Kryeministri Edi Rama deklaroi se përmes platformës së re digjitale të prezantuar sot, jo vetëm anëtarësia e PS-së, por të gjithë shqiptarët do të kenë mundësi të japin opinionin e tyre rreth “skuadrës që do nxirret në fushë”.
I pari i qeverisë tha se në ditët vijuese pritet një tjetër proces, ku të gjithë qytetarët do të kenë të drejtë të vlerësojnë dhe gjykojnë figurat brenda Partisë Socialiste.
“Në ditët në vijim ne do hapim edhe një proces tjetër, sërish përmes platformës së PS, i ndarë në dy grupe jo vetëm për anëtarësinë por edhe për gjithë publikun, lidhur me deputetët që njerëzit duan.
Këtu nuk do shohim krah, do i japim mundësi të gjithëve të japin opinione në lidhje me figura që gëzojnë respekt, tërheqin vëmendje, kanë mbështetje në komunitete të ndryshme, për të pasur mundësi vlerësimi dhe gjykimi në shkallë të gjerë.
Me listat e hapura të gjithë kandidatët në listë janë potencialisht të zgjedhshëm, na duhet që minimalisht ta dyfishojmë skuadrën, e kemi me 74 deputetë, tek listat e mbyllura vëmendja kryesore ishte tek pjesa fituese dhe tjetra një pjesë ku përpiqeshim të vlerësonim dhe promovonim figura , apo njerëz të rinj, por e dinim që nuk ishin të zgjedhshëm, ashtu sikur e dinin edhe ata.
Sot që po ndryshon rrënjësisht ne duam të jemi sa më të përputhur me ndjesinë dhe pritshmërinë e opinionit në cdo qark në lidhje me skuadrën që do nxjerrim në fushë”, tha Rama.