Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të hetojë të gjithë rastet kur një person ka shënjuar gishtin më shumë se një herë në aparatin e indetifikimit elektronik.
Ndërkohë sot në magazinat e Lundrës ndodhen 5199 aparaturat e identifikimit elektronik, të dhënat e të cilave do të transferohen drejt serverit të KQZ-së.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi dhe nënkomisionerja Lealba Pelinku ishin sot atje për të parë nga afër procesin.
Në një prononcim për mediat Celibashi tha se do të bëhet identifikimi dhe nëse do të ketë raste kur zgjedhësi ka votuar më shumë se një herë, atëherë do të japë llogari.
Ilirjan Celibashi: Pas kopjimit të të dhënave në serverin qëndror do të bëhet kryqëzimi i të dhënave të gjithë pajisjeve të shpërndara në territorin e Shqipërisë dhe përmes këtij procesi do të shikojmë nëse do të ketë raste të votimit të një zgjedhësi në disa raste, brenda të njëjtës qendër votimi apo në qendra votimi të ndryshme.
Qëllimi i përdorimit të pajisjes ka qenë të regjistronte gjurmët e gishtit të gjithë atyre që shkonin për të votuar. Ata që për arsye të ndryshme që e kanë provuar për sport apo për arsye të tjera të paligjshme e kanë vendosur gishtin disa herë në pajisje do të evidentohen dhe do të duhet të japin llogari para organeve kompetente. Pajisja ka funksionuar shumë mirë.
Sa kohë do të marrë?
Lealba Pelinku: Do të kërkojë kohën e duhur që do vetë serveri për të procesuar, një shenjë gishti përplaset me 1.6 milionë shenja gishtash për të verifuikuar nëse ka dublikim apo. Është për herë të parë proces edhe për KQZ dhe nuk mund të themi me saktësi sa kohë do të marrë kjo procedurë.
Ilirjan Celibashi: Gjithë ky informacion pasi të kryqëzohen të dhënat do të përdoret për hetime dhe sanksione të mëtejshme, është e parashikuar nga Kodi Zgjedhor.
Por a ka ndikim në rezultatin zgjedhor?
Ilirjan Celibashi: Jemi duke bërë verifikimet dhe do të bëjmë kryqëzimet e të dhënave dhe aty do të shikojmë sa është numri i personave dhe në cilat rrethana këta persona e kanë vendosur gishtin më shumë se një herë. Deri më sot dimë që në disa raste sporadike operatorët e kanë vendosur gishtin disa herë.Ka shkuar një votues, pajisja nuk e ka lexuar mirë gishtin, kjo pengonte procesin e votimit. Por kanë gabuar. Dimë vetëm rastin e operatorëve të raportuar prej tyre ditën e votimit.