Rinumërimi i 11 kutive të votimit në Lezhë nxori në pah sesa të nevojshme e kishte qeveria për të provuar se votimet e 30 qershorit nuk ishin problematike në valën e skepticizmit publik.
Ministrja Elisa Spiropali doli në një konferencë për shtyp për të treguar se procesi ishte i rregullt.
Por kreu i KQZ, Klement Zguri vazhdon të ketë dyshimet e tij, kurse opozita thotë se rinumërimi është i pakuptimtë kur nuk janë hapur kutitë e materialeve zgjedhore.
Pavarësisht kësaj situate, në rrjetet sociale, mosrakordimi i votave dhe votuesve, por mbi të gjitha vonesat për të publikuar rezultatin pas gati dy javësh- ndërkohë që kanë votuar shumë pak njerëz- duket qesharak.
Kjo situatë ka nxitur sërish mjeshtrin Bujar Kapexhiu të ‘thumbojë’ kryeministrin Edi Rama, duke e quajtur ‘kalorësin e votave’.