Mapo Letrare

Kalorësi Kadare trokon shekullin





Na ndiqni në Facebook
               Publikuar në : 19:15 - 02/02/20 |
Nga Eli Kanina

“Që të vije kaq e bukur, me këta flokë e këtë hap


Toka klimën e egër zbuti, akullnajat ktheu mbrapsht



Dhe nuk kish si ndodhte ndryshe, t’ndodhte ndryshe s’kish se si


U desh të zhdukeshin përbindëshat, që tek kjo botë të vije ti…”

Ndërsa këngët me tekste nga poeti Ismail Kadare, nuk kishin nevojë për koment se ishin kaq të bukura, sa mbaheshin mend me të parën herë që i dëgjoje, nuk ndodhte kështu me prozën e tij, tek unë të paktën kështu ka qenë. Për mua proza e shkrimtarit I.Kadare ka qenë një farë përbindëshi, me shtresa si qepët, që zhvozhgeshin pas çdo rileximi, për të mbetur çdo herë me një shije të veçantë që të dhuronte një botë të lirë përfytyrimesh, me cekje perlash. I lexoja poezitë e poemat e I.Kadare por prozën e kam lexuar apo mirkuptuar e shijuar shumë më vonë.

Mbaj mend se sa e sa herë recitoja:

“Ku ti kërkoj rrënjët e tua parti?

Si një rrap madhështor mbi këtë vend të lartë

Ke mbirë ndanë udhës ku shkojnë shtrëngatat…” Më pëlqente ta zëvendësoja fjalën “parti” me Shqipëri, dhe më dukej se kështu ishte më e përshtatshme, madje edhe guxoja ta diskutoja edhe me shoqet, sikur unë të isha redaktorja e tij. Ndoshta nuk ka dashur që të ngjajë me poezinë e D. Agollit  “Nënë Shqipëri”, ndaj ka zgjedhur partinë, e përmbyllja sikur doja ta justifikoja. Edhe pse dikur për partinë, në atë poemë gjeje realitetin shqiptar që Kadare e nënkupton me talentin e penës së tij:

“Të ngrenë nga balta e të rivrasin të rënët ”

” Kështu në atë kohë

Kur bora u nxi e balta zu thinjë”,

“Rrezet e diellit ngecnin e gjakoseshin

Tek telat me gjemba

Në çast të perëndimit ”

“Frynin thëllime të ftohta nëntori

Përgjakte gjethet, tundte degët e zhveshura…

Zogjtë cicëronin, telat e telefonit ishin heshtur ”

“Në duart e qytetarëve kërcitnin prangat

Se Atdheu kish ethe, temperaturë të madhe ”

” Ethet e verdha të popullit tim

Mijra vatra të zymta ku pranë njerëzve gdhiheshin

Mite e lugetër e xhindër pa mbarim”

” Ata që do të binin ndjenë vendet e plagëve…

Kush në brinjë, kush në ballë, kush në gji ”

“Ç’ish kjo peshë në gjoks?”

Gjithë këto shembuj janë më shumë sesa fraza për partinë, janë një përshkrim i situatës ku ndodhej Shqipëria, kolapsit të shoqërisë që shkrimtari Kadare parandiente.

Ndërsa filmat- libra të tij ishin të parrokshëm për tu kuptuar prej meje qysh fëmijë. Mbaj mend se, një farë frike a zemërimi të rriturish, përcillnin tek ne fëmijët. Kam ende ndër veshë atë piskamën e trishtë të Elenës ruse në Pashaliman, teksa vinte rrotull si ulkonjë e plagosur, apo batutat “Zheleznov…unë do të godas!”,  “do ta kërkojmë Vlorën gjeneral…” fjalë e imazhe nga filmi “Ballë për ballë”, por pa i nënkuptuar paralelisht me realitetin.Po kështu të zymtë e të pashpjegueshëm mbeteshin për mua dialogët me nënkuptime tek “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i pakuptimtë udhëtimi në veri i çiftit që luhej nga R.Bulku dhe V.Furxhiu tek  “Të paftuarit”, të frikshëm kapuçenjtë tek “Emblema e dikurshme”.

