Aktualitet

Kapitullimi pa kushte i opozitës!














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:54 - 03/09/21 |
Armand Maho

Duhet thënë që në krye të herës. Në rast se Edi Rama mund të jetë një menaxher i keq si shtetar, si shef i asaj force politike që drejton është makinë elektorale. Kundërshtari i tij, përngjan me një nxënës të dobët përpara lëvizjeve politike që kreu i PS bën.






U vu re qartë sa seriozisht i merr Rama zgjedhjet dhe ruajtjen e pushtetit, ndërsa opozita vazhdon të mbetet në apatinë e përhershme me shprehje standarde pa asnjë lëvizje që ngjall frymë dhe rrotullimin në qerthullin që s’të çon askund. Shikoni çfarë ndodh.


Ende pa dhënë një verdikt Gjykata Kushtetuese, kreu i PS i paraprin zgjedhjeve lokale, megjithëse nuk dihet nëse do jenë të parakohshme apo në 2023-in. Me një lëvizje shfryu “kacagjelin” e Elbasanit, duke e dërguar në Fier. Rrekjet e Ballës për të përmirësuar rezultatin atje, që gjithsesi është fitues për PS, duken një mision i pamundur. E para sepse kreu i Bashkisë Armando Subashi është i pathyeshëm dhe kontrollon të gjithë strukturën e partisë. Komandon strukturat e PS në çdo qelizë. Dhe e dyta, bandat që marrin në dorë tenderat i kanë lidhur tashmë kontratat e tyre dhe s’para pyesin shumë për deputetin më të votuar të Elbasanit e krejt vendit.







Dhe e treta nuk duhet harruar “racizmi” që spikat në këtë qytet, i cili nuk është aq dorëlëshuar me jabanxhijtë. Rama u hakmor jo pak…. Për rezultatin e dobët në këtë qark ai ndëshkoi keqas Erion Braçen, nxorri jashtë loje Petro Koçin, la në hije Gramoz Ruçin dhe çoi pas hekurave kreun e Bashkisë Lushnje. Megjithëse është qarku i dytë më i madh i vendit nuk i jep asnjë ministri. Premisat që Balla të rrisë aksionet e tij politike atje janë mjaft pesimiste.



Elisa Spiropalin e dërgon në Kukës meqë pretendon se mori vota kuksianësh në Paskuqan e Kamëz. Një qark historikisht i djathtë, zakonor që nuk mund ta honepsë gjuhën pa fre të një gruaje në elozhet që i bën Ramës. Blendi Klosit i heq Beratin dhe dërgon në Lezhë, duke e pasur të qartë se nuk ka asnjë lidhje emocionale, fetare apo politike me këtë qytet.



Fakti është se po t’i bësh një skaner lëvizjeve të Ramës me drejtuesit politik të qarqeve, do shikosh dhe bashkitë apo qarqet që ai interesohet më shumë. Fierin megjithëse e ka të sigurt fitoren e ka përdorur si kartë ndëshkimi. Kukësin si bankoprovë për Spiropalin, Lezhën si pushkë për Klosin.

Në Shkodër ka vendosur Edona Bilalin, pavarësisht rezultatit anemik që ajo mori në vota nominale, lë në hije Paulin Sterkajn dhe Benet Becin, dhe zhduk nga skena politike Ilir Beqajn. Por ama nuk është sjellë në të njëjtën mënyrë me Vlorën, Elbasanin, Tiranën apo Durrësin.

Në qytetin bregdetar delegon Arben Ahmetajn, në Tiranë Erjon Veliajn, ndërsa Durrësin ia beson drejtorit të OSHEE, Ardian Çela, me qëllim që mos ketë përplasje me Vangjush Dakon, pasi më parë ka nxjerrë nga skena politike Lefter Kokën.

Ndërsa opozita është shumë larg kësaj mënyrë të të bërit politike. Ajo vazhdon të merret me çështjet e brendshme, ndërsa përzgjedhjet e kreut të PD në sekretariate apo kryesi në disa raste rezultojnë dizastër duke shkaktuar jo pak qejfmbetje. Sa për delegime politike ende nuk mund të bëhet fjalë, ndërkohë që opozita duhet të ishte një hap para.

Lexo edhe :  Basha i kërkoi takim, Berisha: E ftoj të vijë me mua te mbështetësit e PD

Kjo lloj sjellje e ndëshkoi jo pak dhe në zgjedhjet e 25 prillit. Lënia jashtë fjala vjen e Xhelal Mziut nga funksionet e partisë mund t’i sjellë kosto. Puna e tij në Dibër ishte vendimtare pas rezultatit skandaloz që PD mori në Burrel dhe Bulqizë. Pa votat e Dibrës dhe pa kontributin e Mziut ky qark sot mund të konsiderohej i humbur.

Po ashtu, njësoj Basha është sjellë dhe me kandidatë të cilët, pavarësisht se nuk hynë dot në parlament rezultuan të suksesshëm në zgjedhjet e kaluara, duke thelluar dhe më pakënaqësitë në bazë dhe elektorat. Duket sikur humbësit i promovon, ndërsa fituesit i linçon. Igli Cara në Durrës fjala vjen doli më i votuari, Agron Kapllanaj në Fier gjithashtu, Bardh Spahija në Shkodër u lanë pa funksione në PD, madje nuk janë as në kryesi.

Jashtë strukturave u lanë dhe emra si Agron Shehaj, apo Bujar Leskaj të dy përfaqësues të komunitetit Vlonjat, njëri drejtues politik në Tiranë dhe tjetri në Vlorë. Ishte kjo arsyeja dhe shumë të tjera që deputeti Mark Marku refuzoi të merrte mandatin, dhe hoqi dorë nga të gjitha funksionet në parti. Problemet me deputetin e Lezhës nuk u sheshuan kurrë, madje Basha nuk mori as mundimin të ulej në tryezë me deputetin pas Kuvendit të PD, ku ai ngriti jo pak probleme në fjalën e tij. Pra zero reflektim!

Basha nuk është në pushtet që të ketë luksin e largimit të një individi si Marku. Nga analiza politike e të dyja kampeve duket se Rama i ka marrë më seriozisht zgjedhjet e ardhshme lokale. Lëvizjet e tij janë sa ndëshkuese aq dhe të gjetura. Mesazhi është i qartë, sidomos në rastin e Ballës, Spiropalit, Klosit apo ndonjë tjetri.

Nëse do të mbijetosh në politikë atëherë duhen të shndërrohen në kamikazë politikë, përndryshe mund të ndjekin rrugën e Erjon Braçes me shokë. Ndërsa, Basha megjithëse në opozitë ka ndërtuar një skuadër pa orientim. Thjeshtë janë persona nuk i hapin andralla në vendimmarrje. Të merresh vetëm me organizimin e Partisë, dhe të lesh mbrapa probleme që kanë të bëjnë me vjedhjen e zgjedhjeve është një strategji elektorale që nuk të çon kurrkund.

Basha pas humbjes premtoi se do ndërmerrte një tur europian apo dhe botëror për të denoncuar 25 prillin, se nuk do i njihte ato zgjedhje, por me veprimet e tij po tregon të kundërtën. Duket se është më shumë i interesuar për forcimin e pozitave të tij brenda forcës politike që drejton, ndërkohë që po pëson një erozion jo të vogël në elektorat.

Këto veprime nuk përngjajnë kurrkund me ato të komandatit të një ushtrie qëndrestare të cilën e mban gjallë shpresa se fitorja do i vijë shpejt, por me një kapitullim pa kushte të saj.

3


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas