Rehyl Toska, një nga kamarierët më të vjetër të Shkodrës, ka marrë një nismë sa të veçantë aq edhe sensibilizuese.
Ai ka vendosur me të gjithë bakshishet që ka mbledhur bashkë me kolegë të tjerë t’ia dhurojnë nënës së Musaen Zenelit, që humbi jetën në ditën e parë të punës si kamarier në masakrën e ndodhur në Velipojë.
Në programin “Abc e mëngjesit”, ai u shpreh se janë mbledhur 2.5 milionë lekë bakshishe dhe sot në orën 12:00 do të shkojë t’ja dorëzojnë nënës së viktimës.
Toska theksoi se të punosh kamarier në Shqipëri është paragjykim, por sipas tij puna është nder.
“Ideja ishte për të kontribuar me familjen time dhe aty jam prek. Kam që 16-17 vjeç dhe deri më sot që punoj. Sot kam një lokal timin. Jam interesuar për familjen dhe do të shkoj t’ja çoj direkt në dorë të nënës së vet.
Fjala kamarier është përbuzje në Shqipëri, unë mbaj familjen time me këtë gjë. Më thonë ça punon kamarier, mbahen fëmijët me bakshish. Puna është nder.
Me kismet të madhit zot rreth orën 12:00 do shkoj t’ja dorëzoj nënës së tij. Kanë ardhur njerëz më kanë dhënë lekë me zarf, me lekë në dorë, unë nuk kam hap llogari, po më kanë pritur shumë mirë”, tha ai.