Nga Ndriçim Kulla
“Lehtësia e papërballueshme e qenies” është njëri nga librat më të bukur të letërsisë botërore. Ndoshta për kryeministrin tonë, autori Milan Kundera është akoma dhe më i çmuar, përderisa e ka bërë lajtmotiv të mënyrës së sjelljes së tij qeverisëse. Me një shpejtësi krejtësisht befasuese ose më mirë krejt të papërshtatshme nga ana e pikëpamjes së opinionit publik, me një tweet, me një batutë në një miting “për gurët e hedhur ndaj shtëpisë së përbashkët” a me një sulm për “vajmedet opozitën”, ai në mënyrë konstante ka dashur t’i kalojë sa më lehtë të gjitha dorëheqjet e bujshme të ministrave të vet të brendshëm (Tahiri e Xhafa), arrestimin e deputetëve të tij (Prenga, Bushi, Ndoka, Froku) apo dhe denoncimet ndaj kryebashkiakëve të tij ( Dako e Roshi). Është kjo lehtësi që bëhet arrogancë e deri në cinizëm, për arsyen e thjeshtë të çdo individi, pasi janë ministra të cilët pak më parë se t’i “likuidonte” ai i ka patur si shtyllat e qeverisjes, janë deputet të cilit i ka cilësuar të pafajshëm në procesin e dekriminalizimit apo si kryebashkiakët më të dalluar me të cilët është mburrur nëpër takimet e fushatave elektorale.
Ndaj, është krejtësisht e papërballueshme, tanimë për shumicën e njerëzve, kjo lehtësi me të cilën i kalon dorëheqjet dhe arrestimet e “personaliteteve të veta” qenia e qeverisjes së sotme. Petët e byrekut të skandaleve tani janë hapur, edhe të tjerë pritet të hapen, e kjo është padyshim një pasojë e padiskutueshme edhe e luftës dhe aksionit denoncues të opozitës. Por, po kaq minimizues dhe shpesh shfokusues është aksioni i mazhorancës. Jemi në pritje të ethshme prej disa ditësh se ç’do të thotë në intervistë Saimir Tahiri, sikur të ishim në pritje të shpalljes së albumit apo këngës më të re të një pop star-i. Jemi në pritje të daljes edhe të incizimeve apo kushedi ç’procesverbaleve të tjera të prokurorisë për aksh ministra apo kryebashkiakë. Nuk do të doja të merrja përsipër mendimin e popullit apo t’u shpjegoja, po njëlloj, me një lehtësi të pabesueshme, se shqiptarët janë të zgjuar dhe nuk i hanë këto pallavra, siç bëjnë qeverisësit tanë. Përkundrazi, populli i di dhe i kupton të gjitha, e jam i sigurt se mendon shumë më mirë dhe më thellë se të gjithë politikanët. Për të gjithë këtë situatë, sado konfuze që ajo të duket nga jashtë, unë do të doja të shprehesha në favor të së mirës së përbashkët, në favor të ecjes përpara të Shqipërisë pavarësisht së majtës që është në pushtet, pasi nuk besoj se kjo parti ka aq shumë të bëjë me lidhjen me krimin, bandat dhe hashashin që etiketojnë sot qeverisjen. Më tej, nëse shohim edhe gjendjen e brendshme të së djathtës, mund të kuptojmë menjëherë se pika e vlimit ka arritur kulmin, se pakënaqësia legjitime ndaj qeverisjes është gati të kondensohet në një aksion politik. I takon pikërisht lidershipit dhe PD- ës që të gjejë mënyrat dhe mjetet e kristalizimit dhe ngurtësimit të gjithë kësaj situate në diçka të qëndrueshme, koherente, serioze dhe morale dhe jo vetëm të denoncojë e të denoncojë….
