Aktualitet

Kalvari i vuajtjeve, kultura dhe familja e veçantë Shyti














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:55 - 06/06/21 |
Mark Simoni

Bisedë me romancierin Sokrat Shyti, vëllai i fundit i dinastisë Shyti
Bashkëbisedoi Mark Simoni






Lexuesi ynë a mund të dijë diçka rreth vëllazërisë kulturore Shyti, dhe fatet e kësaj familje?


Në Lushnjë familja e Thanas Shytit zinte një vend të nderuar, sepse aty lindën dhe u rritën dy artistë dhe një shkrimtar. Vëllai i madh Ilia Shyti, që e nisi karrierën e tij artistike si piktor dhe regjisornë Shtëpinë e kulturës, në moshë fare të re shpalosi talentin si aktor. Prandaj shumë shpejt u pranua në trupën e Teatrit Popullor, duke interpretuar që nga “Familja e peshkatarit” në rolin e Veipit, tek “Karnavalet e Korçës” Nikollaqi, në filma si “Rrugët e bardha” xha Rizai, Por vëllain tim të madh e njohën të gjithë fëmijët e Shqipërisë si “Gjyshi i përrallave”. Megjithëatë, edhe se “Artist i Merituar”, në jetën e tij u shfaqën dhe qendrime jodashamirëse, sidomos kur ndodhi arratisja e vëllait tim të dytë, Zoi Shyti, piktor.





Pas mbarimit të Liceut “Jordan Misja”, Zoi endërronte të shpaloste talentin e tij përtej Shqipërisë dhe Europës. Ai u arratis fillimisht në Greqi, dhe një vit më vinë në Amerikë, ku përfundoi Akademinë e Arteve të Bukura, dhe Universitetin e Pensilvanisë. U nderua me çmime ndërkombtare, dhe në Amerikë dhe francë mori titullin Profesor. Punoi në Francë, Firence, Hollandë dhe Danimarkë, si dhe u caktua Profesor në Akademinë ku u diplomua. U shqua për tabllotë “Nënë Tereza”, e ekspozuar në pallatin e Kongreseve.



Ku fillojnë hapat e parë dhe aktet e krijimeve tuaja në letërsi?



Ndodh shpesh gjatë rritjes trupore, pas kapërcimit të fëmijërisë, kur shfaqen shenjat e para të mendimit serioz, zgjohet kureshtja dhe interesimi për bisedat e të rriturve, ndizet në vetëdijen e zgjeruar vatra e tërheqjes pas disa çështjeve, të cilat më parë rrinin të përgjumura. Pikërisht në këtë moshë e tërhoqi mbesën time pyetja: ”Pse gjyshi im shkrimtar, autor i disa romaneve, ka mbetur anonim, njihet shumë pak?!…Kur shumica e bashkëmoshatarëve shkrimtarë përmenden here pas here edhe në orët e mësimit të letërsisë?!…”
Ajo kishte dëgjuar se gjyshi i saj filloi të shkruante letërsi në moshën rinore, që kur ishte 21 vjeç shkroi romanin humoristik, “Madam Doktoresha”! Por kjo ngjarje e rrallë nuk përmendet as nga studiuesit e as nga kritika letrare! Ky mohim e çoi tek pyetja tjetër: pse emri i gjyshit u la në harresë të plotë, dhe dorëshkrimi i romanit “Madam Doktoresha” u “tret” si kripa në ujë në mjedisin e Lidhjes së Shkrimtarëve, sikur e përpiu materia e Zezë?!…

Përgjigjet e këtyre pyetjeve mbetën pa përgjigje edhe kur ajo mu drejtua drejtpërdrejt, me shpresë se pas bisedës për letërsinë do dëgjonte diçka konkrete për të kaluarën e hershme, ç’gjë e veçantë më ndodhi në moshën rinore, që ma theu ëndrrën dhe më mënjanoi nga shoqëria?!…

Na tregoni pak për vitete në Gjimnazin e Shkodrës dhe si student në Universitetin “Lomonosov”:

Dëshira për t’u arsimuar më dërgoi në Gjimnazin me emër të madh, në qytetin verior të Shkodrës, me tradita të hershme kulturore, ku u pajisa me dije bashkëkohore, të cilat hodhën bazat për të studiuar në Universitetin “Lomonosov” të Moskës.

Këtu pata fatin të njihem me nipin e Rabridanant Tagorës, Profesor doktor i Letërsisë, Guno Mukerrje! Kjo njohje më dha mundësi të jem i ftuar nderi në 1OO Vjetorin e Lindjes të poetit të madh Indian me fame botërore, që u zhvillua në Balshoj Teatër nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Akademia! Pata rastin të bëhem pjesëtar i grupit artistik shqiptar me kompozitorët Tonin Harapi, Vath Çangu dhe baletmaestrin, Gëzim Kaceli. Njohja dhe shoqërimi në qytetin piktoresk të Soçit me dy pianistët më të famshëm botërorë të viteve 6O-të, rusin Ashkenazi dhe amerikanin Van Klibner, koncerti fantastik i këtyre dy korifejve të muzikës klasike, në Tetrin Veror, në muajin korrik të vitit 196O, e pasuruan ndjeshëm shpirtin tim rinor!,,,Të gjitha këto ishin antiteza e ngjarjes që tronditi botën, (dhe ne studentët e asaj kohe ndodheshim në Moskë), Mbledhja e 81 partive komuniste e punëtore, ku Diktatori komunist shqiptar, Enver Hoxha, iu kundërvu Udhëheqjes Sovjetike për të dëshmuar se do jetë Stalinist deri në vdekje, madje permes një vetëmburrje megallomane i paralajmëroi se do jetë “Udhërrëfyesi” i vetëm i Marksizëm-Leninizmit në krejt rruzullin tokësor!… Pas 50 vitesh ishte i përmallshëm ripërtritja e përjetimeve të adolëshencës shkollore. Ndarja krijon një gjendje shpirtrore tronditëse, të dhimbshme sidomos me shoqet dhe shokët e klasës. Ndjeva kënaqësi kur përqafova shokun e bankës për katër vite rresht, Xhavidin. Dhe kur po ecnim në rrugën për në konvikt, hodha vështrimin për tek shtëpia tre katëshe, në bodrumin e së cilës banonte familja e Fransit. Me Fransin, shokun e klasës, ishim takuar një herë në Lushnjë, kur të dy ishim të internuar. Konvikti ishte vendosur në godinën solide të akademisë jezuite, ku diktatura kreu një masakër të llahtarshme, dogji librat e bibliotekës më të pasur në Ballkan.

Ishte befasuese kur Bashkimi më njoftoi kumtin interesant, se Laura Konda, folësja e “Zërit të Amerikës” ishte vajza e profesoreshës sonë magjepse, Drita Shundit. Dhe njëra nga gazetaret e këtij televizioni, Bardha Shpuza Azari, qënka bija e Halit Shpuzës, Maturantit të klasës C. Në dhomën e turizmit të vjetër, biseda me shokun tim të fëmijërisë,goditur të dy nga diktatura, u zgjerua më tepër.

Po kur u kthyet në atdhe, cili qe fati juaj dhe i ëndërrave që kishit për të ardhmen?

Por pas kthimit në Shqipëri, shtjellat e jetës më dhanë tjetër drejtim: u punësova në Radio-Difuzion, si redaktor në redaksinë e Rinisë dhe Fëmijëve, ku njoha gazetarin kurajoz, Vangjel Lezhon, (që kishte mbaruar studimet për gazetari në Universitetin e Leningradit), dhe mbeti në kujtesën time si personazh i gdhendur, më pas u jetësua në romanin “PËSHTJELLIMET E FATIT”, në dy vëllime, që u botua nga Instituti i Studimeve kundër krimeve të Komunizmit, pas disa dekadave. Rruga si gazetar në Radio-Difuzion nuk vazhdoi gjatë: ajo u ndërpre pas një viti e gjysmë. Bashkë me të u fundosën dhe ëndërrimet pët t’u bërë shkrimtar në terrin e internimit 27 vjeçar!…Diktatura e egër komuniste na degdisi familjarisht në kasollen e lopes, në fshatin Ardënicë!…Kjo periudhë kohore përtej çdo imagjinate la vragë të thellë në kujtesën time kur u ktheva në Tiranë nga internimi i gjatë, pas tridhjetë e ca viteve. Ishte koha kur kryeredaktori i gazetes Dielli”, në Neë York, Dalip Greca, shfaqi mendimin të bënte një intervistë, dhe ky mendim u bë shtysë të shkruaj romanin “Mbijetesa në kasollën e lopës”.

Vullkani i internimit ziente brenda shpirtit të revoltuar, dhe priste të derdhte Llavën e përjetimeve të ngjarjeve rrëqethëse, që kishin sterrosur Shqipërinë gjatë dekadave të Diktaturës. Sepse lumenjtë e llavës së nxehtë nuk mund të rrinin ndrydhur brenda kujtesës në atë tejnxehje inkandeshente. Dhe filluan të derdhen njëri pas tjetrit…Me këtë vrundull të pa ndalshëm frymëzimi u shkruan romanet “Përtej misterit”, , “Gërryerjet e makthit”, “Midis vorbullës dhe tundimit”, “Hija e turpit dhe e vdekjes”, “Nata fantazëm”, “Koloneli kryedhjak” etj. Romani voluminoz, “Nata FANTAZMË”, i sponsorizuar për botim nga “ALLBANIA UNIVERSITY”, u nderua më 11 shtator 2015 me Çmimin e Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë, në Orllan të Kosovës. Por kjo ngjarje e shënuar nuk u përmend në asnjë stacion televiziv dhe median e shkruar të Shqipërisë! Ndërsa tre televizione kosovare i bënë jehonë të madhe! Madje pas disa ditësh edhe në gazetën DIELLI të New Yorkut u botua një shkrim i gjatë për shkrimtarin Sokrat Shyti!…

Pse këtu vazhdonte të mbahej ky qëndrim hakmarrës ndaj krijimtarisë time, fyes e mohues edhe pas 25 viteve të tranzicionit demokratik, si atëherë kur shkrova romanin tim të pare dhe Diktatura e Proletariatit më syrgjynosi në baltrat e Myzeqesë, në izolim të plotë?!…Atëherë më zbuan nga Tirana “non grata”, dhe me Vendim të Komisionit Qeveritar të Internim Dëbimeve humba të drejtën të rikthehesha me banim në kryeqytet, më quajtën të deklasuar dhe ma ndrydhën talentin në skutat më të errëta, që krijimtaria letrare të mos e shihte kurrë dritën e diellit!…

Megjithatë s’ma merrte mendja se edhe në vitin 2015, kur kisha shkruar një krijimtari të begatë letrare, dhjetë romane, dhe vlerësohesha me një Çmim Letrar, mund të përsëritej në forma e përmasa drithëruese e njëjta urrejtje ndaj meje, ndonëse kishin kaluar njëzet e pesë vjet nga shkërmoqja e murit të Berlinit!…Kjo dukuri kanibaleske dëshmoi se hija e Diktaturës vazhdonte të ushtronte trysninë shtypëse ndaj shkrimtarit të ndëshkuar, dhe gjasat tregojnë se do jetë vazhdimisht e pranishme në marrjen e çdo vendimi!…

1


Etiketa:

Pas