Mapo Letrare

Kanget e qytetit me shi






               Publikuar në : 12:40 - 13/04/19 |
mapo.al

Poezi nga Rozafa Shpuza


Shpisë së vjetër

Në shpinë tonë dyert ishin pa çilsa
e përdita kalamendej nga njena odë në tjetrën
e pandryshueshme
si lutjet që gjyshja këndonte nën za
teksa njehte nyjet e nji filispaje të sajueme si tespije…
Shtrojet e pecave ju pergjitnin rrugicave qorre
me destinacion të paracaktuem
e tanë rrugtimi jem ishte nji lojë shahu
pa fitimtarë.
Tash që shpija e vjetër u zhba
si në epilogët e përrallave me gogolë
e ndjej përditën të shfaqet prej birave të çilsave
që kurre s’u përdorën
krejt si në fokusin e nji aparati që s’rreshtë së fotografuemi…

Ritem tejash

Sa herë tejat grimcojnë heshtjen e trenave
t’përkulun prej thashethemnajës tjegullore,
çoj sytë te valixhja maje raftit katër-kapakesh,
dizenjue me nyje arrash
që m’gjasin me sy gogolësh të përhanun.
Dikur aty palova ngutshem
dashitë e pamujtuna
e tash dryni i koduem prej caqeve t’andrres së mbrame
kalamendet si lavjerresi i psikiatrit
që më yshë me i palue rishtaz…

Tejat s’prajnë tue grimcue heshtjen,
e un’
si ajo anija në furtunë,
shtyj me qepalla kujtimet
me shpresë se kam me i mbijetu tallazeve… r.sh.

Qylymi

Kur përvëlimi i gushtit zhuritë zhumhurin e zhegut
nana shpërlan me ujë pusi qylymin kabah…
Mandej, si në ceremonitë pagane,
e nderë mbi nji shkallë druni
mbështetun te dy karrige
t’ngujueme si kambë ure n’oborrin mbrapa shpisë.
Marrshi i shakullinave të pirajkave
ban që e kuqja të derdhet sfiduese
mbi flirtet e bardha të kaprojve.
Mbasi i shprazë tana pengjet dalëboje
qylymi mbledhë krahët
tue rrokë kujtimet
e si nji tejqyrë gjigante
mbështetë qafën bri raftit katërkapakësh…
Vjeshta rishtaz ka me e joshë
me njye n’kuqlim dyshemen cullake…

Magji kryqesh

Nana i qendiste kryq dimnat
mbi nji thes andrrash
që tash frymon tërthor pragut të shpisë
atje në qytetin me tezgjahe shinash.
Lamshat me fije t’shkepuna prej xhupash t’vjetër
sillen si vërle e më kthejnë rishtaz te prologu,
tue më kryqëzue ndër direkë mëkatesh,
sa herë lamtumirat tubohen solemnisht
e parakalojnë t’ujshme mbi caqe kalendarësh.

Më prit te pragu, malli jem
se po vi vrikthi me miklue magjinë e kryqeve
e me ripërtëri fëshfërimën e hapave mbi shtroje…

Monolog shinash

Sonte shinat u derdhën si ujna lehonash
që s’janë të zojat me i rezistue britmës.
Diku u ndez nji far e buzët u hapen paksa
sa me zhvirgjënue natën e zhugatun
prej nuanca semaforësh.
Sonte shinat u derdhën si ujna lehonash
tue m’ba qull hijen, që saora u zhba
prej shtëllunga dëshirash që m’kapin përflokësh,
teksa thithi deri n’amshim cigaren.
Sonte shinat u derdhën si ujna lehonash…

Për mue askush s’u kujtue,
ndaj shtërngova me dhambë bishtin e kallun t’vetimës
e u bana gati me lindë s’parit…


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas