Kancelari i Austrisë Karl Nehammer tha të mërkurën se vendosi të shkojë në Moskë për t’u përballur me presidentin rus Vladimir Putin, pas asaj që pa në Ukrainë.
“Mora vendimin që të shkoj në Moskë, të shikoj në sytë e Presidentit Putin dhe ta përball atë me atë që pashë në Ukrainë”, tha kancelari, në një intervistë me Becky Anderson të CNN.
Kur u pyet për mentalitetin e Putinit gjatë takimit, Nehammer tha se Putin ishte “shumë i ashpër” dhe “i qartë” në mesazhet e tij.
“Në këndvështrimin e tij, ai duhet të mbrojë Federatën Ruse, rusët që jetojnë në Ukrainën lindore,” tha ai.
Kancelari austriak vazhdoi duke thënë, se “nuk është e lehtë për Putinin të flasë për krimet e luftës”, duke shtuar se ai u përball me Putinin për krimet e luftës dhe i tha atij, se “është e nevojshme që të ketë drejtësi ndërkombëtare”.
I pyetur nëse Putin pranoi se po kryheshin krime lufte, Nehammer u përgjigj: “Epo, e dini, është presidenti. Në këtë pozicion, ai nuk ishte i qartë.”