fbpx

Aktualitet

Kalemaj: Negociatat nuk u morën nga krimi dhe korrupsioni i qeverisë





               Publikuar në : 09:20 - 19/10/19 |
mapo.alm

Flet për MAPO, Ilir Kalemaj, analist, ekspert i çështjeve Europiane 

Pas një pritje të gjatë të Shqipërisë për hapjen e negociatave me BE-në, përfundimisht me ndikimin e Francës dhe dy vendeve të tjera skeptike, vendi ynë mbeti sërish. Kush mban përgjegjësi për këtë situatë, sa rol ka qeveria shqiptare në këtë dështim?


Po të vihet në rend krahasimor me prononcimet e kryeministrit Zaev që qeveria në Maqedoninë e Veriut binte me dështimin e hapjes së negociatave në provimin e vjeshtës, duken paradoksale deklaratat plot patos të kryeministrit tonë, zv.ministrit të tij të jashtëm por të komanduar si ministër i përkohshëm dhe ndonjë eksponenti tjetër të lartë qeveritar. Pavarësisht se sa punë ka bërë qeveria shqiptare, sa ngelej pa bërë, cilat reforma ka ndërmarrë dhe cilat ka lënë rrugës, fakt është që nuk u ndëshkua vetëm nga vetoja franceze sikundër Maqedonia e Veriut por edhe nga Hollanda me një jo të prerë dhe të qartë, por edhe skepticizmi danez, spanjoll e kështu me radhë. Deri sa dhe udhëheqësja e radhës e Këshillit të Ministrave Europianë Finlanda kërkoi si zgjidhje kompromisi të hapeshin negociatat me Maqedoninë e Veriut që i kishte bërë “detyrat e shtëpisë” dhe nuk kishte kontestime serioze, ndërkohë që të shtyheshin për në pranverën e 2020-ës për Shqipërinë.



Qeveria jonë ka ngritur një pretendim se moshapja e negociatave lidhet me “ristrukturimin e vete BE-së” dhe jo me dështimin e qeverisë në realizimin e reformave. Sa qëndron ky pretendim? Brukseli zyrtar a i ka marrë në analizë ecuritë e dy vendeve të Shqipërisë dhe Maqedionisë së Veriut mbi kriteret e plotësuara apo ka qenë një vendim politik? Macron ngriti si shqetësim emigracionin e paligjshëm dhe çështjen e azilantëve shqiptarë, ndërsa edhe në nëntë kushtet e vendosura nga Gjermania përfshihet korrupsioni, trafiku, mungesa e institucioneve të drejtësisë dhe legjitimiteti i zgjedhjeve të 30 qershorit.


Në fakt, deklarata e kryeministrit hollandez Rutte i cili u shpreh qartësisht se mbartte një vullnet të pastër konsensual parlamentar për një jo të paekuivokë për Shqipërinë, e lidhur ngushtësisht me mungesën e rezultateve konkrete në fushën e krimit dhe të korrupsionit nga ana e qeverisë shqiptare, është përgjigjja më e mirë për çdo lloj kinse pretendimi butaforik. Nga ana tjetër, fakti që jemi vendi i dytë me numrin më të madh të azilkërkuesve në Francë dhe po të shohësh listën e 30 kombësive që kanë aplikuar më shumë për azil në BE, Shqipëria është e 12-ta, nuk besoj se lë vend shumë për interpretim. Interesante është se në 30 vendet e para nuk është asnjë vend tjetër nga rajoni përveç nesh dhe që numrat për 6 muajt e parë të 2019 janë më shumë se për 2018. Ndërsa Gjermania ka listuar aty 9 kushte, nga të cilat disa janë të reja si për shembull reforma zgjedhore, ndëshkimi i krimit elektoral të zgjedhjeve të fundit dhe ndëshkimi penal i atyre gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk kanë kaluar dot vetingun.

Vendimi negativ sa e dëmton procesin e integrimit të Shqipërisë dhe si pritet të jetë situata pas këtij dështimi? Çfarë kostoje duhet të mbajë qeveria shqiptare? Nga ana tjetër, ka zëra që shprehen se Maqedonia e Veriut i plotësonte kushtet, por edhe ajo u “dogj” në këtë proces për shkak të Shqipërisë, pasi vendimi u mor në bllok për të dyja vendet, sa qëndron kjo analizë?

Unë mendoj se pavarësisht mohimeve të përsëritura në publik nga ana e Ramës për mundësinë sado hipotetike të zgjedhjeve të parakohshme, i bindur se me një gur do vrasë dy zogj, kryeministri nuk do të presë pranverën e vitit që vjen për zgjedhje të parakohshme por do t’i organizojë në një kohë sa më të shpejtë. Kjo lëvizje prej “shahisti” do t’i jepte mundësinë të devijonte debatin publik, të mos merrte përsipër kostot e një ekonomie në ngërç dhe me shenja në horizont të një rënie të lirë, të kapte gafil opozitën dhe t’i “vidhte” tezën kryesore, si dhe të shpresonte në një fitore sado minimale që ta fuste vendin në shinat e normalitetit politik, të rikompozonte qeverisjen tashmë në brerje e sipër dhe të rifitonte legjitimitetin e vazhdimit të qeverisjes. Sa është i lirë ta çojë deri në fund këtë plan, kjo pastaj ha vend për diskutim. Por në optikën time kjo është një prej rrugëdaljeve, aq më tepër nëse skenari i zgjedhjeve të parakohshme materializohet në Maqedoninë fqinje.

LEXO EDHE: 

Dështimi është përgjegjësi e Ramës!

 


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas