fbpx

Aktualitet

“Kam qenë shumë mik me Dritëroin”, e bija rrëfen bisedën me Kadarenë





               Publikuar në : 17:24 - 26/06/19 |
mapo.al

Elona Agolli, e bija e poetit, Dritëro Agolli rrëfen bisedën që ka zhvilluar se fundmi me shkrimtarin Ismail Kadare. Nga shenimi i Elonës, duket se Kadare ka patur merak të sqarojë të bijën se në të vertetë Dritëroin e ka patur mik të vjetër. Ndërsa ato çfarë shkruhen për një marrëdhenie “të ngrirë” mes tyre, sa Dritëro Agolli ishte gjallë, Kadare i ka cilësuar “skenarë të sajuar”.


Statusi i plotë i Elona Agollit në facebook



Pak pas mesditës, në kafenenë mes gjelbërimit, aty ku vite më parë babai im ishte takuar me mikun e tij të vjetër, Ismail Kadare, do të ulesha edhe unë, përballë tij, e mallëngjyer dhe jo me pak emocione.


“Zoti Kadare po ju priste, si rrallëherë ndodh me dikë”- përsëriste botuesi dhe miku ynë Bujar Hudhri.

U ula pranë, duke vëzhguar sytë e buzëqeshur, qendrimin plot siguri, siguri që përcjell madhështia, gjeste e mimikë që transmetonin përmallim, pasi pranë tij qëndronte vajza e mikut (miqësi që të paktë e kanë kuptuar në ngjyra, thellësi e dimension)

“Ky do të ishte lajm -, theu heshtjen me plotësinë e zërit të tij. Pasi unë kam qenë shumë mik i afërt me Dritëroin dhe madje shumë herët, që në Gjirokastër, mik i ngushtë…Atë çfarë unë ndaja me të, nuk e ndaja me askënd. Është punë tjetër çfarë serviret në skenarë të sajuar”.

Vijonte rrjedhshëm biseda dhe vetja herë më kthehej në fëmijë kur xhaxhi Ismailin e dëgjonim dhe e shihnim me kureshtje, pasi ai ishte figura magjike dhe mistike, dhe herë adoleshente kur dhurata e një këmishe të hollë, ngjyrë gjaku, më nxiste në rrugëtimin e vrasjemendjes të përse-ve dhe simbolikës së asaj dhurate .
U fol për shumëçka rreth asaj tavoline; për Gorkin dhe letërsinë e realizmit socialist, për figurën e diktatorëve në anët e tyre mizore por dhe të vanitetit, vanitet që disa herë i lejonte të bënin edhe të mira; për Fishtën me hamendësimin “a do të dinte në gjallje të tij kundërshtitë e krijuara falë veprës së tij “për Lasgushin dhe librat e kujtimeve mbi të, për zhanrin e memorieve dhe sa i përhapur është në letërsinë e vendeve të ish -Lindjes; hera – herës biseda ngjyrosej edhe nga ironia (sa e ngjashme me atë të babait tim!)

Qendruam gjatë dhe u fol gjatë, por “e padukshmja”, ajo çfarë shpirti përcillte, shprehej në dritën dhe përmallimin e hijshëm të syve.

Një flutur e murrme vringthi bëri një gjysëm rreth mbi tavolinën ku qëndronin gotat tona. Ndoshta vetëm unë e vura re, ndoshta veçse mua më ndjek në dhomat e trurit tim “ëngjëllushja” flutur. Isha unë aty, ajo, bija që përcjell mesazhet e shpirtit dhe rrekej të hapte portat e alkimisë së shpirtrave.


Etiketa: , , ,

Pas