Mapo Letrare

Kalorësit e çuditshëm, Don Kishoti dhe pikturat rreth tij






               Publikuar në : 09:46 - 06/04/19 |
Nga Mark Simoni

Nga Mark Simoni


  1. Kalorësit e famshëm dhe veprat kavelereske deri tek Don Kishoti

Nuk kemi as një dyshim se kalorësit historikë janë ndër përsonazhet më të çuditshëm që kanë populluar një pjesë të madhe të ngjarjeve, temave, subjekteve, lëndëve e historive. Franco Cuomo në librin e tij “Storia e epopea della cavalleria” (“Historia dhe epopea kalorsiake”) na jep një pamje të plotë në këtë rrafsh. Flitet aty për origjinën legjendare dhe historike kalorsiake, për kryqzatat në “tokën e shenjtë” dhe në Europë, për institucionet kalorsiake, ritet fillestare dhe rregullat e përkatësisë, për “të fundit kalorës”, urdhërat dinastik. Tregohet për analogjitë në vende e popuj të ndryshëm si Dragojtë kinëzë, yjet afrikanë, imperatorët amerikanë, kalorësit islamikë, shkohet tek rrënjët e integralistëve, pastaj shkruhet për urdhërat e vrasësve, përhapjen e modelit europian dhe samurajt e Azisë.

Në këtë libër një vend jo periferik zë dhe letërsia kalorsiake, me gjetësit (zbuluesit) e mëdhenj, me këngë gjestesh dhe romane kortezie, me “minnesang”-ët gjermane dhe “favoletti” italiane, me veprat e Ariostos, Tassos, Boiardos dhe Pulcit, tregohet për bëmat e heronjëve romantikë Ivanhoe e Fieramoska, flitet rreth veprave të Valter Skotit, për temat e mirsjelljes e për “Zonjën mbi liqen”, për “Ese mbi kalorsinë” të Skot apo “Idilet e mbretit Artur” të Lordit Tenyson, për “Betejën e Beneventos” të Françesko Gueracit (1836).

Shkeputemi tashti nga libri i Cuomos dhe ecim në rrafshe të dijeve tona. Them se veçantia e letërsisë kalorsiake dhe ndoshta toni më i veçantë është epika spanjolle, ku ajo, në fillesat e veta trajton tema të luftës për zaptimin iberik. Madje dokumenti i parë poetik (“Cantar de mio Cid” 1140) është i lidhur pikërisht me këtë periudhë dhe konfliktet kristianiste në Spanjë, dhe menjëherë pas saj, më 1160 vjen “Cronika Najarense” e cila flet për historinë e mbretërve të parë të Kastiljes. Pas rreth tre shekujsh lulëzimi i letërsisë kalorsiake i solli botës të ashtuquajturat “Rromancat e vjetra”, në të cilat ka një repertor të gjërë historik dhe poetik të ngjarjeve të së shkuares.

Në tërë këtë letërsi tradicionale temash e trajtimesh në vitet 1600 hyn në mënyrë krejt të kithtë Servantesi me Don Kishotin e tij, duke i dhënë letërsisë spanjolle dhe botës një veçanti të paimitueshme të imazhit kavaleresk nëpërmjet heroit të vet, duke trajtuar dekadencën e kavalerisë në udhëkryqin mes reales dhe ëndrrës, duke ekzagjeruar iluzionet kalorsiake për të çmitizuar pikërisht atë. Kjo vepër u shpall njerëzve fallsitetin e fabulave ekstravagante të librave kavaleresk, (hipërbolizimi i fantazisë kavalereske).

Në një botim të “Mondadorit” për Servantesin, (jeta, punët-veprat, përsonazhet, pikturat me tema servantine etj ), thuhet se “Don Kishoti është dhënë me ironi, por dhe me një butësi e dhimbje, në një narracion të jashtëzakonshëm. Megjithë tonet çmitifikuese që rrënojnë mitin e kavalerisë, romani i Servantesit mbetet prap një vepër tipike kavalereske.”

 

  1. Spanja e çuditshme e krijimit

Në tërë ato emra të mëdhenj vendesh, lundërtarësh e aventurash, e kujtë më shumë se Sanjës i shkojnë heronjtë e udhëve dhe rrugëtarët e e çuditshëm.