Ishte vetë Kadareja që i sillte ashtu të mistershëm deri në drithërima,, apo emri i tij i shumëlakuar, e përcillte atë mister? Përgjigjen do ta gjeja vetë nëpër librat e tij, pas leximit të parë nga kureshtia, kur u kthehesha së dyti për të konfirmuar ato shenjat prej gjeniu që shkrimtari aq qartë i kish plumbosur, mbi të bardhën e letrës ndër vite. Habitesha, që mrekullitë paskërkan qenë aty dhe unë kisha vonuar kaq shumë për t’i marrë e shijuar! Nuk kisha ditur kodin e leximit të tij, apo…

Të rradhitura prej vitesh tek koka e drunjtë e divanit, që luante rolin e etazherit, asnjëherë nuk më kishin pëlqyer ata libra të udhëheqësit. Pa tituj artistikë, veç të zgjedhur me ca numra të stampuara si verdhacukë, nuk të bëhej ti hapje pale ti lexoje.

Përmbledhja me telenovela “Gjakftohtësia” e autorit Ismail Kadare, qëndronte pranë atyre veprave ngjyrë mëlçie të vrerosur, duke ma bërë të largët marrjen në dorë. Nuk e di pse babi e kish vendosur pranë tyre, ku edhe kishte mbetur. Ka menduar ndonjë lidhje mes tyre, apo ishte një vendosje e rastësishme, nga një lexim i ndërprerë, për të vazhduar më vonë, nuk gjykoja dot atëherë si fëmijë. Ndoshta për shkak të trashësisë, sepse sa për ngjyrën bezhë të hapur, ajo stononte me veprat. Aq më shumë stononte aty mes veprave, ai titull. Dukej sikur “Gjakftohtësia”  ishte një ekiulibër, një thirrje, kundërpërgjigje a qëndrim ironik që i kundërvihej  atij përroi prej gjaku të prishur e vreri, të atyre veprave ideolgjike.

Më vonë kam menduar, se ajo rradhitje ishte edhe një mbrojtje që i bëhej atij libri, nga grisja apo hedhja në kosh, prej pakujdesisë së fëmijëve. Por duhet thënë se kjo i dha hije të rëndë, sa edhe kur doja ta lexoja, stepesha para librit, sikur më duhej edhe më kohë, për ta kuptuar e dashur. Ndërkohë unë i kisha autorët që shkolla, qyteti e krahina e origjinës mi ofronte pa asnjë mister, apo mua më dukeshin më të thjeshtë apo afërt. Ishte koha kur lexoja D.Agollin, K.Petritin, Lasgushin, N.Lakon,  M.Kuteli, T.Laço, S.Andoni, N.Prifti, Dh.Shuteriqi etj. Me apo pa dashje, unë e paragjykoja librin, por jo poetin I.Kadare.

Sigurisht që vajtja në Universitet, ishte një progres edhe i mënyrës time të të lexuarit. Këndi i i të parit dhe leximit të librave, nuk ishte veç ç’më jepnin, por edhe çfarë dëgjoja, shihja e blija vetë. Pas leximit të  “Kronikë në gur”,  “Dimri i madh”,  “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”,  “Ftesë në studio”, e lexova edhe përmbledhjen me novela “Gjakftohtësia”, “Kush e solli Doruntinën”,  “Kështjella”, “Lëkura e daulles”, kuptova tek  “Prilli i thyer” udhëtimin e Besian Vorpsit me të shoqen në kërkim të Eposit në veri, qesha me ironitë deri në sarkazëm për sjelljet e qëndrimet e shkrimtarëve mes tyre dhe ndaj tyre nga dejtuesit, tek godina e vjetër e Lidhjes së Shkrimtarëve  tek “Jeta përballë pasqyrës së një gruaje”, ashtu siç edhe gëzova tek “Ikja e shtërgut” për miqësinë e pazakontë të  Lasgushit me I. Kadarenë. E më pas zura të kuptoj ankthet dhe alegorinë e shkrimtarit tek “Kalorësi me skifter”, duke vazhduar me të tjerë deri tek “Aksidenti”, dhe “Mëngjeset në kafe Rostand”, ku ndjehesha se kisha një shije të përmirësuar leximi, por edhe një farë qartësie sikur kisha në sy monoklin, për letërsinë e Kadaresë.

