Janë sekuestruar nga policia në Rinas 1 milion e 75 mijë euro të dyshuara të falsifikuara në tentativë për t’u futur në vendin tonë.
Policia ka vënë në pranga poseduesin e parave, shtetasin nga Kameruni Josoue Ngankam.
Burime për Euronews Albania bëjnë me dije se 53-vjeçari me leje qëndrimi në Francë, vinte transit nga Turqia për në vendin tonë.
Gjatë kontrollit në valixhen e rrobave këtij shtetasi janë gjetur sasi e konsiderueshme kartëmonedhash të dyshuara të falsifikuara dhe lastra (letra që përdoren për të prodhuar kartëmonedha të prerjeve të ndryshme).
53-vjeçarit iu sekuestruan 1 milion e 75 mijë euro të dyshuara të falsifikuara, lastra, letër speciale për prodhimin e kartëmonedhave euro dhe një aparat celular.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë në vendin tonë, do të hidhte në qarkullim kartëmonedha të falsifikuara.