Spanja e Velaskezit, El Grekos, Gojës, detarëve të vendit Bask, Katalonjës, Majorkës, Andaluzisë, e Huan Ramonit, (poetit të madh), që lindi e vdiq i vetmuar në fshatin e tij të vogël, por që nga brigjet e të cilit qenë nisur një pjesë e flotës së Kolombit të famshëm, Spanja e Pablo Pikasos dhe Frederiko Lorkës, Maçados dhe Ernandesit, ai vend ku mbërriti heroi ynë Ago Ymeri, (temë që e kam trajtuar dhe para shumë kohësh në shtyp), apo nga na mbërritën imazhet e katalonjasve me fenerë në ballë, vendi i poetëve Salinas, Himenes, Karlo Alvaresit apo……

Apo e Servantesit, e Servantesit dhe e Don Kishotit të tij, e Don Kishotit dhe e Sanços së tij. Edhe Don Kishoti qe një udhëtar, një rrugëtar, që megjithëse nuk shkoi larg me kalin e tij, ai gjithësesi i ra pash e në pash botës.

“Nëse Odiseu udhëtonte pambarimisht drejt shtëpisë, mbasi misioni i tij kishte mbaruar, tragjikja e Don Kishotit është se duan ta kthejnë në shtëpi akoma pa e kryer projektin që ai ka në kokë”, thuhet në një kritikë rreth librit të Servantesit

 

  1. Piktura, bëmat e Don Kishotit dhe temat servantine.

“Koka jonë është strehë imazhesh”, thotë E. From tek studimi i tij “Gjuhë e harruar”. Imagjinata është e populluar vazhdimisht prej mitologjishë dhe eposesh, nga figura mistitike dhe mite, nga heronj përrallash dhe udhëtar e aventurierë historishë të vjetra, nga fate dhe ngjarje të kobshme, nga murgj e rapsodë, nga piratë, fallsifikatorë, kusarë e mjeshtra të mëdhenj, nga filozofë e teologë të çuditshëm..  ……

Por nëse dikush vjen në përfytyrimin tonë nga shtegu i bëmave kalorsiake dhe prej faqeve të librave, ai s’ka se si të jetë tjetër kush veçse Don Kishoti i famshëm, komiku ynë i mjerë, heroi i mrekullueshëm grotesk dhe tragjik i letërsisë botërore, i shprralluari dhe misionari i çmendurive dhe fateve të veta dhe të kësaj bote. Mbi një kalë gërdallë, i pushtuar nga idetë e tij dhe imazhi i Dylqinjës së bukur, me heshtën e gjatë dhe Sançon e shkurtër, që i vjen pas me gomarin e tij.

Qyshë në krye të herës Don Kishoti qe figura interesante që gazmoi shumëkënd me historitë, bëmat, travajet dhe aventurat e pafund. Piktorët qenë aty ku prodhohej e ndjehej ai realitet, (qenë të përfshirë në atë situatë që shkroi Servantesi), dhe nuk u vonuan ta bënin të tyrin këtë hero të çuditshëm që po i afrohej kaq pranë imazhit.

E para qe kështjella Sheverni, rezidenca verore e Maria de Medicit, ku u bënë ilustrime murale të temave të Don Kishotit. Në 34 piktura të vendosura në dy galeri dhe në dhomën e ngrënies, dalloheshin episodet më komike si: lufta me mullinjtë, takimi me fshatarët, thirrjet për Dylqinjen. Qe pikërisht Jean Mosnier 1600-1656 që provoi i pari të rreket pas ideve dhe imazhit të Don Kishotit dhe ndodhive të tij plot telashe e groteske.

Ndërsa edicioni i parë i madh me tema të ilustruara nga Don KIshoti u shfaq në Londër në 1738 me 67 vepra, (Vanderbank). Në këtë rast dhe një piktor jo shumë i dëgjuar deri at’herë, por me një stil të ri dhe shumë original (William Hogarth) na jep banketin e Sanços, si Guvernator. Kurse artisti tjetër Fragonard pikturon gjithë energji dhe dinamikë skenën e prishjes së librave kavaleresk, shkaku u çmendurisë së Don Kishotit.

