Kryesore

Kanabisi si vala e gjashtë e spekulimit në tregun imobiliar








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:31 - 26/10/18 |
mapo.al

Nga Gentian Kaprata


– Memo Sovranit


Nëse do të bënim një intervistë të strukturuar me pyetjen e parapërcaktuar ‘cili është problemi më i madh i Tiranës urbane?’, shumica dërmuese e të intervistuarve do të jepnin të njëjtën përgjigje. Ata do fajësonin ndërtesat e shumta që janë lejuar të ndërtohen në Tiranën postkomuniste. Pra, për perceptimin e gjerë publik, në Tiranë janë ndërtuar më shumë godina sesa është e pranueshme, që një qytet të funksionojë normalisht në shërbim të qytetarit. Këtë perceptim e vërteton si fakt edhe vëzhgimi statistikor, sipas të cilit në Shqipërinë postkomuniste janë ndërtuar më shumë se 1 milion ndërtesa dhe banesa të reja. Kjo shifër nuk është teknikisht e saktë përderisa nuk ekziston një matje empirike, por sidoqoftë është një shifër afër faktit. Në Shqipëri janë ndërtuar mbi 400 mijë ndërtesa e banesa pa leje apo shtesa pa leje në ndërtesat me leje, pa llogaritur këtu lejet e shumta të dhëna nga njësitë e qeverisjes vendore në këto 25 vite.



Përbri kësaj gjendet edhe një fakt tjetër, sot në Tiranë dhe në gjithë qytetet e Shqipërisë ka me dhjetëra mijë apartamente apo njësi shitjesh e shërbimesh të pashitura. Edhe ky është një fakt i pamatur saktësisht, por vëzhgimet mediatike që iu referohen deklaratave të ardhura nga sektori i ndërtimit të banesave raportojnë për një stok të konsiderueshëm. Mirëpo, ajo që e bën kritike këtë stok të pashitur është metodologjia nëpërmjet të cilit përcaktohet. Për raportimet mediatike por edhe për sektorin e ndërtimit të banesave imobiliare, të pashitura konsiderohen vetëm ato që ndërtuesit apo investitorët nuk kanë shitur akoma! Pra, atë sasi banesash dhe njësi tregtare apo shërbimesh që kompanitë e ndërtimit kanë në ‘magazinë’ dhe që iu rëndon në bilancet e tyre financiare. Ata, nuk llogarisin stokun, që konsiderohet i shitur për sipërmarrjen ndërtimore, por që janë në tregun e pasurive të patundshme dhe mbeten në pritje për t’u shitur te përdoruesi real.


E kam fjalën për stokun e banesës, që iu nënshtrua asaj që e kemi quajtur vala e dytë e spekulimit në tregun e pasurive të paluajtshme apo shitjet me klering, ku nënkontraktorë të ndryshëm, si ekipet e suvatimeve, bojaxhinjve, prodhuesve e montuesve të dyer-dritareve apo të tjerë si këta, u paguan për materialet ndërtimore apo punimet e bëra nëpërmjet produktit përfundimtar . Është e kuptueshme që edhe ky stok është dhe mbetet në shitje, përderisa një bojaxhi nuk mund të jetojë në 10 apartamente në të njëjtën kohë. Logjika e thjeshtë të thotë se edhe kjo sasi duhet të llogaritet si i pashitur, çka e rrit shumë stokun e produkteve ndërtimore në treg. Po të shtojmë këtu edhe banesat apo njësitë tregtare e të shërbimeve që ndodhen në duart e pronarëve të truallit ku është zhvilluar objekti, dhe për kontributin e tyre në këtë zhvillim janë ‘paguar’ me një përqindje mbi sipërfaqen e ndërtuar, na del se stoku real i imobiliareve në treg është i frikshëm.

Lexo edhe :  "Trafikantët ndryshuan strategji" - VOA: Pandemia s'e ndaloi kultivimin e kanabisit në Shqipëri

Nëse i bëjmë një sintezë të gjithave sa përmendëm më sipër, arrijmë në dy përfundime të padiskutueshme! Së pari, ne kemi rritur me rreth 1 milion banesa e ndërtesa të reja stokun e imobiliareve ndërsa jemi zvogëluar me rreth 500 mijë banorë popullatën në këto vite tranzicioni. Pra, nëse në 1990 ishim 3.2 milionë banorë në një stok të caktuar banesash sot jemi 2.7 milionë banorë në një stok imobiliaresh të shtuar në mënyrë ekstravagante. Në këtë kuptim, më së paku, ne e kemi shteruar urinë për apartamente të reja, me hapësira më të mëdha dhe moderne që lindi me ndryshimet politike, sociale dhe kulturore të vitit 1990-të. Përtej këtij opinioni, si një përfundim i dytë, vjen fakti se ne nuk kemi më nevojë për të ndërtuar banesa të reja sepse kemi një stok të madh që mbetet në treg. Atëherë, kush e ushqen këtë çmenduri të një grushti zyrtarësh dhe sipërmarrësish që po ndërtojnë edhe disa qindra mijë apartamente dhe njësi tregtare të reja?!

Përgjigjia është një e vetëm një: kanabisi i prodhuar dhe i tregtuar me shumicë në vitet e fundit ka krijuar kapitale të lira për të cilat kërkohen hapësira investimi. Asgjë tjetër nuk mund ta shpjegojë këtë shmangie nga ligji i parë i ekonomisë së tregut të lirë: ofertë-kërkesa! Nëse në treg ka me shumicë ‘ofertë’ e mbetur pa shitur, të këmbëngulësh të prodhosh një ofertë shtesë në një sasi edhe më të madhe është një budallallëk që asnjë fëmijë nuk do ta bënte. Mirëpo, grushti i njerëzve që i zotërojnë këto kapitale të lira dhe vendimmarrësit politikë janë totalisht të paaftë të zhvillojnë modele të reja zhvillimi ekonomik, dhe në këtë mënyrë edhe për mundësi të reja investimesh, kështu që i kthehen të vetmes gjë që dinë të bëjnë më mirë: ndërtojnë pallate e kulla! Vetëm kapitale të krijuara në këtë mënyrë nuk të dhimbsen t’i investosh në një treg ku kërkesa është drejt zeros përderisa blerësit po largohen nga Shqipëria; kurse oferta rritet çdo ditë.


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas