Situata në Kakavijë prej katër ditësh vijon të jetë kaotike për shkak të radhëve të gjata të automjeteve me emigrantë shqiptarë që duan të kthehen në Greqi. E gjitha kjo, për shkak të kushteve që ka vendosur Greqia nga situata e pandemisë.
Në ditën e katërt pa zgjidhje, kur irritimi i qytetarëve ishte i madh dhe në rrjetet sociale, duke paralajmëruar protesta, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka mbërriti në pikën kufitare dhe tha se autoritetet diplomatike janë në komunikim me palën greke, në një kohë që qytetarët vijojnë pritjen rraskapitëse në një radhë që nuk po i duket fundi.
Ish kryeministri Sali Berisha, ka postuar dy fotografi në rrjete sociale, ku duket ministrja Xhaçka. “Ndrikull Xhaçka nga Kakavia kthehet dhe shpreh pikëllimin e saj në Hotelin me pesë yje në Himarë”, shkruan Berisha.
Ndërkaq, Berisha vë në dukje dhe atë që duket në foto, se personat që janë me ministren në krah, nuk e kanë respektuar distancimin social.
“Foto tregon se respekton fort edhe distancën sociale!”, shkruan Berisha.