Në Spanjën e Servantesit i pari që hodhi në pikturë temat donkishoteske ishte Cristobal Valero, dhe pikërisht ai trajton groteskun dhe momentit të famshëm kur, Don Kishoti emrohet Kavalier i bujtinës, që me veten e tij dhe në kokë e mendonte për një kështjellë të lartë dhe të rëndësishme. Pronari i bujtinës llomotiste si formulë përbetimi postulate legjendare të vjetra e të pakuptim. Cermonia e kurorzimit të kavalierit merr tone komike mbasi në të është një punonjës stalle që mban një qiri në dorë si dhe një pastruese me një shtizë në dorë që bën muhabet me një fshatar.

Hyrja e Don Kishotit në qytetin e Barcelonës i shoqëruar dhe i përkrahur nga miqtë e banditit Roko Guinari, është një nga afresket më me famë bërë nga një piktor tashmë anonim, që ndodhet në ambientet e bashkisë së Barcelonës.

Vetëm pak vite pas Hyrjes triumfatore të kavalierit në Barcelonë, në kronikat e kohës përmenden dhe dy pikturat e Gobelins që trajtojnë dy çaste komike: Kur Sanço i dërgon Dukeshës të falat e Don Kishotit, dhe tek tablloja tjetër dy miqtë e famshëm të lidhur syshë me shami dhe të hypur në kalin e drunjtë, duke menduar se po fluturojnë në qiell.

Në vitet 1700 tema të bëmave të Don Kishotit i shohim të punuara në sixhadetë më të shtrenjta që përdoreshin në ambientet e larta. Në atë kohë përveç dy punishteve të mëdha të sixhadeve në Madrid, qe dhe një tjetër që përkrahte kulturën e Seviljes.

Në një analizë për Don Kishotin mbaj mend të thuhej se, përveç kavalierit të librave dhe të pikturave ka dhe një Don Kishot tjetër, atë të popullit spanjoll, në kuptimin e imazhit të tij shumë më afër shtresave të thjeshta të spanjollëve. Ka qënë pikërisht kjo që ka bërë që portreti i tij grotesk dhe bëmat e tij komike të aplikohen dhe në orenditë më të përdorshme të spanjollëve. Kemi pra një Don Kishot të folklorizuar dhe të traditës që e gjejmë të pikturuar mbi shumë qypa qeramike (të piktorit Buen Retiro). Gjejmë takimin e Heroit tonë me Damën e tij, Dylqinjën, takimi me demat, takimin e Don Kishotit me banditët dhe plot të tjera.

Në një pikturë që është kataloguar dhe futur në të gjitha antologjitë e pikturës me temë kavalereske, paraqitet Don Kishoti që ka ndaluar në mes të rrugës gjashtë tregtarë nga Toledo, për t’u treguar atyre bukuritë e damës së tij, Dylqinjës, dhe si zakonisht futet në telashe të mëdha. Po e kësaj periudhe është dhe një tjetër tabllo ku një kortezh mortor, me njerëz të frikësuar, mbahet në fshat nën dritën e pishtarëve. Fshatarët kanë frikë për shfaqje e fantazmave dhe të djajve, dhe kavalieri ynë Kishoti, mbron fshatin nga ato qënje të frikshme.

Gjashtë artistë ilustruan tema të Don Kishotit në Akademinë Mbretërore Spanjolle në vitin 1780, megjithëse artistët qenë jo shumë të dëgjuar dhe tepër tradicionalë. Në këtë kolanë u refuzua të punonte dhe Hogarth, (piktor i një stili avangard).

Po të njëjtin fat, rrefuzimin për t’u marrë me temat e Don Kishotit, do të shohim të ketë dhe piktori i madh Francisko Goja. Pas këtij refuzimi Goja pikturon Don Kishotin në një mënyrë krejt të re për kohën, duke prishur gjithë urat me pikturën tradicionale dhe akademike të deri atëherëshme.

Ndryshe nga fryma dhe shkolla spanjolle e të pikturuarit të temave kavalereske, piktorët anglezë e kanë trajtuar tematikën donkishoteske me nuance romantike. Vëmë re takimin e Sanços me Dukeshën, tek artisti anglez James Stothard, dhe një takim tjetër, atë të Don Kishotit me Dorotean, vajzën aventuriere që, për të ndihmuar dhe bindur Don Kishotin të kthehet në shtëpi, shtiret si një princeshë, pikturë kjo e C.R.Leslie.

