Ministria e Shëndetësisë bën publik kalendarin e aktiviteteve të promocionit shëndetësor për vitin 2012, nëpërmjet të cilit qytetarët do të marrin informacion për sëmundje të ndryshme. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili theksoi se kalendari është një udhëzues i filozofisë së re të shëndetit publik me tematikat më sensibile dhe më të rëndësishme për komunitetin e gjerë. “Aty do të gjenden që nga problematikat e depistimit të hershëm të kancerëve, problemet e dhunës ndaj grave, probleme të diabetit. I interesojnë thuajse 100% popullatës. Me rritjen e jetëgjatësisë, tashmë vendi ynë hyn tek ato vende që kanë një mesatare të lartë të jetëgjatësisë mbi 78 vjeç, këto problematika hasen gjithnjë dhe më shumë”, – deklaroi ministri Vasili. Sipas kreut të Shëndetësisë, ky kalendar do të gjendet dhe në tavolinat e punës së kolegëve të qeverisë për t’iu kthyer motos së vjetër dhe të re të OBSH-së, që secili mund të jetë sadopak ministër Shëndetësie, sidomos në problemet e mëdha të shëndetit. Kalendari i shëndetit do të jetë në monitorim të vazhdueshëm, ndërkohë që iniciativa të tilla nuk do të jenë vetëm në Tiranë, por do të jenë të shpërndara në të gjithë territorin.