Rreth 650 kilogramë kokainë janë konfiskuar nga ‘Guardia di Finanza’ dhe Agjencia e Doganës në portin e Livornos në Itali. Sipas mediave italiane, droga e kapur ishte ndarë në 582 pako dhe ishte futur në 23 çanta brenda një kontejneri që përmbante kafe.
Policia zbuloi sasinë e drogës për shkak të erës që emetonte kontejneri ku ishte fshehur sasia rekord e kokainës. 5 trafikantë janë arrestuar deri më tani, ku në mesin e tyre raportohet se është i përfshirë edhe shqiptari me emrin Dorian Petoku. Ky i fundit thuhet mes tjerash se mbante lidhjet me trafikantët në Brazil.
Petoku u arrestua në Tiranë. Ja njoftimi zyrtar për ndalimin e tij.
Policia e Shtetit
Operacioni ndërkombëtar i koduar “Brasile Low Cost”, mes Policisë së Shtetit dhe Policisë italiane, ndalohet i kërkuar i drejtësisë italiane
Falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit në kohë reale të informacioneve, mes Strukturave operacionale tē Departamentit tē Policisë Kriminale, Departamentit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Policisë së Shtetit dhe të Ministrisë së Brendshme me Repartin e II-të të Komandës së Përgjithshme të Guardia di Finanza u lokalizua dhe arrestua në Tiranë një 31 vjeçar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimi drejt Italisë.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Interpol Tirana, dhe Forcën e Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit pas informacioneve të marra në rrugë operative, kapën dhe arrestuan përkohësisht shtetasin shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, D.P. 31 vjeç, nga Tirana.
Gjykata e Romës, Itali ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.
Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar në bashkëpunimin të ngushtë me partnerët për të goditur dhe çuar para drejtësisë personat që ushtrojnë veprimtari kriminale brenda apo jashtë vendit.
Kapen 644 kg kokainë në Itali, një shqiptar mes të arrestuarve