Kryetari i PD, Lulzim Basha thotë se vendimi përfundimtar për kandidatët e PD për deputetë që u lanë pa aprovim do ta marrë Kryesia dhe Këshilli Kombëtar.
Teksa vlerësoi procesin e përzgjedhjes së kandidatëve brenda PD, Basha tha se me këtë model do të konceptohet nesër qeveria e tij.
Fjala e Bashës:
“Mendoj se komunikimi ynë për këtë çështje ka qenë i qartë. Në radhë dua të shpreh interesin që media ka treguar. Kjo është një tregues i një fryme ndryshimi, të hapjes së PD, të gjithëpërfshirës së anëtarësisë. Ia dolëm që falë angazhimit të anëtarësisë së PD, besimit që investuan në këtë proces, integritetit me të cilën u zhvillua ky proces, ia dolëm që ta zbatonim për herë të parë këtë proces të seleksionim të kandidatëve. Kjo është një qasje e re që sot zhvillohet brenda PD dhe është një shenjë e qartë si do të konceptojmë qeverinë nesër, ku interesat e qytetarëve do të jenë parësore.
Ky proces tregon në vetvete ndryshimi ka nisur brenda shtëpisë tonë dhe nesër do të jetë pjesë e mendësisë me të cilin do të qeverisim.
Raporti i Komisionit do të shqyrtohet nga organet vendimmarrëse që janë kryesia dhe këshilli kombëtar. Unë dua të falënderoj anëtarët e komisionit, për përkushtimin dhe punën voluminoze që kanë bërë. Anëtarësia ka folur dhe organet vendimmarrëse, kryesia dhe këshilli kombëtar bazuar në këto vendime dhe propozime pasi të shqyrtojnë raportin e Komisionit do të marrin vendimet përfundimtare siç e ka statuti”, tha Basha.