Nuk dua kurrsesi të përsëris të metat dhe problemet e saj të cilat në mënyra të ndryshme me sinqeritet i kam thënë me dashamirësi, sepse nuk është ky qëllimi, përkundrazi, nëpërmjet kuptimit të tyre do të doja të gjeja rrugët se si mund të shfrytëzohet e gjitha kjo në favor të së mirës së përbashkët, që përmbledh të majtë e të djathtë. Cinizmi dhe arroganca e të akuzuarve të fundit të mazhorancës si në rastin e birit të deputetit Rraja ashtu dhe kryebashkiakut Dako është më se emblematike. Ata akuzojnë Bashën dhe PD-ën se nuk kanë për t’i fituar kurrë zgjedhjet në zonën e tyre elektorale. Ç’është kjo pafytyrësi kur flitet në emër të njerëzve? Për çfarë e marrin këta njerëz popullin, si pa arsye, pa logjikë, si të paracaktuar njëherë e përgjithmonë në mendimin e tij edhe kur e sheh që ti ia ke manipuluar me varfëri, para e krim votën. Po atëherë shtrohet pyetja, çfarë pret opozita, pse nuk reagon me po të njëjtën përmasë. A ka mjerim më të papërballueshëm se sa të ndihesh i pafuqishëm për një popull. Kjo e bën akoma dhe më alarmuese gjendjen, sepse shtron nga ana tjetër, edhe pyetjen e dytë: ku e marrin vallë këtë vetëfuqi, këtë vetëbesim këta njerëz që kërkojnë hakmarrjen te vota? Kjo e fundit s’i takon as qeverisë as opozitës, ajo i takon së mirës sonë të përbashkët, me të majtë e të djathtë bashkë. Një cinik do të thoshte se me këtë opozitë të brishtë dhe delikate, qeverisja i fiton zgjedhjet sa herë të dojë. Është një lehtësi e pakuptueshme një pohim i tillë, madje i tmerrshëm në papërballueshmërinë e tij. Sepse njerëzit, e mira e përbashkët, mund ta gjejë një mënyrë për ta fituar betejën edhe pa ndihmën e opozitës, por pikërisht me fuqinë e votës mohuese ndaj mazhorancës, ashtu siç ndodhi në zgjedhjet e fundit me opozitën. Kjo arrogancë cinike, përkundrazi, duhet të jetë kambana buçitëse në veshët e opozitës për të kristalizuar aksionin e saj. E vetmja zgjidhje është t’i shfaqet kësaj të mire të përbashkët, që mazhoranca e ironizon si “popull i pafuqishëm opozitar”, karta e seriozitetit (koherencës) dhe moralitetit. Ajo duhet të dëshmojë me akte të gjithëbesueshme politike, pse do të jetë e ndryshme nëse vjen në pushtet, pse nuk do të sillet po kështu me krimin dhe s’do të flirtojë po njëlloj me oligarkët si qeverisja e sotme. Duhet të luftohet, me veprime konkrete, ideja e ardhjes në pushtet për vetveten, për interesat e kastës, dhe duhet të ngulitet ajo e ardhjes në pushtet për të mirën e përbashkët. Njerëzit dinë shumë gjëra edhe për opozitën e sotme, edhe për bizneset dhe lidhjet e saj me oligarkët. Njerëzit dinë shumë gjëra edhe për shumë nga dredhitë e saj, se çfarë kanë bërë kur morën pushtetin, që harruan krejtësisht kontribuuesit që i sollën në pushtet dhe e shfrytëzuan pushtetin për vete dhe të dashurit dhe të dashurat e tyre. Duhet dalë përtej vetes me sjellje dhe akte që dalin kundër interesit personal të liderëve dhe afrohen me interesin e përgjithshëm të njerëzve. Kjo është zgjidhja për të sheshuar moralisht perceptimin se të gjithë bëhen njëlloj kur vijnë në pushtet, kjo është seriozja qe duhet të shpleksë nyjën e besimit të njerëzve tek e mira e përbashkët, jo thjesht lidershipit.