Një nga piktorët më interesant për kohën, qe në Francë artisti Honore Daumier. Ai  pikturon Don Kishotin tipologjik, të ndjekur prej së largu nga silueta e Sanços e sapo dalë në horizont. Ky artist francez, në pleqërinë e tij, na shfaqet i mahnitur nga përsonazhi i Don Kishotit. Daumier nuk ndalet thjeshtë në një episod të veçantë, nuk rrëfen asnjë nga ngjarjet shumë të përfolura të kavalierit. Ai mjaftohet duke e shfaqur me shtizën dhe mburojen karakteristike, dhe duke nxjerrë në pah kompleksitetin e psikologjisë së Don Kishotit. Me këtë rast dua të theksoj se një tendencë që vihet re në pikturat që trajtojnë temën e Don Kishotit është ajo e përzierjes së ikonografisë spanjolle donkishoteske me romantizmin francez. Dhe përfaqësuesi më tipik i së cilës është Celestino Nanteuil, një litograf i shkëlqyer francez, që jetoi gjatë në Spanjë dhe bëri atje 48 litografi të famshme me ngjyra, me temat donkishoteske.

Nëse shohim spanjollët që e kanë pasion trajtimin e temave të Don Kishotit, apo francezët e anglezët që nuk rrinë aspak larg kavalierit dhe ngjarjeve të tij, italianët dhe piktura e tyre, ka qënë më indiferente ndaj heroit servantin. Shohim tek tuk në të rrallë ndonjë kontribut si: tre piktura të çmuara të Giovanni Fattorit, si dhe ilustruesit e shekullit të 19 Francesco Novelli dhe Bartolomeo Pinelli që i dedikohen ilustrimit të temave të Don Kishotit.

Piktori psikologjist anglez John Gilbert na jep në tabllo çastin kur Don Kishoti, mbasi është mundur nga kalorësi i Binca Lunas, po kthehet tashmë në shtëpi. Me të parë fshatin e lindjes, Sanço gjunjëzohet i lumtur dhe përshëndoshet me vendin e tij. Piktori ka mundur të na transmetojë atmosferën solemne dhe patetike të këtij episodi.

Moreno Carbonero na sjell dekikun kur Don Kishoti në lindje të diellit, kalon pragun e portës dhe niset për rrugën e tij të gjatë.

Krejt ndryshe artisti spanjoll Jose Maria Sert, që ka në qendër të pikturës së tij një Sanço të Pançës shumë entuziast dhe ndryshe nga herët e tjera, në përgatitjet e martesës së të pasurit Kamaçio me bukuroshen Kiteria. Sanço vihet re të defrejë me pije me shokët e tij. Në një shoqëruese që i është bërë kësa tablloje, në një revistë spanjolle vihen dhe këto fjalë: “Dhe le të rrijë padroni i tij i mbyllur në shtëpi, duke medituar për fatin e të varfërve dhe të pasurve, ai Sanço mund të jetë në anën e atyre që kanë shumë para.”

Asnjëherë, nuk mund të mendohej se piktori i madh me origjinë spanjolle Pablo Pikaso do ta harronte Don Kishotin e vendit të vet, dhe qoftë dhe në një cast të vetëm ai bëri një dizenjo grafike për këtë përsonazh të çuditshëm dhe për mikun e tij Sanço.


Etiketa: , , , ,

KOMENTO (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

  1. Gjthmonë,ndërsa hasë emrin e MARK SIMONIT,jo vetëm ndaloj, por lexoj me shumë kërshëri shkrimet e tij. Ka një penë perfide dhe tek çdo shkrim i tij,lexuesi jo vetëm befasohet,por del me një relaksim shpirtëror të ngrohtë. Çdo lexues ka dobi dhe zgjeron dijet e tij,përmjet shkrimeve të MARK SIMONIT,ndaj e përshëndes veçanërisht!

    Tiranë,6 prill 2019

    Përgjigju ↓
CLOSE
CLOSE
Pas