Bujar Kapexhiu tregoi në studion e ‘Top Talk’ me gazetarin Denis Dyrnjaja se si i ka marrëdhëniet me politikanët, të cilët janë protagonistët kryesorë të karikaturave të tij.
“Në përgjithësi jam i mirëpritur prej tyre. Nëse në diktaturë ishte e frikshme një karikaturë dhe në fillim të demokracisë kishte hatërmbetje, sot i ngel hatri nëse nuk i bën karikaturë”, deklaroi Kapexhiu.
Kur u pyet në lidhje me sulmet që i bën kryeministri Edi Rama mediave, karikaturisti e krahasoi kreun tonë të qeverisë me Presidentin amerikan Donald Trump.
“Ai e imiton pak Trumpin. Më vjen çudi sepse duket sikur Rama i kthehet vetvetes, pasi edhe ai është krijues dhe është marrë me publicistikë. Ka gjuhë të ashpër dhe nuk i takon që t’i trajtojë gazetarët dhe analistët në një formë të tillë”, theksoi Kapexhiu.
Kapexhiu tregoi me fjalë se si do të ishte karikatura e vitit 2018: “Një plak me mjekër të bardhë, me një thes me dhurata dhe me dorën hedhur tek një student duke e falenderuar”.
“E shikoj protestën si ish-student, pedagog dhe prind. Ndjeva kënaqësi që studentët morën guximin dhe frymëzimin për të dalë në protestë. Aq më tepër që e morën këtë iniciativë jo të shtyrë nga ndonjë parti”, tha Kapexhiu.
Bujar Kapexhiu deklaroi në Top Talk se në karikaturat e tij që kanë lidhje me Teatrin Kombëtar janë protagonistë kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj për faktin se, sipas tij, “janë të parët që duan që teatri të prishet”.
“Unë jam me grupin e aktorëve të paangazhuar, pasi ata që janë me rrogë është vështirë që të ngrihen kundër projektit, pasi nuk do të jenë më në bordero. Specialistët e vërtetë thonë që ai teatër rikonstruktohet në mënyrë të shkëlqyer, por problemi është që qeveria kërkon tokën ku do të ndërtohen kullat”, deklaroi Kapexhiu.