Kryesore

Kandidati i Ramës si Kostandini i Doruntinës






               Publikuar në : 20:18 - 17/08/19 |
Nga Oerd Bylykbashi

Nga Oerd Bylykbashi


Rama po bën cirk si e si të mbajë Shkodrën që e mori me vetëm 6% të votave. Ka mbledhur këshilltarë e analistë që ç’nuk i propozojnë si zgjidhje. Por kot lodhet. Me 30 qershor ai ka bredhur i vetëm nëpër Shkodër, ka kaptuar Drinin, Bunën dhe Bjeshkët e Namuna pa kandidat. Ja t’ia qartesojme:

1- I propozojnë që t’i kërkojë Valdrin Pjetrit ‎që të japë dorëheqjen se gjoja kjo do të çonte në zgjedhje të parakohshme dhe deri atëherë, të qeveriset Shkodra me nënkryetar që e zgjedh këshilli bashkiak i Ramës (jo i shkodranve). Pra Rama e sheh Valdrin Pjetrin thjesht si dërrase armature betonarmeje për të hedhur karabinanë e pushtetit të tij të paligjshëm mbi Shkodrën, dhe sapo të thahet betoni, i heq dërrasat dhe i hedh për zjarr se nuk i duhen më. Ndërsa këshillin bashkiak të Shkodrës, Rama e sheh si ALUIZNI-n, që do t’i legalizojë katin e paligjshëm të pushtetit mbi shkodranët. Po Valdrin Pjetri nuk emëron dot nënkryetarët dhe nuk jep dot dorëheqjen nga kryetar bashkie sa kohë nuk ka filluar të ushtrojë detyrën dhe ushtrimi i detyrës fillon vetëm pas betimit. As këshilli nuk zgjedh dot ekzekutivin e bashkisë sepse Kushtetuta ia jep të drejten vetëm zgjedhësve me zgjedhje të lira e të fshehta.

2 – I propozojnë Ramës që t’i kërkojë Valdrin Pjetrit dorëheqje para se të bëjë betimin dhe kështu t’i kërkojë pavlefshmërinë e zgjedhjeve KQZ-së sepse nuk ka kryetar bashkie. KQZ të shpallë të pavlefshme zgjedhjet e Shkodrës?! Budallallëk me brirë‎! Afati për shpalljen e zgjedhjeve të pavlefshme nga KQZ-ja ka mbaruar me shpalljen e rezultatit përfundimtar të votimit (se zgjedhje nuk ka patur sa kohë nuk kishte dekret).‎ KQZ e ka ezauruar kompetencën e saj. Datën e zgjedhjeve në Shqipëri e dekreton vetëm Presidenti.

Po nuk janë këto arsyet pse propozimet që i bëjnë Ramës janë budallallëqe.‎ Asnjë nga këto opsione nuk është i mundur. Edi Rama duhet të mbledhë mendjen. Me 30 qershor në Shkodër nuk pati zgjedhje jo vetëm sepse nuk kishte dekret. Me 30 qershor Edi Rama në Shkodër nuk kishte kandidat fare! Zero!

“Si qenka kjo?!”‎ do hidhen përpjete juristët dhe analistët e Ramës. Epo ligji i Dekriminalizimit që prevalon si ligj special mbi Kodin Zgjedhor në cështjen e kandidatëve, është super i qartë. Me këtë ligj kemi adoptuar konceptin italian te ligjit Severino: “incandidabilità” apo siç e ka ligji ynë “moskandidim”.

Moskandidimi është më shumë se moszgjedhshmëri. Me moszgjedhshmëri mund të kandidosh por nuk zgjidhesh. Me moskandidim të ndalohet të regjistrohesh si kandidat. Dhe nese je regjistruar, ai akt është NUL nga ligji. Është njësoj si të regjistrosh kandidat një të burgosur, nje të palindur, një të vdekur apo një të shpallur të humbur me vendim gjykate. Pra regjistron bosh.

Edhe Zëri i Amerikës thotë se e ka verifikuar si të vërtetë faktin e dënimit të kandidatit të Ramës. Sipas ligjit tonë të Dekriminalizimit, një dënim për trafik droge çon në ndalim të përjetshëm. Pra ditën kur Rama zgjodhi kandidatin, ai ishte ligjërisht i “vdekur” si kandidat. Ashtu ishte edhe ditën që KQZ ia regjistroi. Rama ka kalëruar për një muaj përmes lumenjsh, kodrash e malesh në fushatë pas “kandidatit” ligjërisht inekzistent njësoj si Doruntina pas Kostandinit.

Më 30 qershor, socialistët e Ramës që në Shkoder janë më pak se 6% (po të heqim edhe administratën publike si mësuesit dhe mjeket që i cuan në detyrim të votojnë), kanë hedhur votën e tyre në fletë bosh, pa asnjë kandidat.

Pra KQZ ligjërisht nuk regjistroi askënd, nuk shpalli askënd fitues, Rama nuk ka kujt t’i kërkojë emërim nënkryetarësh dhe as nuk ka kujt t’i kërkojë dorëheqjen! Sepse Kostandini i tij zgjedhor kishte vdekur ligjërisht ditën që gjykata italiane kishte dhënë dënimin për trafik droge.

Prokuroria tashmë ka detyrë nga ligji që të përfundojë procesin e KONSTATIMIT të faktit të dënimit. Arta Marku dhe prokurorët e sektorit të dekriminalizimit nuk mund të ndalojnë procesin përndryshe kryejnë vepër penale.

KQZ nuk ka kompetencë ta ndalë procesin e konstatimit të ndalimit sipas ligjit të Dekriminalizimit duke thënë që Valdrin Pjetri ka dhënë dorëheqje, apo kush e di çfarë brroçkulle tjetër shpikin teologët dhe astrologët e saj, që e lexojnë Kushtetutën dhe ligjin si letra tarokesh. KQZ vetëm KONSTATON faktin e MOSKANDIDIMIT. Kaq! Vendimin e ka marrë ligji. Akti i KQZ është formal. Neni 10 i ligjit të Dekriminalizimit është super i qartë: konstatohet pavlefshmëria e mandatit, nuk vendoset “po” ose “jo”. Në të kundërt, katër socialistët e KQZ kryejnë vepër penale.

Këshilli Bashkiak as mund të kryejë ceremoni betimi të kryebashkiakut e as të përzgjedhë përkohesisht një nga nënkryetarët sepse në Shkoder nuk ka patur asnjë kandidat (në fakt me 30 qershor nuk kishte fare zgjedhje). Njësoj si në Kavajë në 2017 kur u hoq Elvis Rroshi nga ligji i dekriminalizimit e kur nuk kishte asnjë kandidat në garë, as nga opozita dhe as nga PS e që më pas u desh të dekretohen zgjedhje të tjera më 25 qershor 2017. Kësaj radhe nuk ka ç’dekret tjetër del sepse dekreti qe cakton zgjedhjet më 13 tetor është në fuqi.

Eh, Ramës i ka mbetur vetëm që si Doruntina, t’i shkojë Shkodrës në derë, e aty të pëllcasë si poçe me verë!

 


Etiketa: ,

Pas