Nga Shpëtim Doda
(Rreth çmimit “Kult” për letërsinë 2018)
Prej vitesh tashmë, të shndërruar, në jo pak raste, nga promovuese vlerash, prurjesh dhe arritjesh artistike, në një çështje “qokash”, në më-jep-të-jap-dhe-udha-e-mbarë, konkurset letrare në vendin tonë nuk befasojnë, as orientojnë, ndërkohë që arrijnë, madje me sukses të plotë e të garantuar, të çorientojnë, të skandalizojnë e, mbi të gjitha, të acarojnë dhe të revoltojnë, ndërsa paraqesin e servirin me pompë e tamtame dështaken si të suksesshme, të dobëtën si të arrirë, të pavlerën si vlerë. Çmimi “Kult” për letërsinë i këtij viti nuk është thjesht shembulli më i fundit, por edhe më i dukshmi, më skandalizuesi, më acaruesi dhe më revoltuesi. Thjesht i paprecedentë në gjigantografinë e tij, jo sepse autori, Ardian-Christian Kyçyku, vlerësohej për të dytën herë me të njëjtin çmim brenda tri viteve (një autor mundet ta marrë edhe përvitshëm, lexuesit aq i bën), por për shkak të vetë librit të vlerësuar, i titulluar “Ati”.
Nuk është aspak e nevojshme të jesh i pajisur me dhuntinë profetike të Sibilave, për të parashikuar se libra të tillë si “Ati” i Ardian-Christian Kyçykut, njëlloj si qokat, pompat, duartrokitjet dhe tamtamet e çastit, janë fatshkruar të mbulohen nga pluhuri dhe ndryshku i kohës; po ashtu, nuk është aspak e nevojshme të jesh i pajisur me aftësitë dhe shqisën e kritikut të letërsisë, për të kuptuar qartë dhe pagabueshëm se libra të tillë si “Ati” i Ardian-Christian Kyçykut nuk mund të ishin pjesë as edhe e atyre konkurseve letrare që ndjekin një tjetër kah dhe strategji orientimi, ndërsa synojnë të nxjerrin në pah librat më të dobët letrarë, siç është, për shembull, Bulwer-Lytton Fiction Contest, i sponsorizuar nga Departamenti i Gjuhës dhe i Letërsisë Angleze të Universitetit Shtetëror të San Jose-së, dhe kjo për shkak se një libër i dobët nënkupton përdorimin e dobët, të eshkët, pa pikë energjie, të gjuhës, jo përdorimin e saj të pasaktë.
“Ati” i Ardian-Christian Kyçykut, që Akademia “Kult” i serviri lexuesit si arritja më e mirë e vitit për letrat shqipe, është një abborracciata alla sciamannata, për të huazuar një shprehje emblematike të Dantes, të cilën Fatmir Baçi e shqipëron në një mënyrë po aq emblematike si “kadaif me hudhra”. Që gjendemi përpara një pjate të tillë, e dëshmojnë dhe e nxjerrin qartësisht në pah tri gjëra:
1) trauma, e cila mbetet e errët deri në fund (është hakmarrja, apo dëshira e Atit për të qenë “qoftë edhe disa muaj bir”?);
2) struktura, e cila është plot krisje dhe gropa, në të cilën ndërkallet artificialisht edhe “historia” e një “vëllazërie të fshehtë” dhe e një “misioni të shenjtë” që lexuesi jo vetëm nuk e beson, por nuk arrin as ta kuptojë se përse duhej ndërkallur, çfarë funksioni luan dhe çfarë lidhjeje ka me traumën);
3) gjuha, e cila në këtë libër shfaqet me pasaktësi dhe gabime trashanike deri edhe në rrafshet më të ulëta të saj, atë frazeologjik e leksikor, të cilat ndeshen që në faqen e parë dhe mund t’i kapë lehtësisht jo vetëm redaktori dhe korrektori i një shtëpie botuese, por edhe një lexues i zakonshëm, pa harruar sakaq kërcitjet sintaksore, përzierjet e regjistrave, stili i rrëmujshëm, fjalitë e pakuptimta: “Ati nuk kishte asgjë prej shenjti. Ishte thatim, këmbështrembër, me një pamje prej zhapiku…” – këto janë elemente “prej joshenjti”?!!; apo: “E pat mbyllur kuptimin e vet në këtë botë” – a ka njeri të ma shpjegojë kuptimin e kësaj fjalie?. Problemet e shumta gjuhësore, madje, lënë të dyshosh jo pak që komisioni i Akademisë “Kult” ta ketë lexuar librin, në të kundërt, nuk do ta anashkalonte kurrsesi këtë aspekt, pasi ajo që na shtyn të lexojmë, së pari, është prirja për të pasuruar bagazhin tonë gjuhësor, dhe se roli kryesor i shkrimtarit, i cili është edhe më i hershmi dhe më jetëgjati, është ai i të qenit lëvrues dhe shërbyes i gjuhës.
Natyrisht, në tërë këtë skandal, përgjegjësia nuk bie aspak mbi autorin, i cili – tek e fundit – ka bërë aq sa ka mundur dhe ditur, por tek Akademia “Kult”, pasi është ajo e cila bën përzgjedhjen e autorëve, shpeshherë edhe pa miratimin e tyre paraprak, dhe është po ajo që bën vlerësimin, duke u përpjekur kësisoj të orientojë lexuesin (kjo Akademi nuk mund të fshihet thjesht dhe lehtë pas batutës “topi është i imi, penalltinë e gjuaj vetë”). Në këtë drejtim, madje, kur mësova se libri në fjalë paskësh patur si rivalë vepra të Zija Çelës, Mira Meksit dhe Besnik Mustafajit, autorë tashmë të mirësprovuar në aftësitë, cilësitë dhe virtuozitetin e tyre letrar e artistik, krahas thellimit të revoltës, më tërhoqi dhe vijon të më tërheqë vëmendjen fakti se si ka mundësi që këta autorë nuk janë shprehur në lidhje me këtë skandal, më së paku duke ndërmarrë një nismë për të ndaluar keqpërdorimin e veprës dhe emrit të tyre nga konkurse organizatorët e të cilave mund të kenë prirje apo agjenda të ndryshme nga ato letrare dhe artistike. Dhe me këtë kam parasysh përdorimin e veprës dhe emrit të tyre si “garniturë”, ngjashëm me firmat që marrin pjesë në tender pa paraqitur asnjë ofertë.
Së fundmi, ky skandal gjykoj se duhet të vendosë jo pak në lëvizje edhe vetë Ministrinë e Kulturës. Ministria e Kulturës vërtet ka pushuar së qeni strategia e kulturës që me ardhjen e demokracisë në Shqipëri. Por roli i saj si koordinatore e projekteve kulturore dhe, mbi të gjitha, si promovuese e kulturës kombëtare ka marrë një rëndësi shumë të madhe. Ajo ndihmon në ndërtimin dhe konsolidimin e sistemit të vlerave kulturore dhe, si rrjedhojë, është edhe autoriteti shtetëror që përkujdeset dhe vigjilon mbi këtë sistem vlerash. Kemi parë në vlerësimet që Ministria e Kulturës u ka bërë letrave shqipe, që nga nepotizmi, tarafet dhe gjer te klanizmi dhe qokat e jurisë apo të politikës, por kurrë që të vlerësohet një vepër e shkruar në një shqipe çalashe dhe ngelakeqe, apo thjesht joshqip, si në rastin që po trajtojmë. Dhe kjo Ministri, nuk mund të lejojë në asnjë mënyrë që një ent privat, një akademi, të krijojë modele të tilla të mbrapshta për ta prishur ligsh sistemin e brishtë të vlerave në letrat shqipe. Do të ishte njëlloj sikur Ministria e Shëndetësisë të mos vigjilonte e të lejonte që farmacitë private të tregtonin barna të skaduara apo thjesht helme të ambalazhuara si barna shëronjëse.
Kur thote se ai Kuçuku eshte kafaif me hudhra ka te drejte, se eshte vertet shkrimtar artificial, por kur sjell shembullin e Z. çeles, M. Meksit dhe B. Mustafait ben sygjerime te dyshimta se jane autore qe ka nje jete qe shkruajne dhe nuk kane sjelle asgje te re. Veçanerish keta dy te fundit.