Një ndihmë në mirkuptimin e letërsisë së Kadaresë ka qenë edhe libri “Kohë e pamjaftueshme” nga bashkëshortja e tij shkrimtare, Helena Kadare. Nëse tek “Një grua nga Tirana” ajo është thjesht një shkrimtare, tek ky libër ajo është edhe shkrimtare, edhe mikeshë, edhe  grua, edhe bashkëkohëse, edhe bashkëvuajtëse dhe po aq mjaftueshëm e zonja për ta mbështetur për të qënë aty ku është me sukseset e tij shkrimtari I.Kadare. Rrëfimet e shpjegimet e saj nuk janë sajime e justifikime për të nxjerrë të mirë apo të larë Kadarenë, por janë argumenta në kohë me emra realë, me data ngjarjesh dhe situata që njihen në histori, që e çlirojnë nga mjegullat personalitetin e tij, me informacione për udhëtimet e qëndrimet e tij, për kohën e shkrimit të librave, me dokumenta por edhe fakte që dëshmojnë se Kadare ka qenë sa i favorizuar aq i përndjekur në atë regjim. Misioni i saj me “Kohë e pamjaftueshme” duket se është përmbushur, tani njerëzit thjesht duhet ta lexojnë. Aty ndodhet historia e Shqipërisë, e Lidhjes së Shkrimtarëve, e shkrimtarit Kadare dhe e njeriut Kadare.

Vitet studentore kanë qenë për mua jo vetëm studimesh por edhe leximesh. Letërsia e poezia më udhëhiqnin në çdo xhest e hap, më ishin kthyer në një hartë ndjesish ku, nëpërmjet tyre shënoja çastet e bukura e përjetoja kohën e vendet. Kthimi nga qyteti im drejt Universitetit, çdo vit të ri shkollor, ishte veç të tjerave edhe gëzimi i takimit me vjeshtën Tiranase si tek vargjet e Kadares:

“…Vjeshtë e zakonshme tiranase

Gumëzhinin

Nga studentët e kthyer trotuaret.

Si flutura

Vajza të nxira nga pushimet, plazheve

Hanin akullore

U telefononin të lumturve…”

Po aq mbresëlënës ishte për mua një varg i I.Kadaresë:

“Pa formë është qielli si tru idioti…” Një asosacion i këtij vargu me tryezën e dikurshme të Anatomisë, ku pedagogu disekonte e na tregonte trutë e  kadavrës së rradhës. Dhe unë përfytyroja atë masë të hirtë, të stërzmadhohej e të na mbulonte të gjithëve, si një qiell i varur, derisa të na merrej fryma. E ndoshta asfiksia e idiotësisë së atij regjimi, e motivuan tek poeti Kadare këtë varg. Edhe tani, kur koha është e vrenjtur, unë vazhdoj të imagjinoj se qielli i ngrysur nuk është një dukuri atmosferike por një pasojë e idiotësisë së njerëzve.

Edhe më tepër e kujtoja shkrimtarin Ismail Kadare, kur kthehesha për në godinat e Qytetit Studenti, pas leksioneve tek Fakultetit të Mjeksisë. Teksa kaloja nga Rruga e Dibrës për tek nëntëkatëshet, përpiqesha të përfytyroja atë broduein e dikurshëm, ato bordurat e djemve të ulur aty, që përtypnin fara dhe ngacmonin vajza. Ishin imazhe nga libri “Dimri i madh” që vazhdonin në mendjen time me pallatin ku ndodhej apartamenti i I.Kadaresë, nga ballkoni ku përfytyroja se i kishte vëzhguar dhe kishte marrë shkas shkrimtari për ti përshkruar në libër.

Kur fillova punë së pari si mjeke në vendlindje, më caktuan në një qendër shëndetsore rreth treçerek ore larg qytetit. Sa herë udhëtoja me autobuzin e mësueseve apo qëllonte që prisja buzë rrugës makina të rastit, recitoja pa fund me vete, poezinë nga libri Koha, të autorit Ismail Kadare, “Mësueset e fshatit”:

“Në udhëkryqe, ndan’ xhadeve

Atje në rrugë, atje në shi

Ato, të urtat gjer në dhembje

Të thjeshtat gjer në madhështi…”

Në rolin e pritëses së autobuzit, më dukej se merrja edhe unë pak nga madhështia e kësaj poezie…

Është e pashmangshme të shkruash mbresa për libra e autorë dhe të mos shkruash për Ismail Kadarenë.Jetojmë në epokën e Kadaresë dhe sado të mos e kemi tagrin e duhur të studimit e vlerësimit siç duhet të penës së tij, ne kemi fatin të lexojmë e të ndihemi brenda veprave të tij.

I.Kadare është dhe mbetet zëri shqiptar më i fuqishëm me librat e tij nëpër botë. Është e pamundur të lexosh romanet e Kadaresë dhe të mos biesh në kurthin e përfytyrimit. Sapo fillon tu gëzohesh gjërave të ngjashme me të tuat, ndihesh e përfaqësuar me tërsej dhe mendon se të përket aty gjithçka lexon, mbetesh po aq e vetgjykuar dhe mban po aq përgjegjësi, për atë që nuk u ndodh, apo ndodh personazheve. Kjo peshë që lexuesi merr nga librat e Kadaresë, është ndoshta forca e penës e mendimit të tij për ta ndarë me njerëzit, botën siç e përjetojmë, dhe për të marrë prej saj në kohë, atë që duhet.Kështu bëhen bashkë dukshëm tek librat e Kadaresë, ata që ishim, ata që do kishim dashur të ishim, ata që s’mundëm të jemi, ata që s’jemi, ata që duhet të jemi, ashtu siç jemi ne, dhe vetëm ne shqiptarët! Me histori dashurish e luftrash të ngjashme. Me përralla, mite, heronj e legjenda të ngjashme. Me përjetime të ngjashme mërish, mallkimesh e mortesh. Me hartë gjeografike të ngjashme me emra lumenjsh, malesh, krahinash e qytetesh. Me mendësi, paragjykime, bestytnira, shanse e fatkeqësi të ngjashme. Me jetë që përngjajnë me tonat që nga lindja, fëmijëria, dasmat, traditat e zakonet shqiptare, që dalta Kadare i ka skalitur mjeshtërisht, duke e radhitur Shqipërinë denjësisht me kombet e tjera, në librin e historisë së njerëzimit.

Ndoshta ne nuk i gjejmë emrat tanë askund në librat e tij, por emrin e Kadaresë e dëgjojmë gjithkund, sapo përmendet Shqipëria jonë, ai na vjen në ndihmë për tu prezantuar me të huajt. Kjo na ndodh shpesh kur jemi jashtë atdheut dhe duam të ftillojmë vendin nga vijmë. Jemi bërë të identifikueshëm në botë falë emrit të tij! Po aq nderues sa orientues e identifikues, shqiptarët ndjehen krenarë në letërsi, me emrin e veprën e Kadaresë, sa herë që bota na e kujton këtë, herë me vlerësime e herë me debate për mosvlerësime. Por çdo herë, duke theksuar përmasat e tij që e kalojnë vendin nga vjen dhe kohën që jetojmë.

Tjetër gjë është kontradita që prodhon emri i tij mes debatuesve brenda vendit, sa herë që flitet për personalitetin Kadare. Kur ai shprehet për situata të caktuara në Shqipëri, sigurisht në rolin e shkrimtarit, paragjykohet se bashkëpunon koridoreve të politikës për interesa përfituese. Kur ai hesht e shikon punët e tij, po aq paragjykohet për heshtjen dhe indiferencën ndaj problemeve të vendit të tij.

