Është ekstraduar nga Belgjika Kristjan Demçe, i cili është dënuar për sasinë e kanabisit që do transportohej me avion nga Divjaka në Itali. Demçe është dënuar me 7 vite e 4 muaj burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda.
Ai dyshohet se ka sigruar lëndën narkotike dhe më pas e ka fshehur pranë pyllit të Divjakës, aty ku u ul avioni i italianit Riformato. Avioni do merrte lëndën narkotike, por gjatë uljes i është dëmtuar goma dhe ka dështuar trafikimi i kanabisit.
Njoftimi i Policisë:
Interpol Tirana
Vijon bashkëpunimi i pandërprerë mes Interpol Tirana dhe homolgëve, për kapjen me qëllim ekstradimi të personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Një tjetër i kërkur bie në prangat e Policisë belge falë shkëmbimit të informacionit në kohë reale mes Interpol Tirana dhe Policisë belge.
Nga specialistët e Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Belgjika drejt vendit tonë i shtetasit Kristjan Demçe, 43 vjeç, banues në Lushnje.
Autoritetet policore belge pas shkëmbimit në kohë reale të informacioneve me Policinë Shqiptare nëpërmjet Interpol Tirana bënë të mundur kapjen dhe arrestimin e shtetasit K. D., me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, në zbatim të urdhër arrestit ndërkombëtar të nxjerrë nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana.
Gjykata e Krimeve të Rënda e ka dënuar këtë shtetas me 7 vjet e 4 muaj burg, për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim”.
Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:
Shtetasi Kristjan Demçe në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë, në vitin 2014, ka tentuar të trafikojë lëndë narkotike cannabis sativa, në rrugë ajrore nga Shqipëria në Itali, me avionin e shtetasit italian G. R.