të shkoj për të fjetur.

Tashmë pas ardhjes së gjyshit për të jetuar me ne, unë flija në divanin e guzhinës . Aty leximi vazhdoi me dritën e televizorit derisa mbaroi programi i fundit. Më pas librin e futa nën jastëk, për të vazhduar të nesërmen, sepse nuk ma lejonin dritën ndezur motra dhe vëllai që flinin me mua. Mendoja për Nemeçekun, leshverdhin e vogël që teshtinte si bic i njomë qumështi. Përpëlitesha të flija duke përfytyruar sesi do të ishte roli i tij në dyluftimin e dy grupeve, të nesërmen. A do t’ia dilte? Më prekte ajo gadishmëria e tij për tiu bindur të gjithëve. Më inatoste fati i tij si i vetmi ushtar i një skuadre me komandantë, zëvendësa, sekretarë dhe gjithfarsoj pushteti. E nesërmja ishte një ditë e trishtë sepse libri ishte drejt fundit dhe pas mbarimit të leximit unë nuk mund të shkoja pa kaluar java në bibliotekë.

Edhe më i trishtë mu bë me fatin e Nemeçekut të sëmurë, që edhe pse u bë heroi i betejës dhe kontribuoi të fitonte skuadra e tij, nuk mundi ti shpëtonte sëmundjes. Ishte prekëse shuarja e tij duke folur përçart për fitoren, dhe pa e marrë vesh se emri i tij ishte shkruar me gërma të mëdha ashtu siç e ëndërronte dhe meritonte në fletoren e proçesverbaleve të lojës.Vdekja e tij ishte e tepërt, e papranueshme për mua dhe njëkohësisht një pabesi nga autori. Mu duk autor mosmirnjohës që e shpërbleu Nemeçekun me vdekje. Më kujtohej shpesh asokohe shprehja e gjyshes “i miri s”ka fat, e merr Zoti për vete!” Më ngushëllonte disi kjo shprehje, sepse e bënte kabull të paktën mirësinë e Nemeçekut. Edhe pse kishte kaluar disa javë nga takimi im me djemtë e rrugës Pal, impresioni im nga ky libër, ishte i pranishëm gjithë kohën.

Luanim para pallatit dhe i shihja kalamajtë e lagjes si personazhet e librit. Më dukej se punishtja e duhanit, rruga e Muzeumit, fusha e druve të qytetit tonë, ishin si ato të Budapestit ku ndodhej rruga Pal. Shikoja vëllain tim të vogël të dilte me shokët dhe e porosisja të mos luante me më të rritur sepse bëhej ushtar i komanduar prej tyre. Ai vinte i imët në trup dhe mua më përgjante me një Nemeçek për nga mirësia ndaj shokëve. Ndërsa shoqeve të mia të lagjes pasi ua kisha kallaisur veshët me historinë e librit disa e kishin marrë e lexuar edhe vetë, pas meje, një të shtune pas mësimit, u propozova të shkojmë andej nga Fusha e Druve apo tek Sharra.

E dija që autori i huaj nuk e kishte me këto stivat tona, por mua më duhej të gjeja një Nemeçek për qytetin tonë. Ndoshta edhe të luanim atje, për të jetuar historinë tonë përballë djemve të rrugës Pal. Kështu u nisëm të shkojmë së bashku disa kalamaj të pallatit, aty ku ka gjithmonë diçka edhe për ne, nga bota e librave, pavarsisht se ku dhe kur është shkruar ai. Kaluam shëtitoren e qytetit, stacionin e trenit dhe pothuaj mbërritëm tek vendi. Nga njëra anë e fushës ishin drutë e stivuar që u ndaheshin banorëve për sobat në dimër. Në anën tjetër ishin stivat me dërrasa që të vendosura me sira kubikë kubikë, krijonin ato udhët misterioze në mes që përshkruheshin edhe në libër. Më dukej kaq fantastike për të luajtur aty, sa habitesha si nuk kishim ardhur aty që më parë. Nuk mund ta them sa e përfshirë isha në librin e lexuar por di që çdo hap e hidhja sikur do takoja Çonakoshin, Barabashi, Kolnain etj disa nga djemtë që luanin aty,madje edhe Nemeçekun. Ah sa dëshiroja ta shihja të ringjallur dhe të vërtitej aty.

Ndjeva një nga shoqet të më tundte supet: -Dikush po të thërret, shikoje atë kokëtullacin. Ishte daja im që vinte nga fshati dhe punonte aty, i çuditur që kisha shkuar deri atje. Iu hodha në qafë e përmallur por edhe e kënaqur që edhe ne kishim një aleat mbrojtës aty, ashtu si në libër ishte një nga personazhet, xha Jani që gëzonte e ndihmonte në fitoren e skuadrës së Bokës, ku ishte ushtar Nemeçeku… Daja më tha se sapo kishte mbaruar punë dhe do të vinte në shtëpi të na merrte bashkë me motrën për tek gjyshja.

U kthyem në qytet dhe pasi kalamajtë shkuan tek fusha para pallateve, unë ngjita shkallët e pallatit me dajën për në shtëpi. Sigurisht që u bëmë gati shpejt dhe fluturuam jashtë para se prindërit të ndërronin mendje dhe ta kthenin dajën bosh. Kur kalova përsëri anës Sharrave, drithërova me mendimin se Zoti ndoshta nuk deshi të na lëndojë edhe neve me ndonjë Nemeçek, ndaj na e kurseu vazhdimin e lojës me shfaqjen e befasishme të dajës. Apo na e la për një kohë tjetër? Vite më vonë e bleva dhe e bëra pjesë të bibliotekës time këtë libër që më shumë se të lotonim na bëri të kuptojmë fëmijërinë tonë, duke u bërë libri simboli i saj. Kur fëmijët e mi mbërthehen para “ekraneve” unë e nxjerr dhe u lexoj pjesë nga deklarata e Nemeçekut para skuadrës kundërshtare, dinjitoze aq sa fitoi simpatinë e komandantit Frank Açi, duke i lënë turpin në derë tradhtarit Gerebi.

Shpresoj që të frymëzohen edhe fëmijët e mi, për të kërkuar ndonjë fushë, a ndonjë lojë në natyrë, se sa për ndonjë Nemeçek në brezin e sotëm nuk gjen, ai mbetet një dhe pa të dytë. Jo për fatin por për virtytet në lojën e tij. Edhe tani vonë, sa herë kaloj atë rrugë që më shpie tek fshati i gjyshes, shoh Sharrat që janë aty ku kanë qenë dhe mendoj për djemtë e rrugës Pal. Bie në mendime. Nuk di pse fëmijëria ime nuk e kishte një Nemeçek. Mos nuk ditëm ta jetojmë siç duhet? Apo ndoshta do na duhet të jetojmë edhe shumë vite për ta kuptuar se sejcili prej nesh mbartte një Nemeçek brenda vetes…


Etiketa: , , ,

Pas