Lulzim Basha i pyetur nga gazetarët, ka komentuar kandidimin e Ervin Salianjit për deputet në Qarkun e Korçës.
Ervin Salianji edhe pse u votëbesua nga anëtarësia e demokratëve të Korçës, u eliminua nga Komisioni i Vlerësimit në PD.
Basha tha sot se vendimmarrja për Salianjin është marrë nga Kryesia dhe Këshilli Kombëtar. Mësohet se mbështetja për Salianjin ka qenë unanime.
“Vendimmarrjet e Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar, janë vendimmarrje statutore. Kemi mundur për herë të parë në Shqipëri të zgjedhim një model që funksionon në demokracitë perëndimore. Për këdo ka dhe mund të ketë vlerësime të ndryshme. Lista jonë është listë e njerëzve për njerëzit. Betejat tona janë në funksion të njerëzve. Jemi përballur me makinerinë më të zhurmshme, më agresive dhe më barbare të dhunës qeveritare, si opozitë. Çdo anëtar i listës tonë është i përkushtuar për ndryshimin dhe do të jetë në fuksion të ndryshimit. Në fund, ajo që shqiptarët duan është të dalin nga ky batak dhe kjo greminë. Lista jonë është garancia se angazhimet tona të bëhen realitet dhe Shqipëria do t’i kthehet shqiptarëve. Në do të sjellimin ndryshimin”, u shpreh Basha.
Ervin Salianji renditet i treti në listën shumëemërore të kandidatëve në Qarkun e Korçës. Në 2017-ën ai u zgjodh për herë të parë deputet, po në Qarkun e Korçës.