Jo rastësisht ia varim hejbet e problemeve tona, dhe jo pa arsye i kërkojmë atij zgjidhjet e përkryera. Është dega më e dalë e më e fortë në trungun e pemës shqiptare! Aq i njohur e i vlerësuar nga bota, duke dashur ta përdorim, ne e keqpërdorim gjeniun tonë të letrave. Hatërmbetemi nga njerzillëku i  tij që s’ka pse të jetë perfekt e unikal ( ne na mjafton vepra), dhe meqë ia dimë jetën, detajet e dobësitë më mirë, si bashkëkombas që jemi,(aq sa na duket se kemi të drejtë edhe të shtojmë e të shpikim bishta), oburra të vëmë tellallin e t’i prishim punë tek të huajt. Kështu gjenden vërdallë nëpër këmbët e Kadaresë, njerëz që shtrëngohen të gjejnë me lupë, nga jeta e librat e tij, detaje plangprishëse, duke harruar se veprat e tij janë jeta e tij. Ai ka faj edhe kur është i pafaj, në këtë kohë tranzicioni, pa patur asnjë post shtetëror tek ky komb, teksa me misionin si shkrimtar i ka tejkaluar edhe qeveritë. Kështu mbetet përherë i kryqëzuar ndër diskutime, por gjithmonë e më i lartuar prej tyre, drejtpërdrejt apo tërthorazi, gjeniu Kadare.

Kadare është si të thuash Zoti i shqiptarëve, ku ata falen, edhe kur nuk besojnë, ku ata e besojnë, por nuk e falin. Herë duke e lexuar përciptazi, herë duke menduar ngushtësisht e herë duke paragjykuar edhe tikët e tij më njerëzore( një ngritje vetullash apo një vështrim të ngrysur, një trokitje e theksuar hapash, një mospërshëndetje a moskthim koke, apo një shtrëngim nofullash në heshtje) interpretohet e ndërtohet një tjetër Ismail Kadare, mëndjemadh e me huqe, që nuk i duhet askujt, e aq më pak veprës e reputacionit të shkrimtarit në botë. Kjo përpjekje e paarsyeshme pa fryt, për ta mjegulluar Kadarenë, i ngatërron njerëzit duke i ndarë lexuesit në adhurues të flaktë ose në më pak dashamirës “ndaj tij si njeri”.  A thua shkrimtar i shkëlqyer nënkupton njeriun perfeksionist!?

Dihet që digat i shpërthejnë, vetëm lumenjtë e rrëmbyer e të fuqishëm. Ndaj Kadare e ka ndarë kohën, shoqërinë, njerëzit, botën në ata që mendojnë si ai dhe të tjerë që mendojnë ndryshe.

Një instrument kaq potencial, me letërsinë e tij, I.Kadare ka qenë e është sfidë e pushteve, frymëzim plot energji e ambicie e bashkëkohësve dhe zili e të vegjëlve dhe dështakëve! Këta të fundit sillen rrotull e mbllaçiten të përvetësojnë nga madhështia e tij, herë duke e ndjekur anës luginës së përshkuar prej tij , të katandisur në lehës, dhe herë duke i zënë rrugën me shkopinj e gurë, që kanë mbetur të lëmyshkur në fund të rrjedhës së pashterur,  të epokës Kadare.

Ashtu siç mesazhohet edhe tek vepra më e re në treg e I.Kadare “Kur sunduesit grinden”, qeveritë shkojnë e vijnë, koha mbetet e shenjuar prej pushtetarëve të penës. E ndërsa sunduesit grinden, duket si shkrepja e gurit me masatin, për të lëshuar shkëndija që humbasin në ajër, derisa njëra prej tyre bëhet flakë e krijon zjarrin. Pastërnaku dikur, apo Kadareja ynë sot janë zjarret, ku sunduesit në fakt dogjën veten.

Diskutimet mbi veprat dhe vlerat e Kadaresë, më kujtojnë kalin e dajës në fshat. Ishte kaq i bukur e i ndriste qimja, sa vinin merak të gjithë që e  shihnin. Duhet të ishte rracë e mirë por edhe daja e kashaiste dhe e ushqente e ia bënte hyzmetin kaq shumë. Kali i dajës ishte i bukur por xanxar. Ishte vështirë, përveç dajës, ta kalëronte njeri e të mos rrëzohej prej tij. Mbaj mend se kur ia shanin kalin dajës si xanxar, ai u përgjigjej duke kruajtur zërin me kollitje, e duke zvargur fjalët:

– Jo mor jo, jooo …nuk është ashtu! Kalin duhet duhet ta shalojë i duhuri …

O njerëz! Mbani vesh! Vini re!

Trak-truk me ritëm hekzametrik trokon e pararend kalorësi i shekullit, Kadare …


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas